Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqiponjat e Kastriotëve në Himarë

Shqiponjat e Kastriotëve në Himarë
March 15
22:58 2018

Nga:Marin Mema

Vdekja e Gjergj Kastriot Skënderbeut solli pas një sërë dinamikash të reja që përfshinë trojet arbërore por edhe më tej akoma. Është pikërisht koha kur ekspansioni i trupave osmane nisi të kthehej në një kërcënim edhe për Italinë, ku pasi pushtuan lehtësisht Otranton, projektuan edhe avancimin e mëtejshëm në territoret e mbretërisë së Napolit. Por rrezikun filluan ta ndjejnë edhe mjaft qendra të tjera europiane të cilat pas vdekjes së Skënderbeut dukeshin tërësisht të pambrojtura. Shpresa e vetme për të gjithë ishte hapja sërisht e një fronti në Arbëri…

Në të tilla kushte, një tjetër Kastriot u kthye në mundësinë për t’ia dalë mbanë. Kështu, Gjonit, të birit të Skënderbeut iu besua udhëheqja e një kryengritje të madhe që përfshiu mbi 50 fshatra të Labërisë. Ishte viti 1480, kohë kur fill pas rënies se Krujës dhe të Shkodrës, Himara u bë qendra e rezistencës antiosmane. Himariotët zgjodhën për t’i prirë pikërisht djalin e Skënderbeut, Gjon Kastriotin, i cili në krah do të kishte një tjetër arbëror të famshëm të kësaj periudhe, Krokodil Kladhën. Ky i fundit, rridhte nga një familje e madhe dhe e njohur arbërore nga Himara dhe prej kohësh ishte kthyer në makthin e hordhive osmane në Peloponez. Përpos të tjerave, një luftëtar i tillë, i lidhur fort pas rrënjëve nuk mund t’i mungonte planit të ri për çlirimin e Himarës dhe Arbërisë në tërësi.

Por si rrodhën ngjarjet dhe a patën ato një kulminacion apo fati kishte rezervuar një fund të hidhur?

Gjon Kastrioti së bashku me Krokodil Kladhën dhe Kostandin Muzakën arritën të marrin kalanë e Himarës, e veç saj edhe atë të Sopotit, apo Borshit siç njihet mësë shumti. Në fakt forcat osmane pësuan humbje turpëruese, çka solli reagimin e Sanxhakbeut të Vlorës. Ai u nis vetë në krye të një force të madhe ushtarake për të shuar kryengritjet dhe për të vënë nën kontroll territoret e humbura, por shqiptarët me në krye Gjon Kastriotin diku në Qafën e Llogarasë i thyen ushtritë osmane duke vrarë rreth 1 mijë ushtarë dhe duke zënë rob 500 të tjerë. Po kaq i hidhur ishte edhe fati i Sanxhakbeut, i cili pasi u zu rob, ju dergua mbretit të Napolit si trofe.

Për fat të keq, sukseset nisën të zbehen në vitin 1483 si pasojë e paqes mes osmanëve dhe mbretërisë së Napolit, duke shtuar presionin ndaj arbërorëve të cilët mbetën pa asnjë mbështetje. Në 1484 ofensiva e osmanëve ripushtoi Himarën dhe zonat e tjera të çliruara. Në këtë moment fatkeq disfate mbeti rob edhe prijësi arbëror Krokodil Kladha të cilin e rropën të gjallë dhe i prenë mishin në copa.

Por çfarë ndodhi me Gjon Kastriotin, a pësoi edhe ai një fund po kaq të tmerrshëm?

Gjoni dhe disa prej mbështetësve të tij u larguan sërisht në Itali, gjithësesi marrëdhëniet mes Himarës dhe familjes së Skënderbeut nuk u ndërprenë. Këtë e dëshmon edhe ekzistenca e një kishe shumë të lashtë në Himarën e vjetër, ku janë gdhendur më pas dy shqiponja mbretërore, përfaqësuese të Kastriotëve dhe jo simbole të zakonshme të kishës ortodokse. Ky simbol për fat të mirë nuk ka humbur as sot edhe pse ndoshta jo pa qëllim është dashur të mbulohet me një bojatisje të shëmtuar dhe pa sens. Nuk dihet se përse ka ndodhur, ndonëse mund të vetëkuptohet, se çfarë fshihet pas qëllimit për të mbuluar këtë stemë përfaqësuese të pasardhësve të Skënderbeut dhe që konkretisht përkon me ngjarjen e ardhjes së Gjon Kastriotit në Himarë.

Nëse dikur kisha peshkopale e Shën Sergjit dhe Bakut ishte vendi ku pleqësia e krahinës së Himarës dhe gjithë Labërisë mblidhej për të marrë vendimet e rëndësishme për luftrat e mëdha të organizuara në këto anë, sot për paturpësinë e organeve përkatëse ky objekt kulti duket sikur do të bjerë nga çasti në çast./Blitz.al/

Komento
Shperndaje