Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqiptarët, politika dhe cicërimat e zogjve

Shqiptarët, politika dhe cicërimat e zogjve
March 31
15:19 2017

Nga Elton Dono

 

Shkova.
Pashë.
Ika i qetë.

Politika shqiptare bie erë e nuk mendoj se ka ndonjë shpresë për të ndryshuar.
Por nëse nuk e sheh nga afër s’mund ta kuptosh.
Nëse e kupton, ikën i qetë se hoqe një peng se ndoshta diçka mund të bëhej për këtë vend.

Makiaveli e shkroi te “Princi” i tij se politikanët (ish-princërit e dikurshëm) janë hiena që shqyejnë njëri-tjetrin dhe janë gati të pushtojnë, vrasin e përçudnojnë ç’ka u del para për pak pushtet.

Por prapëseprapë është një ZË që të thotë se ndoshta diçka mund të ndryshojë, në një vend falsë, me parti false e njerëz të programuar e rritur për të qenë aty ku janë. Politikanë që financohen nga disa grupe interesi, për të marrë frenat një ditë.

Nëse merremi më pak me politikë e më shumë me veten tonë do të ishte më mirë.

Le t’i flakim këta “shpëtuesit” e kombit në një cep të errët, të luftojnë me demonët e vetes së tyre, për ta kuptuar se ne nuk kemi nevojë për një kafshatë bukë që na servirin ata me angazhimet partiake, por ne jemi njerëz me dinjitet, të lirë dhe me mendime e vlera personale.

I kam zili ata njerëz që nuk merren fare me politikë. Ata që shijojnë në qetësinë e tyre barin, lulet, cicërimat e zogjve.
Ata e kanë njohur lumturinë dhe përjetësinë.
Ata jetojnë realisht. Të tjerët sa tregojnë mllefin, dufin, gjejnë vendin për të shprehur energjitë negative.
Duan të shfaqen, të duken, bëjnë spektakël para të tjerëve, syve që i shohin me kërshëri.
Duan të ngrenë emrin e tyre në piedestal.
Duan të mos harrohen.
Vetëkënaqen, duke marre dikë nëpër gojë, ndërkohë që jeta e tyre mund të jetë shumë bosh.

A mos duhet ta pyesim veten herë pas here se çfarë duam në të vërtetë?
Kush jemi?

Kur ta kuptojmë këtë besoj do jemi më mirë.
Të paktën të tentojmë ta pyesim veten.

Nëse jo, thjesht frymojmë!

Shperndaje