Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit
November 27
15:57 2016

grim-reaper

Nga Aulona Musta

Java që po lëmë pas u shoqërua nga një ngjarje tragjike, e cila pikëlloi shumë njerëz: humbja e jetës së dy të rinjve si pasojë e një aksidenti me motor. Kejdi Halili 21 vjeç dhe Ergi Dini 22 i dhanë lamtumirën jetës në periudhën kur ishin më shumë të etur për të: plot me ëndrra, dëshira e projekte për të ardhmen, ashtu siç mund t’i ketë vetëm një njeri në fillim të të njëzetave.

Për këto ëndrra, dëshira e projekte të lëna përgjysmë të Ergit është shkruar shumë këto ditë. Është shkruar pafund, ashtu siç është normale të ndodhë për një personazh publik, për një këngëtar, artist, i cili, edhe pse në fillimet e karrierës së tij, diti si të bëjë për vete publikun jo vetëm me talentin e jashtëzakonshëm në muzikë, por edhe me natyrën e tij të thjeshtë, modeste e me këmbët në tokë. I talentuar dhe me këmbët në tokë, dy karakteristika që është thuajse e pamundur t’i gjesh tek artistët sot, sidomos te brezi i ri që e ka shumë të lehtë të jetë arrogant e fodull, madje edhe pa pasur talent fare. Por Ergi ishte ndryshe…

Ishte… sa më dhemb që shkruaj në të shkuarën! Edhe pse Ergin nuk e njihja shumë, më kishte mjaftuar ai komunikimi i pakët që kisha pasur me të për disa intervista për të krijuar respektin maksimal. Prandaj lajmi për humbjen e tij më hidhëroi pa masë. Hidhërim që e shpreha edhe në rrjetet sociale, edhe pse, më besoni, është një ndër gjërat që më pëlqen më pak të bëj, të vendos statuse keqardhjeje, ngushëllimi e trishtimi kur dikush largohet nga kjo jetë. Mund të duket diçka shumë e gabuar kjo që po shkruaj, por gjithmonë kam menduar se përmendja nëpër rrjetet sociale e dikujt që nuk jeton më, më shumë sesa respekt karshi tij më duket si mungesë respekti, si një garë se kush bën “fjalimin më të bukur”, se kush shkruan më shumë fjalë prekëse, se kush ka më shumë kujtime me të ndjerin… Dhe e gjithë kjo më duket e shëmtuar sa më s’ka.

E megjithatë, kjo nuk është asgjë përpara shpirtvogëlsisë, madje do të guxoja ta quaja makabritetit të disa portaleve, që mirë të gjallët që nuk dinë t’i respektojnë, por janë aq pa dinjitet saqë nuk kanë respekt as për të vdekurit. Unë vetë drejtoj një portal dhe jam e ndërgjegjshme që ka pasur raste kur mund të kem abuzuar paksa me ndonjë titull apo që mund të kem mërzitur dikë me ndonjë lajm, ama një gjë e them me bindje: nëse do të vinte dita që të përdorja vdekjen e dikujt për të fituar më shumë klikime në portal do t’i thosha lamtumirë këtij profesioni pa u menduar dy herë dhe do të më vinte turp të ngrija kokën e të shikoja veten në pasqyrë.

Më ka therur në zemër statusi i Barbanës, motrës së Ergit, që u bënte thirrje disa portaleve të mos publikonin videot e momentit të aksidentit. Një thirrje e dëshpëruar, e mbushur me dhimbje, që do të zbuste cilëndo zemër që e lexon e dëgjon, por për fat të keq numri i atyre që në vend të zemrës kanë gur është shumë i madh dhe thirrje të tilla nuk u bëjnë përshtypje. “Shikoni se si e vajton motra Ergin te varri”; “Kush është femra që ia mbylli sytë Ergi Dinit”; “Momentet e trishta gjatë varrimit, pamje të patransmetuara nga aksidenti” janë vetëm disa nga titujt që kanë bërë paradë këtë javë se cili do të merrte më shumë klikime, duke vrarë kështu për së dyti zemrat e copëtuara të familjarëve që, sikur të mos mjaftoheshin me tragjedinë që u ka rënë, duhet të përballen dhe me palaçollëqet dhe ndyrësitë e disa qenieve të pashpirta, që nuk njohin respekt as për atë që është nën dhe.

Të bësh show me vdekjen… Deri këtu paskemi arritur? Kjo është gazetaria e portHaleve? Po si mund ta kesh ndërgjegjen të pastër e të vësh kokën mbi jastëk në darkë, duke ditur se po ua shumëfishon vuajtjen disa njerëzve, të cilëve vuajtja edhe pa “ndihmën” tuaj nuk do t’u ndahet deri në fund të jetës? Nuk ju mjaftojnë titujt “Tuna fut gishtin në…”; “Shikoni si prek organin gjenital Dafina”; “Afrona ia kafshon Bleros”, por edhe me vdekjen doni të bëni show? Kaq të pashpirt paskeni qenë?

Mirë dinjitet e respekt nuk keni, por as frikë? Mos harroni, askush nuk është imun ndaj vdekjes. Të gjithë e kemi të rezervuar takimin tonë me të. Por jam e bindur që ka një vend në ferr për të gjithë ata që nuk dinë të respektojnë vuajtjen dhe dhimbjen e tjetrit. Vendi juaj është atje!

Komento
Shperndaje