Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqipëria, vendi i tulipanëve…

September 25
13:11 2016

Nga Marin Mema

Një nga vlerat më të veçanta të natyrës shqiptare është edhe tulipani. Për disa kjo mund të duket e çuditshme, në mos çmenduri, por në fakt është e vërtetë. E këtu nuk flitet për një lloj të vetëm, por për disa të tillë që i rendisin trojet shqiptare ndër më të pasurat më këtë lloj bime në Europë.

Vetëm deri pak kohë më parë bota njihte 113 lloje tulipanësh, por duke qenë se shumë prej tyre janë zbuluar herët, pasi në Europë ata kanë mbërritur që në shekullin XVI, një grup ndërkombëtar ekspertësh kreu analiza morfologjike dhe gjenetike të reja të specializuara. Numri i tulipanëve u tkurr në 76, mes të cilëve renditet edhe tulipani shqiptar. Ky i fundit rritet në një oaz, për fat të keq, të pambrojtur në zonën e Surrojit në Kukës. Ndaj tij ka pasur një promovim minimal, për të mos thënë që ai pak njihet nga publiku i gjerë.

Interesant është fakti se tulipani më i afërt në ngjashmëri me atë shqiptar gjendet në Iran dhe Kazakistan, por nuk ka ardhur nga këto zona. Pas analizave gjenetike, pesha e ADN-së kromozomike ka rezultuar më e vogël sesa simotrat, çka, sipas ekspertëve, tregon se tulipani shqiptar është më i vjetër sesa të ngjashmit e tij.

Tulipani që u zbulua për herë të parë nga botanisti Besnik Hallaçi rritet jo thjesht në një zonë të kufizuar, por edhe numri i vogël i individëve të gjetur e bën atë që të jetë një lloj në rrezik, duke u listuar kështu edhe në llojet e mbrojtura nga Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës (IUCN).

Prof. dr Lulëzim Shuka, i cili ka meritën e zbulimit, së bashku me botanistë të huaj dhe vendas, të 5 llojeve bimësh të reja për shkencën, shpeshherë e ka ngritur zërin për këtë çështje, por deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar. Tulipani shqiptar vazhdon të jetë në rrezik, përderisa territori ku ai rritet është nën ndikimin e aktiviteteve minerare dhe njerëzore. Do të mjaftonte që kësaj zone, që nuk është më shumë se 2 mijë metra katrorë majë një kodre, t’i jepej një status i veçantë mbrojtjeje për shkak sepse në të njëjtën sipërfaqe rriten natyralisht edhe shumë lloje të tjera bimësh, me rëndësi për florën tonë dhe atë ndërkombëtare.

Pikërisht në këtë hapësirë kaq të vogël rriten edhe 12 lloje të tjera bimësh të rralla dhe endemike, si Boshtra (Forsythia Europaea) që në gjendje natyrale rritet vetëm në Shqipëri e po kështu Kokoçeli Shandan, Genciana e Nopçes, Gladiola ilirike, Petrik i Merksmullerit, Sanguisorba shqiptare, Grosha e egër, Tulipani i pyllit me verdhësinë e tij karakteristike e mjaft lloje të tjera të rralla. Ndërsa në zona të tjera shumë afër me të, rriten edhe manushaqja e Malit të Runës (Viola Raunsiensis), Kokoçeli i Vllakohorit (Centaurea Vlachorum) etj.

Llojet bimore ose shtazore endemike apo afër endemike që rriten brenda territorit shqiptar janë një pasuri e trashëgimisë sonë natyrore, e cila duhet të vlerësohet dhe promovohet jo vetëm si thesar i kulturës dhe natyrës sonë, por edhe si pjesë e shkencave tona albanologjike. Në këtë drejtim, shteti shqiptar, Ministria e Arsimit dhe Akademia e Shkencave duhet të tregohen aktive në mbështetjen e kërkimeve shkencore dhe promovimin e këtyre thesareve.

Në viset shqiptare rriten plot pesë lloje tulipanësh. Veç tulipanit shqiptar dhe atij të pyllit kemi edhe tulipanin kosovar, që i përket zonës së malit të Koznikut në Rahovec dhe po ashtu tulipanin e Sharrit. Ndoshta do të dukej e habitshme, por ka edhe përpjekje manipulimi përmes pasurisë natyrore. Mjafton të identifikosh tulipanin serb, i cili edhe pse emrin e ka marrë të tillë rritet në zonat e Mitrovicës Veriore dhe në Pashtrik të Kosovës, pra pa asnjë lidhje me territoret serbe. Ky i fundit përbën tulipanin e pestë që rritet në viset shqiptare.

Edhe më ironike bëhet gjithçka kur mendon se si llojet tona të tulipanëve kultivohen në kopshtet botanike të Kopenhagës dhe Stokholmit, ashtu siç ruhen edhe mostrat e tyre të thata si mundësi analizimi nga ekspertët e fushës. Ndërkohë që në Shqipëri i vetmi kopsht botanik prej vitit 1971 është lënë në mëshirë të fatit, me investime dhe projekte që i qëndrojnë shumë larg. Ndërkohë vende si Holanda mburren me tulipanët, edhe pse i kanë të importuar apo të kultivuar, ndryshe nga Shqipëria që vështirë se njeh edhe ekzistencën e tyre.

Pse i nënvlerësojmë dhe shpërfillim kaq shumë pasuritë tona? /Blitz.al/

 

Shperndaje