Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Të dashur të padashurit e mi, ikje të mbarë!

Të dashur të padashurit e mi, ikje të mbarë!
October 17
13:58 2018

Nga Klara Koli

Ata kanë ikur. Afër ose larg, unë e njoh ikjen e tyre, i ndiej hapat e saj kërcitës, e dëgjoj jehonën e saj të përkëdhelur në segmentet më të ndjeshme e më delikate të ditës dhe gati-gati në ndonjë pasdite të vetmuar, i them shpeshherë vetes se dalëngadalë duket sikur ka kohë që po doktorohem për “ndjenja të vështira nga njerëz të lehtë”, edhe udhëheqësi më dinjitoz i gjithë kësaj saharaje është padyshim shpirti im.

Ata nuk kanë rast të amplifikojnë me valët e tyre të përvdekura në sistemin tim. Ata e vdesin linearzimin, siç kanë lineare edhe zemrën e tyre. Pa rrahje, pa puls zemre, një vdekje e vetëpranuar. Ata janë krijuar për t’i rënë shkurt, për t’u zhdukur nëpër rutinat e tyre anemike. Për pak gjë koti më shumë në gjithë mozaikun e shëmtuar të shoqërisë sonë.

Ata nuk guxojnë, nuk qeshin dhe duan të jetojnë me bindjen se njerëzit janë njëlloj. Ata e kanë fobi diversitetin dhe janë në homogjenizëm të plotë me materializmat e kohës. Nuk i tundon inteligjenca,merreni me mend.

Nga njëra anë e unë e kuptoj gjithë këtë dhe po aq shumë e ndiej nga ana tjetër. Kuptoj se nuk marr as gjënë më të vogël mbrapsht, se nuk kam kohë për kaq shumë, se durimi zbehet, se po e brej ndërgjegjen kot së koti dhe nga ana tjetër jetoj me idenë tipike se s’kam bërë mjaftueshëm, se për gjërat duan mundim…dhe vetëm, përpiqem, kujdesem, i justifikoj si mos më mirë, i mbroj dhe prapë i ndiej luhatjet sizmike në shpirt…dhe prapë vazhdoj të përpëlitem në ciklin më të shkurtër të gjatë. Po këta nuk të kuptojnë edhe kur u sillesh kështu, sepse nuk të ndërmendin kurrë as ty, as gjestet e tua.

Ata ikën dhe unë i lashë kur nuk kisha më se ç’të bëja, kur aksonet dhe dentritet e mia në një qetësi deti iu falën rehatisë së unë e kam treguar veten, se e kam bërë gjithnjë.

Pika e qetësisë së gjumtë në gjithë veten vjen kur nuk ke më se ç’të lëvizësh, nuk ke më se për çfarë të kujdesesh, nuk ke më asgjë veç ikjes. Ata ikën…dhe ata janë  “nisur” për ikje që atë çast kur erdhën drejt nesh. Nëse mendoni se të tillë “njerëz të lehtë, pa peshë” po vinin drejt jush, gaboheni vajza. Ata ikën pasi panë ç’ishim ne, pasi në një mëyrë a në një tjetër u dhamë rëndësi, pasi ikëm nga gjërat tona dhe rendëm drejt tyre. Po ja që e tillë “racë të ikurish” dehen shpejt nga rëndësia që u jepet dhe pasojat janë të tallen me durimin tonë apo me faktin që u flisnim me zemër në dorë, edhe atëherë kur nuk mbante më.

Dhe unë u jepja kohë të më kuptonin…

Gjithë kohën iu dhashë dhe ata s’na deshën!

Atyre u shijon të nisen për të ikur nga origjina… dhe ajo jam unë, jeni ju.

Pasi ke milimetruar çdo pikë të çiltër e ua ke falur, ata s’të kanë kursyer asnjë kilometër për të ikur e ikur larg në një enigmë të llojit të rrallë që ti s’ke as sesi ta kuptosh. Për ata që s’u mjaftuan, për ata që nuk folën ëmbël kurrë, që s’ua mësuam dot “veset tona të mira”, për ata që s’do shërohen kurrë edhe kur u bëre copë atë herën e fundit… të pazemërt të gjykuan, të ulën dhe ikën.

Është koha e atyre që ikin, e frikacakëve dhe gjithë atyre që turpërohen nga gjestet tona të pastra, xhentile.

Ata ikën ndërsa ne ua tregonim çdo ditë sesi “ndiqet” dikush me sytë e zemrës,përmes gjërave më të vogla,përmes kokëfortësisë më të dashur që një vajzë mund të ketë ndonjëherë, përmes vetes tonë, përmes naivitetit e sinqeritetit më infatil.

Ata se besuan dot se unë kështu jam.

Nuk duronin dot të isha ashtu. T’u thoja fjalët siç më vinin dhe gjëra që si kisha bërë kurrë. Ata i çudit e mira, i ngatërron.

I lashë të ikin… po i lë të ikin.

Ikje të tilla nuk ushtojnë aspak në jetën time, thjesht më tregojnë sesa shumë fal, sesa e fortë jam dhe të njoh edhe më mirë veten duke i besuar të panjohurës në botën e shoqërinë më të kalbur.

Ndonjëherë jeta sjell momente që duhen shijuar, si për shembull ikja e atyre që s’kemi pse t’i duam dhe në të tilla situata, me atë qetësinë që iu fola më sipër, unë nuk iu them gjë tjetër veçse “ikje të mbarë”. /Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje