Blitz

 Breaking News

Të pathënat e Barcelonës… (nga eksperienca e një turisteje shqiptare)

Të pathënat e Barcelonës… (nga eksperienca e një turisteje shqiptare)
January 10
17:29 2020

Nga Rea Yzeiraj

Mund ta merrni me mend se kisha muaj që e kisha planifikuar këtë udhëtim. Normalisht kisha programuar çdo gjë, deri në detajin e parafundit… se ai i fundit më bëri të shkruaja këtë që po lexoni.

Dita erdhi, çdo gjë gati, super e karikuar për të shkelur një nga qytetet që ka qenë ne listen time të udhëtimeve prej shumë kohesh, sigurisht për shkak të kulturës, arkitekturës, muzikës apo vetë kohës që ka. Pavarësisht kërkimeve paraprake që i përmenda, kisha harruar këtë detajin e fundit . Ose më mirë nuk ma merrte mendja që duhet të pregatitesha dhe për këtë. Ndoshta Shigjetari brenda meje, tepër aventurier dhe optimist, më bëri të mendoja vetëm për qefin dhe fotot që do të bëja. Fati e deshi gjithsesi që kjo mendësi të më përmbysej sapo zbrita dhe vura këmbën në trenin që kishte si mision të më çonte në banesën që kisha prenotuar. Pra me pak fjalë: ”MË VODHËN”.

Tani përpiquni të mendoni që në një fraksion sekonde ti je entuziaste, me dhëmbët  gjatë gjithë kohës jashtë dhe në tjetrin, siç i thonë në Barcelonë,  një “muerta de hambre” ose në shqip, pa kokërr leku në xhep. Pra të dashur miq,  mësimi për sot është që në Barcelonë vidhet dhe nuk po flas aspak për vjedhje amatore xhepash, si në linjat e autobusit ne Tiranë, por për teknika te avancuara të ngjashme me filmin “ Focus” nëse e keni parë (nëse jo shiheni, jua sugjeroj).

Tani, nëse edhe ju si unë(qoftë larg) gjendeni pa asnjë kacidhe në mes të këtij qyteti shumë të madh, gjëja e parë që duhet të bëni është:

-FLINI MËNDJEN. Sepse ato lekë nuk do t’i merrni kurrë më mbrapsht. Portofolin dhe mund ta gjeni po atë ditë, ndoshta në ndalesën e ardhshme të trenit, në kosha, ose në ndonjë shkurre. Por asgjë tjeter…

Ju do thoni, se ju gjithmonë e thoni një gjë: ”Po ja ndoshta të ndodhi ty, s’është e thënë të më ndodhi dhe mua!

Më lejoni t’ju mbush mendjen për të kundërtën. Pasi mora pak veten nga ajo që kishte ndodhur, shkuam menjëherë ne komisariat. Ne jemi rritur me idenë që në vendet jashtë, policia është shumë më “e zonja” dhe më e aftë se e jona dhe prisja se në këtë rast, me siguri do të bënin diçka.

Për ta në fakt ishte thjesht një rutinë, një akivitet normal i përditshëm, sepse në rajon shkonin rreth 2000-3000 turistë në ditë, me të njejtin fat si unë. Halli që më kishte rënë më bëri të nisja njohje dhe në rajon me “fatkeqë” të tjerë si unë dhe ngushellonim njëri-tjetrin e tregonim se kujt i kishin vjedhur më shumë dhe kujt me pak, kujt nga xhepi e kujt nga çanta, në metro apo në markatë.

Pasi hapit të komisariatit, ku kuptova se ishte thjesht një burokraci e nevojshme por dhe e panevojshme në të njejtën kohë, menduam që të vazhdonim të shëtisnim e te shkonim në markatën më të afërt për të ngrënë diçka. Ky ishte një gabim, shumë gabim, një gabim i madh!

Markatat njejtë si metrotë janë vendet më të lakmuara për hajdutët, ashtu siç janë të lakmuara dhe nga turistët, për shkak te shumellojshmërisë së ushqimeve që tregëtohen. Sapo bëm xhiron e parë dhe u hasëm me udhëkryqin e turistëve, që te kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën, sytë e mi vajtën instiktivisht në xhepin e një zonje, nga i cili po dilte ngadalë ngadalë një telefon. Ndoshta tmerri që kisha përjetuar më parë vetë, ndoshta implusiviteti prej shqiptareje (besoj e dini se për çfarë po flas), më bëri të bërtisja dhe ti thoja: ”PO TË VJEDHIN”.

Hajduti ishte një djalë rreth të 30-ave, bjond me sy bojeqielli, i larë, i parfumosur(po, i ndjeva dhe parfumin se mu afrua dhe më shau në një gjuhë që s’e kisha dëgjuar ndonjëherë meqë e nxorra zbuluar) i veshur e i kollandrisur, në atë mënyrë që nuk ta merrte kurrë mendja që ishte i ketij “zanati”. Kuptova se në Barcelonë përveçse vidhet fuqishëm, heshtet dhe fuqishëm. Askush nuk flet nesë shohin që po të vjedhin, as edhe një njeri. Dhe unë u gjenda në të dyja anët e monedhës.

Unë kam udhëtuar mjaftueshëm besoj, sa për të pasur aq eksperienca e për të menduar që Barcelona është e bukur, por dhe goxha e rrezikshme. Sugjerimi im në fund do të ishte që tek ajo lista, kur te bëni programet dhe parapregatitjet, hidhini një sy dhe shkrimeve që postojnë turistët për eksperiencën e kaluar. Ata kurrë nuk gënjejnë dhe për më tepër nuk heshtin. Visca el Barça!/Blitz.al/

Share