Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Të shumëmbushurit” që thithin palcën shqiptare

“Të shumëmbushurit” që thithin palcën shqiptare
December 17
15:15 2016

A dini cila është pjesa më e dhimbshme në shoqërinë shqiptare?

Janë ata “të shumëmbushurit” që mendojnë se përbëjnë elitat mediatike, opinionet, qëndrimet, analizat e gjithçka tjetër që ka lidhje me fatet e këtij vendi, këtij kombi (fatmirësisht jo të gjithë). Janë ata që kur shkruan për Bylisin, për Orikun, Amantian, Drishtin, kalanë e Shkodrës, Gjirokastrës, Krujës etj. të konsiderojnë patetik. Këta janë ata që kur shkruan sesi pjesa ngjitur me vendprehjen e Gjergj Kastriotit në Lezhë është kthyer në banjë publike të nënqeshin. Edhe më keq shkon puna nëse tenton të zbulosh historinë e siteve të ndryshme arkeologjike, të sjellësh të vërtetat e tyre, figurat kombëtare e legjendat që i rrethojnë, “të shumëmbushurit” nuk merren me gjëra të tilla. Sipas tyre, që të jemi europianë të vërtetë duhet të lëmë mënjanë çështjet e historisë. Kaq dinë e kaq bëjnë fundja, sepse kur shkojnë në Europë “të shumëmbushurit” nuk vrapojnë në muzeume e as në qendrat historike, ata kanë interesa të tjera.

Këta janë të njëjtët që të konsiderojnë me mendime të tejkaluara nëse flet për shqiptarët në Maqedoni, Mal të zi, Kosovë, Greqi, Luginë, Sanxhak e kudo. Për ta, çështja çame duhet harruar, ashtu si godina e Manastirit në Maqedoni, shqiptarët në Shkup, në Kumanovë, Ohër, Gostivar, kalaja e Ulqinit, Plava e Gucia, Tuzi apo ata në Sanxhak të Serbisë.

E sigurisht, qëndrimi i tyre është i njëjtë nëse shkruan për një qendër shëndetësore, për mungesën e një ure, të një rruge, për mungesën e tregut, për erozionin, për minierat e minatorët, për pyjet, për ndotjen, për bujqësinë e gjithçka tjetër të këtillë. Ata nuk merren me këto vogëlsira, ata janë “koka të mëdha” mediatike…

Por e dini ama çfarë ndodh nëse një nga këto vende apo sektorë prodhon një ngjarje të rëndësishme?

Këtu nis shpërthimi i “kokave të mëdha”, si në rastin e zgjedhjeve në Maqedoni. Të gjithë nisin analizat, komentet, hedhin ide, bëjnë si njohës e pararendës të të drejtave të shqiptarëve… E po kështu, nëse vdes një minator, nëse mbytet një fëmijë, nëse bie masivisht muri i një kalaje të rëndësishme apo grabiten disa vepra arti, në atë moment ata janë e kundërta e tyre, janë maska e vetvetes e duke parë interesimin e opinionit të ndershëm publik, hidhen në sulm për të treguar e kritikuar, ngritur, dhënë ide për ç’të munden, mjafton të tërheqin vëmendje…

Kur u hap debati për kalanë e Lezhës, të gjithë “të shumëmbushurit” u shprehën të shokuar për atë që po ndodhte, por sot që vëmendja ka rënë askush nga ata nuk do t’ia dijë. Kështu bënë edhe kur dy të rinj u mbytën në lumin Ishëm duke mbledhur kanoçe e bidonë katër vjet më parë. Reaguan fort dikur kur u grabit bazorelievi në kalanë e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, teksa sot kanë harruar se plehrat po vazhdojnë t’ia marrin frymën këtij vendi e se askush nuk është aty për ta mbrojtur. Kështu ndodhi edhe kur kohë më parë një minator humbi jetën në minierë. Shkruan fort për kushtet, por s’bëhet fjalë ta vazhdonin këtë çështje edhe kohë më pas, kur i ndjeri u varros e u tret. E njëjta gjë për Lurën, Vithkuqin, Gërmenjin, Pukën etj. Duhet të vdesë një pacient, pa të flasin për shëndetësinë, ashtu siç duhet të ndodhë një mori aksidentesh tragjike që të kujtohen për sigurinë rrugore. Duhen disa masakra mbi gra e fëmijë nga burra të alkoolizuar e abuzues që këta të lëvizin mollaqet nga poltronat e lëkurta.

Për “të shumëmbushurit” duhet të shkatërrohet diçka, të vdesë dikush, të rrënohet e masakrohet, sepse veç atëherë ka vëmendje, ka klikime, ka mundësi për sponsorë të rinj… Kështu bëjnë për drejtësinë, për pronat, për korrupsionin, për krimin e elementë të tjerë. Ata nuk duan të ndryshojnë diçka, por veç të përfitojnë nga ajo që ndodh. Këtu nis e përfundon interesi i tyre, te xhepi, te mendimet boshe e pa bosht, te ngërdheshjet e shëmtuara sa herë duan të imponojnë mendime.

Në ka një të keqe është pikërisht kjo pjesë, këta “të shumëmbushur”, që s’dinë e s’ndiejnë më shumë se asgjë. Këta manipulojnë opinionin, deformojnë realitetet e fluturojnë sa në njërin prehër në tjetrin. Këta shkruajnë për varfërinë (kur u intereson), edhe pse në realitet i përbuzin njerëzit e varfër; shkruajnë për zona të caktuara, edhe pse kurrë nuk i kanë bërë këpucët me baltë; llomotisin mendime për zhvillimin e zonave rurale, edhe pse të tilla nuk kanë vizituar kurrë. Ata dinë çfarë do një komunitet e çfarë një tjetër, edhe pse në realitet nuk u intereson fare.

“Të shumëmbushurit” jo vetëm që duan ta përdorin median, por përpiqen të imponojnë qëndrimet e tyre personale. E kjo që të mos dallohen e të shkrihen mes tyre, si një formë për të vazhduar e vazhduar të thithin palcën e një shoqërie mjaftueshëm të lodhur nga realiteti i vështirë shqiptar.

Fundja, atyre u intereson vetëm xhepi, asgjë tjetër. “Të shumëmbushurit” duan vetëm të mbushen./Blitz.al/

Shperndaje