Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Shqiptarët e Mavrovës

Shqiptarët e Mavrovës
August 23
10:20 2017

Nga Marin Mema

Reka e epërme, jo larg Dibrës së Madhe dhe dikur pjesë e natyrshme e saj, ka pasur fshatra të shumtë të cilët, sipas të dhënave, në masën 80 për qind jetoheshin nga shqiptarë të besimit ortodoks dhe atij mysliman. Fillimisht bullgarët e më pas serbët vijuan skemën për asimilimin e këtij komuniteti. Gjithçka nisi masivisht në fillimshekullin e 19-të, u ndal disa kohë për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe mori trajtë të plotë e të dhunshme sidomos pas krijimit të Jugosllavisë ose më së qarti pas prishjes së Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës me Jugosllavinë e Titos. Presioni i vazhdueshëm, dhuna në ndryshimin e mbiemrave, shkollimi i detyrueshëm vetëm në gjuhën sllave e më pas edhe joshja me mënyra të ndryshme çoi në një proces asimilimi dhe largimi masiv. Kjo ishte e vetmja zgjidhje për këtë zonë të thellë, por me zemër të madhe, që përballoi shumë mbi kryet e saj duke nisur nga humbja e detyruar e identitetit kombëtar. Sot masa dërrmuese e fshatrave të Rekës është e zbrazët pasi shumica e banorëve janë larguar. Mes tyre vetëm Mavrova vazhdon të ruajë ritmin, duke pasur një numër të konsiderueshëm banorësh e kjo falë turizmit.

Parku Kombëtar i Mavrovës i shpallur i tillë në vitin 1949 shtrihet në një hapësirë të gjerë ku natyra e paprekur ofron bukuri të rralla me florë dhe faunë mjaft të pasur si në të gjithë Rekën e epërme. Banorët të flasin në masë dërrmuese shqip, edhe pse nuk pranojnë të jenë të tillë. Shqiptarë në rrënjë me gjuhë shqipe dhe jo shqiptarë sot edhe pse gjuha është po aty.

Mjafton një kredhje bizneseve të zonës për të kuptuar e për të prekur të vërtetat e tyre, gjuhën shqipe që, siç thonë edhe vetë, e kanë ruajtur brez pas brezi.  Por nëse nga njëri krah të bëjnë këtë pohim, në tjetrin të thonë se janë maqedonas. Askush nuk duhet të habitet, sepse ata e kanë fshehur thellë identitetin e tyre, aq thellë sa të mohojnë edhe gjuhën e mëmës siç edhe sot e identifikojnë, shqipen. Edhe pse nëpër shtëpi kanë dëgjuar të flitet shqip, jashtë nuk guxonin, aq më tepër që gjithkund u thuhej se janë maqedonas. Ndarja fetare ka qenë ajo që ka ndikuar më shumë. Makineria e propagandës ka dhënë rezultatet e saj. Shumica e banorëve të flasin në gjuhën shqipe, ka të tjerë që dukshëm të kuptojnë, por nuk duan të përgjigjen. E pavarësisht kësaj ajo pasohet natyrshëm edhe pse shkolla nuk ka pasur kurrë apo banorët detyroheshin dhunshëm te mos flisnin as rrugicave të fshatit gjuhën e tyre.

Për të gjetur Rekën, Mavrovën e dikurshme, mjafton të shikosh fotografitë e vjetra. Dasmat karakteristike, luftëtarët, banorët e këtyre zonave e gjithçka tjetër flet për identitetin e tyre përmes veshjeve e traditave të shumta.  Sigurisht, ka shkuar kohë që nga kryengritja e 1913-s që vinte si pasojë e shkëputjes nga toka amë. Një kryengritje që nisi nga Dibra e arrinte deri në malin e Prishtinës, të Manastirit, Velesit, Gostivarit, Strugës e kështu me radhë.  Ishte 26 – 28 shtatori i atij viti kur luftimet më të ashpra u bënë pikërisht në Mavrovë e Kërçovë, ku trupat kryengritëse morën gjithçka nën kontroll duke kërkuar bashkimin e menjëhershëm me Shqipërinë ç’ka tregohet edhe në dokumente të shumta që gjenden lehtësisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Më se 104 vite më pas, shumëçka ka shkuar, është shuar, është mbuluar ashtu si mjegulla që duket sikur do të përpijë gjithçka, edhe historinë.

Ka studiues që mendojnë se në Maqedoni jetojnë më se 70 mijë apo edhe më shumë shqiptarë të fesë ortodokse. Megjithatë, nëse shqiptarët ortodoksë do të zgjoheshin ekspertët thonë se numri i popullsisë maqedonase do të binte deri në 3 apo 4 për qind me të cilin do të rritej ai shqiptar. Në këtë pikë nuk duhet harruar se shifrat e deritanishme, edhe pa shtuar ortodoksët apo katolikët, janë krejtësisht të ndryshme për shqiptarët. Ata në përqindje janë shumë më shumë nga sa deklarohet zyrtarisht nga autoritetet e vendit fqinj. /Blitz.al/

Share