Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqiptarët që nuk ekzistojnë…

Shqiptarët që nuk ekzistojnë…
January 26
12:02 2017

Shqiptarët i gjen sot kudo në të gjithë rajonin, siç janë edhe ata që jetojnë në zonën e Sanxhakut në Serbi. Lidhja e Prizrenit në vitin 1878 e kishte Sanxhakun pjesë të natyrshme të Shqipërisë së katër vilajeteve të bashkuara. Fati i kësaj zone u vulos në 1912-n, kur trupat serbo – malazeze jo thjesht e pushtojnë, por edhe nisin dhunën ndaj shqiptarëve, duke detyruar mijëra të tillë të shpërngulen.

Të mbetur të vetëm, pa asnjë mbështetje, shqiptarët patën vetëm një mundësi: t’i nënshtroheshin një procesi përzierje asimiluese me popullsinë boshnjake. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të qëndruar në Sanxhak. Të mohonin identitetin e tyre të vërtetë.

Sot ata nuk ekzistojnë zyrtarisht, megjithatë nuk kanë humbur. Ka mjaftueshëm fshatra që ende ruajnë gjuhën, zakonet, traditat e vjetra, edhe pse deklarohen si boshnjakë. E kjo sepse edhe sot është sërish më e lehtë të jesh i tillë sesa shqiptar.

Ka fshatra si Uglla, Bashica, Boroshtica, i gjithë Peshteri, por edhe Tregu i Ri (Pazar i Ri), Sjenica, Tutin etj., ku shqipja e ruajtur në trajtën e vjetër pasohet ende brez pas brezi. Por jo vetëm këtu, sepse edhe në fshatra të tjera, siç janë Shkreli, Arapoviç, Tuçillova, Gllogoviku, Rashkoviçi e me radhë, gjurmët shqiptare janë ruajtur edhe pse banorët, të detyruar, u kanë shtuar mbiemrave trajta sllave e ashtu si kudo deklarohen boshnjakë.
Mes shumë të tjerësh këtu gjen mbiemra të njohur, si Dukagjini, Huka, Zogaj, Fetahu, Leka, Shala, që nuk është e vështirë t’i dallosh, pavarësisht ndryshimit.

Nëse në fshatra situata është problematike, në qytetin e Tregut të Ri ajo është dëshpëruese. Mungesa e çfarëdolloj komunikimi në shqip, përplasja me një presion edhe më të madh, ka fshirë shumëçka. Banorët që ende ruajnë elemente të së shkuarës numërohen me gishtat e njërës dorë. Jo se nuk ka shqiptarë, por ata që mbajnë gjuhën janë shumë pak.

Shtëpitë e vjetra në të cilat dikur jetonin familje të shumta shqiptare sot heshtin. Banorët e hershëm ose janë larguar ose refuzojnë të flasin. Mes tyre është familja e futbollistit të njohur të kombëtares serbe Adem Ljajiç, e cili ende është në Tregun e Ri (Pazar i Ri). Rrënjët e tyre janë qartësisht shqiptare nga familja Lajçi, edhe pse ata sot mbahen për boshnjakë dhe origjinën e tyre të vërtetë e pranojnë vetëm nën zë.

Këtu nuk ka asnjë shenjë shqiptare, asnjë simbol, asnjë element, përveç fotografive të ruajtura në çdo shtëpi e të cilat nuk mund të mohojnë veten. Si në fshatra, edhe në qytet, masa dërrmuese në fotografi i kanë paraardhësit me plisa e qefinë. Fakt është se këtu ende, në çdo fshat, zonë apo qytet, shqiptarët janë shumicë dërrmuese, edhe pse askush s’do të dijë për ta.

Boshnjakët janë treguar, për një sërë arsyesh, më të shpejtë dhe efikasë në këtë situatë, duke e kthyer Sanxhakun në një mjet presioni ndaj shtetit serb në baraspeshim të Republika Sërpskas që ndodhet brenda territorit të tyre. Pra, nëse Serbia ngre zërin për serbët e Bosnjes, ata i përgjigjen me banorët e këtushëm. Në këtë situatë vetëm institucionet zyrtare shqiptare janë jashtë loje dhe nuk kërkojnë asnjë të drejtë për ta, kur në të gjithë Sanxhakun ka më se 250 mijë e më shumë banorë.  E shumë e shumë prej tyre janë shqiptarë.

E si mund të pretendosh që ata të zgjohen kur nuk kanë të drejtë shkollimi në gjuhën e tyre, kur askush nuk ka ardhur t’i shohë, t’i mbështesë apo qoftë t’i takojë, për më tepër që ata nuk ekzistojnë, edhe pse janë qartazi shqiptarë?/Blitz.al/

Komento
Shperndaje