Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqiptarët kafshëdashës? Haaa! Shumë e bukur për të qenë e vërtetë!

March 24
14:50 2018

Ashtu siç çdo kauzë tjetër, ditët e fundit ka filluar të (ri)aktivizohet kauza për mbrojtjen e qenve të rrugës dhe një fushatë e egër kundrejt të gjithë atyre që janë pro rehabilitimit të kafshëve të rrugës.

Kjo nisi nga një postim i Fatmës së Thumbit në Instagram, ku ngrinte zërin për këtë çështje sepse një tufë qensh rruge kishin sulmuar bashkëshortin e saj në një prej zonave më të populluara të kryeqytetit.

Dhe papritur shqiptarët u bënë kafshëdashësit më të mëdhenj të globit! Voilaaaa! U arrit kjo ditë! Por jo!

Në fakt, kisha menduar që të mos shkruaja qoftë edhe një rresht për këtë temë sepse çudia më e madhe 3 ditë zgjat këtu dhe sado që të flasim, komentojmë, shajmë, lavdërojmë, ironizojmë, sërish asgjë nuk do të ndryshojë. Do të vazhdojë e njejta situatë.

Ama, më bëri shumë përshtypjë që të gjithë ne qenkemi bërë shumë, SHUMË kafshëdashës sa nuk lejojmë kurrësesi që qentë e rrugës të rehabilitohen, por të bashkëjetojnë me ne tufa-tufa në rrugë, lagje, pallate… e nesër do na futen edhe në shtëpi.

Organizata më e madhe për mbrojtjen e kafshëve në vend, ARSA çoi dikë nga Korça në debat publik te emisioni RUDINA, dhe nëse ai është qëndrimi i kësaj organizate, që vetquhet simotër e PETA-s, organizata më e madhe për mbrojtjen e kafshëve, atëherë kemi një problem të madh!

Së pari, habitati i atyre qenve nuk është koshi i plehrave, nuk është as fusha sportive, nuk është as shkalla e pallatit, nuk është as oborri i shtëpisë. është ekuacion i thjeshtë. Atyre u duhet një strehim, të cilin e kanë të pamundur ta sigurojnë vetë.

Sigurisht, askush nga ata që janë gati të na hedhin si ushqim për qentë nuk kanë këllqe mjaftueshëm për të adoptuar një qen rruge sepse u duhet minimalisht 4 muaj për të larguar të gjitha viruset e bakteret që rruga u ka injektuar. Vitin e parë duhet kujdes i paparë për të shmangur tërbimin, sidomos muajt e verës. Dhe e fundit, po jo më pak e rëndësishmja, u duhet përkujdesje e dashuri. Që jam 110% i sigurt që asnjëri prej tyre nuk është i gatshmë t’ua japë falas (se duhet një zemër e pastër për të tilla gjëra).

Së dyti, ndërtimi i strehave në periferi të qyteteve nuk është mision i pamundur. Fondet që vijnë për organizatën simotër të PETA-s nuk janë aspak të vegjël. Përkundrazi!

Dhe meqënëse të gjithë janë kaq të dashur me qentë, eja të paguajmë taksën e 1001-të për bashkinë apo qeverinë për ndërtimin apo mirëmbajtjen e strehave. Se nëse paguan çdo taksë të mundshme (përveç asaj të ajrit) je gati të paguash edhe 2 lekë për qentë që i doni kaq shumë!

Së treti, Stambolli nuk ka asnjë qen në rrugë, se është qyteti i maceve. Unë nuk di që macet e rrugës bashkëjetojnë me qentë, ndoshta në Bang Bang apo Cartoon Network. As Milano nuk ka qen rrugë. Parisi jo e jo. Londra yhyyyy. Berlini. Tokio. Rio de Janeiro ndoshta në lagjet e varfëra. Sepse është e thjeshtë miqtë e mi. Tufat e qenve janë turma. Turmat udhëhiqen nëpërmjet instiktit. Dhe instikti është nevojë për mbijetëse. Kur bie çështja te mbijetesa ata janë gati të vrasin llojin e tyre, jo ty e mua që na konsiderojnë armiq. Armiq sepse ne u kemi zënë territorin. Dhe territori, është ligji bazë i natyrës dhe i biologjisë. Nëse shkel territorin e tjetrit je i mbaruar! Prandaj dhe bota ka zona të posaçme, larg qendrave të banuara, me hektarë të tërë që janë vetëm për qentë. Që të mos rrinë rrugëve dhe të shkaktojnë horrore që ARSA apo injorantët me smartphone as nuk i kanë imagjinuar!

Në streha rritet, steriliozohet (min. i çmimit të sterilizimit është 3 mijë lekë të reja, pra jo aq lirë), ushqehet, mirëmbahet, derisa ndërron jetë. Nese ti i do aq shumë, je i lirë edhe të adoptosh në bazë të kushteve dhe termave të pranimit që ti firmos.

Së katërti, vrasja nuk është kurrë opsion! Nëse problemi këtu është që bashkia, Veliaj apo istancat e tjera kanë qëllim vrasjen e qenve dhe jo rehabilitimin, atëherë unë i pari, ato pak ndjekësit e mi, 9 mijë ndjekësit në Instagram të ARSA-s dhe mijëra të tjerë në Facebook dhe të gjithë ata, që tani janë gati të më hedhin edhe mua të gojët e qenve për këto që sapo shkruajta mund të zëmë derën e kujtdo institucioni derisa të jepet llogari për këtë! Ashtu siç bën PETA në çdo rast! Në çdo RAST!

Së pesti, dua të theksoj që ARSA bën një punë të madhe me kafshët për përkujdesjen e tyre, ruajtjen, rritjen dhe për këtë meriton edhe mbështetjen tonë. Ama, mënyra aspak qytetare, sulmuese, ofenduese dhe joetike e komunikimit e tyre nuk është e denjë për organizatë që filozofi të tyren kanë kafshët.

Nëse kemi kaq shumë dashuri për qentë, pse çdo rrugë nacionale, çdo autostradë, çdo rrugë kryesore ka më shumë trupa kafshësh të ngordhura, të copëtuara se sa sinjalistikë rrugore?

Nëse i duam kaq shumë kafshët, pse shumica e shqiptarëve i mbajnë të lidhur qentë 24 orë për 7 ditë dhe madje harrojnë t’i ushqejnë?

Nëse i duam kaq shumë qentë, pse dreqin i mësojmë fëmijët të mos i duam kafshët?

Nëse i duam kaq shumë kafshët, pse kemi një zemër kaq të zezë sa të mallkojmë fëmijën e dikujt deri në vdekje sepse ankohet për “gang”-et e katërputroshëve?

Se mesa di unë, çdokush që ndjen dashuri për 4 putroshët, e ka të pamundur të urrejë njerëzit!

Se mesa di unë, shumica e popullit tonë historikisht është kundër kafshëve!

Se mesa di unë, të kujdesesh për një qen, mace, çfarëdolloj kafshë do këllqe! Do b*le! Dhe shqiptarët nuk shquhen për të tillë… se përndryshe nuk do të ishim duke diskutuar mbi injorancën që ulet këmbëkryq në familje dhe villet frikshëm në çdo rrjet komunikimi!
Për ta mbyllur, dua të shmang komentet personale sepse shumëkush mund të mendojë se është konflikt i pastër interesi, por në të vërtetë nuk është aspak!

Kam rritur 3 katërputroshë të marrë nga koshët e plehrave ndryshe nga ata që vjellin vrer me dashurinë e tyre për qentë, që me siguri nuk janë kujdesur qoftë edhe një herë për dikë apo për një putrosh.

Por duket se, para se të ndihmojmë kafshët, na duhet të shpëtojmë shoqërinë tonë nga analfabetë funksionalë dhe injorantë të paskrupujt që nuk dinë çfarë është argumenti, ideja dhe pasoja.

Uroj që të mos përballeni kurrë me një turmë qensh se më pas do t’i urreni. Se sigurisht, problemi juaj dhe i vetëm i juaji, do t’u faturohet atyre!

Kështu që, në vend që t’i urojmë Fatmës, Gentit, filanit e fistekut vdekjen, ejani të mblidhemi dhe t’u gjejmë një zgjidhje atyre që me të vërtetë mund të jenë miqtë tanë më të mirë… sigurisht, nëse do të kemi këllqe, edhe pse dyshoj!

 

*Një qytetar injorant që ka ditur të gjejë të mesmen e artë midis dashurisë për kafshët dhe njerëzit… aty ku dështon ARSA dhe shumica jonë: Andi Vrapi! /Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje