Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqiptarë filozofë të Facebook-ut: fjalët nuk largojnë ujin, çizmet e llastikut po!

Shqiptarë filozofë të Facebook-ut: fjalët nuk largojnë ujin, çizmet e llastikut po!
December 01
14:21 2017

Brenda 24 orëve të fundit kanë ndodhur dy përmbytje në Shqipëri: shirat e rrëmbyeshëm që kanë shkatërruar çdo gjë dhe shirat e Facebook-ut që me një shpejtësi të paparë kanë vërshuar në ‘muret’ virtale të të gjithëve ne.

Por ka një ndryshim mes dy rrembeshëve. Ai i pari dhe i vërterti, na prek zemrën, na bën të mendojmë dy herë për gjithçka bëjmë, gjithçka vendosim të votojmë dhe gjithë llogaridhëniet që nuk i kemi kërkuar ndër vite nga të gjitha qeveritë që kemi pasur mbi krye. Ndërsa shiu i dytë virtual, të provokon vetëm të vjella, sidomos kur thirrjet e tyre bajate shoqerohen edhe me pikëçuditëse dhe shënjestrim të emrave të politikanëve që janë më në qendër të vëmendjes për momentin, (edhe pse minimalisht që Edi Rama apo të tjerë si ai të mund ta lexojnë reagimin tuaj ju duhet t’i bëni edhe tag).

Kemi një shprehje ne shqiptarët që zë vend në këto raste: “Fshati digjet, k*rva krihet”. Që do të thotë: atyre që ju dhimbsen të gjithë ata që fatkeqsisht po humbin shtëpitë apo objektet e tyre të shtrenjta, dhembjen mund ta shprehin edhe duke dhënë një dorë ndihmë sepse me anë të një statusi në Facebook përveç disa ‘like’-eve nga ndjekësit e përhershëm, gjë tjetër nuk bëjnë.

A ka vend për të sharë qeverinë dhe punonjësit e administratës të cilët kanë qenë të pakujdesshëm për të parandaluar skandalin? Sot jo, ama dje po. Dje dhe për çdo ditë që ka kaluar që nga hera e parë (jo më larg se një vitë më parë) kur ndodhi sërish e njëjta situatë. A protestoi dikush që atëherë? A iu kërkua llogari këtyre personave gjatë fushatës që ata bënë në qershor lidhur me parandalimin e këtyre rasteve? A i kritikoi dikush për çka s’kishin bërë? Epo, nëse përgjigjiet e gjithë këtyre pyetjeve janë jo, atëherë mbylle gojën edhe sot, ashtu siç ke bërë përgjatë gjithë këtij viti dhe nxirr çizmet e llastikut nga dollapi ku i ke mbyllur prej vitesh dhe së paku, shko jep një ndihmë.

Shumica prej nesh janë shumë hipokritë, aq sa nuk e ndjejmë realisht dhembjen që tregojmë në Facebook se kemi. Nëse do të ndjenim vërtetë dhembje, me siguri do të kishim bërë diçka. Ne jemi indiferentë sepse neve nuk na i ndjen as për tjetrin, as për veten. Ne jemi indiferentë sepse të tillë jemi mësuar: ballafaqohemi me rrezikun kur ai vjen, nuk marrim masa ta parandalojmë thjesht sepse s’kemi nerva të merremi.

Ne të tillë jemi dhe kur kemi një problem shëndetësor. Shkojmë dhe vizitojmë mjekun pasi na ka rënë infrakti kardiak, sepse kur shenjat na jepen thjesht i injorojmë sepse ne jemi ‘gjithologë’ dhe nuk kemi nevojë për mendjen e dikujt tjetër për të na udhëhequr. As kur bëhet fjalë për mjekun, as kur bëhet fjalë për shëndetin tonë dhe të atyre që duam më shumë.

E në këtë babëzi egoiste për të mos u ankuar (sepse kush ankohet ende quhet qullac dhe që nuk di të nxjerrë qimen nga qulli vetë) dhe për të zgjidhur gjithçka sipas mënyrës tonë, ashtu i ndërtojmë dhe shtëpitë dhe punët dhe jetët tona: duke bërë si dimë vetë. Qeveria, punonjësit janë në gjenezë të këtij problemi, por të mos harrojmë për asnjë çast të kthejmë edhe fajin nga vetja sepse për dy kosto më pak, për dreq shkojmë dhe blejmë ato tubat më të lira, të cilat në këto raste janë të parat që prishen dhe të bëjnë gjëmën.

E sigurtë që dhe reagimi im ndaj gjithë atyre filozofëve të Facebook-ut sot, ngjason njësoj patetik, por gjithsesi vendosa të shkruaj këto rreshta për Blitz.al sepse ndoshta pas 3 ditësh, kur gjithçka të ketë përfunduar, dikush do ta lexojë e kjo mund të kthehet në një arsye për ta parë dhe një herë veten në pasqyrë e për të reflektuar kur pas rrebeshit të vijë qetësia. Për të kthyer sytë tek gjithçka na rrethon e ndodh, të mendojmë pak më tepër herën tjetër kur të votojmë duke bërë gallatë tek kutia e votimit apo më keq akoma, kur e shesim këtë të fundit për 2 mijë lek të reja a një thes miell.

Ndërkohë, jam plotësisht e vetëdijshme që nuk i kam veshur këpucët e llastikut për të ndihmuar dhe kjo mbetet zgjedhje e gjithësecilit, por njëkohësisht jam plotësisht e vetëdijshme që të paktën ata që nuk janë lagur apo prekur ende nga kjo katastrofë nuk do iu përzihet as stomaku dhe as mendja nga një status patetik i imi mbi sharje e shpëlarje virtuale ndaj shtetit.

Shqiptarë, mësohuni të mos kërkoni vëmendje në raste tragjedish me fjalë e filozofi të panevojshme. Shkoni ndihmoni e kur ta bëni këtë, me qejf do jua kisha bërë ‘like’ postimin nga vendngjarja: por ngrohtë, pranë kondicionerit, veshur me çorape e një celular në duar duke shkruar disa fjalë e duke bërë oratorin, keq më vjen t’jua them kaq hapur, por jeni të pështirë. /Blitz.al/

Sara Mila

Shperndaje