Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqiptarët dhe arti i tyre i humbur

Shqiptarët dhe arti i tyre i humbur
January 03
16:02 2017

Ah, sa temë e bukur! Në fakt, nga titulli të gjithë presin që ky artikull të fillojë të shtjellojë faktin pse këto 20 vitet e fundit Shqipëria ka mbetur pa art të mirëfilltë, pa kulturën e saj të vërtetë, pa identitetin që për  vite me radhë shqiptarët kanë pasur dhe artikulli të vazhdojë duke degjeneruar këtë gjeneratë kopjacësh, që nuk dinë të bëjnë muzikë “si ajo e vjetra”, por dinë vetëm të zhvishen, nuk kanë më tekste si ato të vjetrat poetike, por dinë vetëm të përdorin nëpër këngë zhargon rruge dhe dialekte veriu…  E kështu me radhë.

Por jo, më vjen shumë keq por jo, ky artikull u drejtohet të gjithë nostalgjikëve të artit të vërtetë (sipas tyre), pasi duhet të mësoni se arti i humbur shqiptar nuk është ai që pretendoni ju “pleqtë” e sotëm të na e servirni si gjënë më të bukur në botë, sepse ashtu si çdo gjeneratë edhe ju kishit krijimet tuaja të asaj kohe dhe po, është e vërtetë që nuk ngjajnë fare me këto të sotmet, pasi disa prej tyre kanë qenë shumë të shëmtuara, shumë më keq se këto të sotmet dhe janë harruar edhe nga vetë ju. Ndërsa të tjera që kanë pasur vlera vazhdojnë dhe këndohen, por gjithmonë si këngë të vjetra, jo si trendi i sotëm, sepse është idiotësi ta mendosh një gjë të tillë; pikërisht siç ka ndodhur në ato kohë vazhdon të ndodhë edhe sot me brezin tonë dhe do të ndodhë njëlloj me brezin tjetër që do të vijë. Nuk janë të gjitha këngët e brezit tonë perla, por janë këngë që na argëtojnë, na bëjnë të kërcejmë, të kënaqemi teksa i dëgjojmë dhe nuk kanë bastarduar aspak muzikën tuaj, sepse s’kanë lidhje me të, as nuk konkurrojnë me të. Por egoizmi juaj nuk po na lë rehat t’i shijojmë dhe të besojmë që kjo është muzika e brezit tonë, ndërsa ajo që ju pëlqeni është muzika e brezit tuaj. Ju dëshironi me këmbëngulje të na bindni se edhe ne duhet të mendojmë që muzika që ju keni bërë është mrekullia e artit edhe sot dhe ne nuk duhet as të shijojmë një krijim që nuk i përngjan asaj që ju e quani art.

 

Pse nuk e lejoni këtë brez të ndërtojë historikun e tij muzikor? Pse duhet të ndikohemi dhe të pëlqejmë patjetër këngët tuaja komuniste me ndikim rus, kinez e më vonë edhe italian? Pse na trajtoni sikur kemi lindur në Paris dhe dëshironi që edhe 20- vjeçarët të sillen si 60-vjeçarë, që nga halli se nuk kërcejnë dot, mundohen të dëfrehen me muzikë qetësuese klasike, opera apo balet? Pse doni të bëheni më francezë se vetë francezët, fëmijët e të cilëve nuk i shoqërojnë prindërit apo gjyshërit nëpër opera, por ashtu si neve hallakaten edhe ata nëpër disko duke dëgjuar këngë të gjeneratës së vet pa ndonjë tekst filozofik dhe pa notat klasike apo nacionale të vendit të tyre, përkundrazi dëfrehen me muzikën që ka tekste me zhargon të rrugës? Pse doni të na trajtoni si të tredhur apo impotentë, që ngushëllimin e gjejnë vetëm te harqet e Bethovenit apo në tekstet dhe poezitë e lodhura klasike? Me gjithë respektin që kam për të madhen Vaçe Zela, pse jeni kapur pas saj duke pretenduar të na bindni se në lokalet dhe “club”-et e Shqipërisë duhet të argëtohemi dhe kërcejmë me këngët e saj, “Lemza” apo “Mesnatë”, apo me këngë të tjera të atij brezi, sepse ndryshe Shqipëria nuk ka art?

 E kush ju tha juve, gjenerata e plakur (disa prej jush para kohe) që jeni arti i sotëm? Ju jeni arti i së shkuarës! Sot arti bëhet ndryshe, nguleni në kokë këtë dhe mjaft me teoritë e dështakëve që nëse një material muzikor është komercial apo pëlqehet nga masa nuk ka më art brenda tij, sepse e vërteta është krejt ndryshe. Nëse në një material muzikor përfshihen ato teknika muzikore që ju i quani vlera, ajo këngë është e vdekur, ashtu siç edhe ndodh rëndom me të gjitha këngët e festivalit në TVSH p.sh., të cilit që nga dita kur u shfaq konkurrenca dhe u thyen kufijtë e përkufizimit krijues i kanë mbetur nja 7-8 këngë që mbahen mend nga 20 vite histori. Të tjerat janë fshirë jo vetëm nga memoria e popullit, por edhe nga e juaja, që megjithatë vazhdoni të këmbëngulni që arti dhe muzika e vërtetë është bërë “në atë kohë”.

Mjaft na lodhët me teori nga divani se nuk po na lini të zgjedhim artin që ne duam! Ndërgjegjësohuni që jetojmë në 2017-n dhe ashtu si çdo gjë tjetër, edhe arti ynë do të evoluojë. Po mbeti gjë nga gjenerata jonë mirë, në të kundërt do të krenohemi me atë tuajën ose do t’i lëmë radhën një tjetër brezi që do të bëjë më mirë sesa ne. Por ju lutem mjaft u munduat t’i humbisni vlerat çdo krijimi që realizohet sot me egoizmin tuaj për të mos hapur rrugë ngaqë s’ju pëlqen juve, sepse kështu po u humbisni shqiptarëve mundësinë për të krijuar historinë mbi artin e ditëve të sotme. Një këngë, nëse ka vlera, do të mbetet dhe do të këndohet, doni apo s’doni ju, ashtu si edhe ato që nuk kanë vlera do të zhduken vetë me kalimin e kohës, sado të mundohen të përshtaten me artin e vërtetë apo anasjelltas. Ju mbetet të dëgjoni dhe të na mbështesni, pastaj, nëse nuk ju pëlqejnë, injorojini dhe kthejuni Radio Tiranës, por mos u mundoni t’i përbaltni ose nënvlerësoni krijuesit e sotëm, sepse atëherë ky do të jetë arti i humbur i shqiptarëve, pasi ai i juaji ka lënë gjurmë për aq vlera sa kishte.

P.M.

Shperndaje