Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Si të jetosh në një Tiranë që ecën shumë shpejt?

Si të jetosh në një Tiranë që ecën shumë shpejt?
June 20
17:19 2019

Nga Ana Limani

Tirana është gjithnjë plot…

E mbushur me vrull dhe ndonjëherë të shkakton marrje mendsh. Nuk ndalon asnjëherë, ka një kaos ku gjenden gjithnjë surpriza. Dhe nëse do më duhet të zgjidhja një vend më të qetë, më të dashur, më të butë për të jetuar, do zgjidhja sërish Tiranën.

Por si jetohet në një Tiranë që ecën shumë shpejt?

Ec në këmbë edhe ti

Tiranën nuk e kupton dot nga xhami i një makine, apo nga trafiku që të shkatërron nervin. Atë e kupton vetëm duke ecur me një ritëm paksa më të ngadaltë se të tjerët. Kalon në çdo rrugicë që ditë pas dite merr formë të re, sheh fytyrat e njerëzve që marrin frymë aty. Nëse nuk ecën në Tiranë, nuk do e kuptosh si ndihesh nën rrezen e diellit apo përballë erës që fryn. Dhe mbi të gjitha, nëse nuk ecën në Tiranë, nuk je asnjëherë afër me të.

Hape mendjen
Sepse këtu mund të gjesh njerëz të çdo moshe, gjinie, origjine, besimi, mendësie… Do dëgjosh histori nga më të ndryshmet dhe nëse e mban mendjen të mbyllur, nuk mund të mbijetosh. Do duhet të japësh një buzëqeshje dhe teksa takon një të njohur të rastësishëm që asnjëherë nuk të pëlqeu, dhe duhet të mësosh të përtypësh realitetin e dikujt pavarësisht se ti as e koncepton dot. Do e kuptosh që ke mësuar të jetosh në Tiranë, kur nuk të  bëjnë më përshtypje disa gjëra pasi “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiron”. Ah dhe diçka, mos i merr gjërat personale, ndonjëherë askush nuk e ka me ty, ndonjëherë jo të gjithë arrijnë të hapin mendjen.

Dil dhe festo
Në listat e gjërave që turistët duhet të provojnë në Tiranë,asnjëherë nuk mungon “jeta e natës”. Dhe më vjen keq, por nëse nuk ke dalë asnjëherë pas ores 12, ti nuk e njeh Tiranën. Kur dritat fiken dhe muzika ndizet, njeh një anë tjetër të sajën me mundësi zgjedhjeje pafund. Aty pastaj bën dhe një seleksionim të njerëzve/pijeve/vendeve fasadë dhe të atyre që e shijojnë jetën. Dhe lutem ti përkasësh se dytës.

Hidhi plehrat në kosh, përfshirë edhe ishin
Nuk e di nëse kjo këshilla vjen nga ana ime maniake e pastërtisë, por Tiranës i humb vlera kur i hedh një bisht cigareje në tokë. Mund të marrësh frymë lirisht, mund të shohësh qartë, vetëm nëse plehrat janë në kosh dhe jo në pragun e derës. Kjo vlen dhe për plehrat në formë njeriu, me të cilët nuk e di pse përdorim teori ndryshe. Në Tiranë nuk mund t’i shmangësh asnjëherë njerëzit(vetëm mund të bësh sikur nuk i sheh), prandaj thjesht hidhi në kosh dhe ec drejt vizionit tënd, tashmë të pastër nga njerëzit toksikë. (P.s nëse është ish i mirë, mbaje në kuti qelqi dhe ruaje.)

Puno ose siç parapëlqej të them unë , investo tek vetja
Ku të ikën mundësia nga duart sa hap e mbyll sytë dhe as nuk e merr vesh? Pikërisht në Tiranë. Prandaj gjej një punë, aktivitet, trajnim, hobi (gjumi dhe ushqimi nuk quhen) dhe merru me to. Por të lutem merru me diçka, shihi anën e mirë dhe shtrydh trurin…

Vëri re shenjat, rastësitë vështirë të jenë të tilla
Nëse beson te rastësitë në këtë qytet, përgatitu të thuash 20 herë në ditë “Ua”. Por ja që asgjë nuk ndodh pa një shkak, apo pa dashur që ti të marrësh diçka nga ajo. Prandaj bëhu i/e zgjuar dhe shihi shenjat dhe kapi, përpara se të transformohen në një përbindësh që të përndjek thjesht sepse nuk i dhe vëmendje në kohën e duhur.

Qëndro një fëmijë në shpirt, rritu në mendje
Nuk është e lehtë të jesh duke vrapuar çdo ditë, por ja që duhet. Prandaj e vetmja mënyrë për të jetuar në Tiranë është të qëndrosh një fëmijë në shpirt e të rritesh në mendje. Të gjesh të bukurën, ama të reflektosh nëse është helmuese. Të shijosh nga larg, gjërat që nga afër të lëndojnë. Të jesh me një këmbë në tokë, e një këmbë në qiellin tënd.

Përqafoji njerëzit që do
Kjo nuk ka nevojë për shumë përshkrim, por në qytetin e çudirave njerëzit që do ndodh ti kesh vetëm për një ditë. Prandaj dreqin, përqafoji!

Këto janë pak, por mjaftojnë për të nisur një jetë ashtu siç shijohet vërtet në Tiranë. Pjesën tjetër ta mëson vetë ajo. Kap ritmin. Tirana mund të ecë vërtet shumë shpejt, Tirana mund të jetë vërtetë e madhe, por pa ty nuk është e plotë.

/Blitz.al/

Share