Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Të ruaj në kohë në atë të dobëtën zemër!

Të ruaj në kohë në atë të dobëtën zemër!
February 04
21:33 2017

Nga Desantila Vatnikaj  

Zor se do të ketë njeri që do të dijë për ty!

Të kam fshehur thellë në vend të sigurt… Dreqi e di sa me kthetra e mbroj hapësirën tënde, dreqi e di pse ende të ruaj kaq shumë!

Ishte koha kur njerëzit ende dinin të duheshin, kohë kur ende jetonte fjala, ishte kohë e gabuar thanë, për njerëzit e duhur…

Thuhej se rreth nesh kishte një shkëndijë që përfshinte këdo, ndoshta na gënjenin, jetëshkurtër qëlloi edhe magjia jonë. Por unë i ruaj edhe ata që na urryen, edhe ata që kurrë nuk thanë, të ngremë një dolli, i ruajta më fort ata, i ruajta edhe kur shpinën ua ktheve ti, sepse e dija që në një ditë si kjo, në rrugë do t’i shihja përsëri e me krahët shtrënguar në të miat do t’ua zbusja dhe njëherë zemrën me dashuri, atë që u mungon, atë që mua edhe ty thellë brenda vetes, ua gërmonte shpirtin me zili.

Asnjëherë më shumë se sot nuk të kisha ndjerë teksa bëje ecejake mendjes sime, në çdo hap ma trullos qenien, m’i jep një dimension tjetër botës së gjallëve, më ngjan se vetvetiu filloj t’i dua njerëzit më shumë, sikur dua t’i vesh se s’bën edhe ata me lumturinë time. Por unë të ruaj larg botës, larg të prekshmes, të ruaj në kohë, në atë të dobëtën zemër!

Kur më thoshe “jam i lumtur”, do të doja t’i kapja fjalët si fluturat që më vijnë vizitore e ikin porsa u afrohem! Të gjitha mendimet e pashprehura m’i flisje ti…

Edhe sot nuk kam mundur t’i shkul jetët tona… Kot përpiqem ta bëj, ti je rrënjosur tashmë, me kohën edhe ti ndërton shtëpizën tënde në zbrazëtirën time. Heshtja e mungesës tënde flet aq bukur në syrin tim, e dëgjoj fytyrë-qeshur, kurrë s’më ka trembur ky mendim, më magjeps dhe nuk kam dashur t’i pres fjalën për asnjë moment.

Thërras edhe njëherë emrin tënd dhe koha lozonjare më thotë se je peng e imja, më ke humbur…

Dy figura të vogla më kapërcejnë sysh, janë imazhi ynë, njësoj si dielli që udhëton për të mbërritur prapë në vendin e tij ashtu e gjen ti përherë rrugën tek unë… E njësoj po unë te ti!

Besomë, të ruaj, me shumë dashuri!

/Blitz.al/

Shperndaje