Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Të fundit vijnë korbat”

“Të fundit vijnë korbat”
February 14
13:15 2017

Më erdhi në ndihmë titulli i një tregimi të të madhit Italo Kalvino, që të mund të jepja mendimin e duhur mbi një temë, e cila ka disa ditë që po përvillet në mediat tona nga një grup korbash, që nuk mund të bëjnë ndryshe, pasi ky është vesi i tyre. Për të qenë sa më i qartë e racional, atë që dua të shpreh do ta ndaja në tri probleme, si më poshtë:

  1. Është shumë e turpshme dhe fare pa dinjitet që sa ishte gjallë, njeriun, rrëfimtarin dhe poetin tonë të madh, Dritëro Agolli, të gjithë e nderonin dhe respektonin për gjeninë e tij njerëzore dhe artistike, dhe grupi i korbave nuk guxonte të lëshonte asnjë “markrrak-krrakmark”. Jo se mendoj se ata kanë pasur frikë të flasin, jo. Ata nuk kanë as frikë, as turp, asnjëherë e në asnjë kohë. Ato korba e ndienin se ishin të papërfillshme, një hiç nga ana intelektuale e artistike, që të mund të analizonin veprën e tij, para dhe pas viteve ’90. Kjo ndodh, mendoj unë, dhe për këtë ata s’kanë faj, se në Shqipëri ka një kohë të gjatë që mungon analiza kritike letrare. Kur them analiza kritike letrare, flas për atë të vërtetën, jo për atë që të hamë një grusht kikirikësh, të skuqemi në fytyrë nga birrat e pira e të pllaquritemi në fytyrë me buzët e përlyera e t’i themi njëri-tjetrit tërë hipokrizi: Oh, sa bukur! Por kjo ka ndodhur edhe për faktin se për Dritëroin ata nuk mund të flisnin, sepse për të fliste vetë vepra e tij, një vepër tërësisht tokësore, e lidhur ngushtësisht me Shqipërinë e për të, me popullin e tij, me krenarinë për këtë vend. E ç’mund të thoshin, kur fjalët për të buronin nga vetë shpirtrat e njerëzve të thjeshtë, për të cilët ai shkruante e i deshi aq shumë?
  2. Burrat e malësisë nuk mund të jenë të tillë, përderisa pa mbushur 40 ditët e respektit, që ia kemi borxh poetit tonë të madh, organizojnë grupin e korbave, që janë përherë të gatshme të mblidhen rreth kryekorbit të tyre, nën thirrjen “krrakmark-markkrrak”. Jo, nuk thonë kështu as zakonet e malësisë e as zakonet e shqiptarit. Ky është një turp i pashembullt, që me dhimbje të madhe do të thosha se tregon edhe devijancat mentale e njerëzore të një grupi njerëzish, që, duke mos harruar zanatin jetik të korbave, sulen me tërbimin modern të shkrimeve e disa lloje emisionesh të turpshme, pa pikë kulture profesionale, sikur janë duke zhvilluar mbledhjet e partisë, në të cilat militojnë. Ruajna Zot, se mos ndonjë ditë nga këto vënë edhe korba të tjera të demonstrojnë për këtë problem në rrugë! Ky do të ishte kulmi!
  3. Epo, nuk pritën dot që të “villnin” prej asaj që kishin ngrënë dhe për këtë na ndihmoi një prej moderatorëve dhe analistëve tanë nga më të njohurit, në emisionin e tij tepër të ndjekur. Moderatori, çuditërisht, për t’u treguar “i paanshëm”, si në të gjitha emisionet e tij, në krahun “pro” të analistëve vendos të flasin ata që do të “kishin të gjithë të drejtën morale dhe njerëzore” të flisnin për jetën dhe veprën e Dritëroit me sa më shumë mllef dhe në krahun “kundër” disa analistë, të cilët ai i aktivizon edhe për politikë, edhe për letërsi, edhe për “lingeri” e ku e di unë çfarë, të cilët nuk kanë as bagazhin më të vogël intelektual që të mund të flasin e jo më të analizojnë jo vetëm veprën, por edhe jetën e Dritëroit. Kjo ishte arsyeja që ata u munduan ta kthejnë atë emision në një mbledhje partie, ndërsa njerëzit me kulturë e intelekt modern të krahut “pro” vlerësuan drejt evoluimin njerëzor e artistik të Dritëroit ndër vite, para dhe pas viteve ’90. Ata thanë qartë e pastër se është një vepër e madhe, me të cilën në të ardhmen do të mburremi më tepër, pasi është për ne sot një objekt studimi e analize logjike artistike. Korbat ndrydheshin e përndrydheshin në ndenjëset e tyre duke lëshuar “krrakmark” e “markkrrake” të venitura, duke mos dalë dot në analizat e tyre të parapërgatitura partiake. Nuk kanë faj. Deri aty shkon intelekti dhe mendësia e tyre. Por nuk duhet të lëmë pa thënë se pa faj në këtë mes nuk është as moderatori i njohur i emisionit, që, për hir të së vërtetës, duhet thënë se i frynte zjarrit të shpirtrave të korbave, i cili nuk ndizej që nuk ndizej dot. Uroj që së paku të mos i ketë bindje ato që thoshte se pastaj do të vajtonim për të për së gjalli: “Bir, nona çfarë çuni paska, bir!”.

Sa për korbat, ato atë zanat kanë, por do t’u sugjeroja me shumë dashamirësi që të shkonin e ta nxirrnin bukën e gojës diku tjetër, se nuk është “ushqim për dhëmbët e tyre” jeta dhe vepra e Dritëro Agollit. Mjaft me turpin dhe baltën që keni marrë deri tani mbi shpatulla! Jepini mundësi vetes të harroheni pak, ndoshta duke marrë pjesë në ndonjë juri miss-esh ose konkursesh për fëmijë, a ku e di unë çfarë…

Nga Artan Selenica

Komento
Shperndaje