Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqipëria tjetër…

Shqipëria tjetër…
June 12
11:38 2017

Nga Marin Mema

 

Alpet e Zvicrës, ato të Francës, Austrisë apo Gjermanisë na kanë mahnitur gjithmonë përmes spoteve, fotografive e dokumentarëve që kanë tërhequr mediat e gjithë botës. Turizmi në vende të tilla përbën një resurs të jashtëzakonshëm që sjell vizitorë nga kudo, shumë edhe nga Shqipëria. Megjithatë, keqardhja më e madhe lidhet pikërisht me faktin se vendi ynë ka mjaft destinacione të tilla, të cilat jo vetëm nuk shfrytëzohen, por shpesh as nuk njihen sa ç’duhet.

Mes tyre është edhe Zagoria, diku 35 – 40 kilometra nga Gjirokastra, absolutisht një ndër perlat e natyrës shqiptare.  Kjo krahinë ka 10 fshatra, secili me veçantinë e tij, por edhe me shumëçka tjetër që i bashkon e që lidhet me historinë, mikpritjen, bukuritë natyrore…

Nëse u referohesh monumenteve, ato janë të shumta e të periudhave të ndryshme, por padyshim ura e Hoshtevës dhe ajo e Nivanit ofrojnë një ndërthurje të trashëgimisë historike me atë natyrore. Thuhet se Ali Pashë Tepelena u strehua në Zagori,  në fshatin Ndëran, por edhe më tej. Ndaj edhe sot banorët shpesh e kujtojnë si njeriun që bëri mjaft investime në këto anë, urat, rrugë të kalldrëmta, karakollë mbrojtës e deri objekte kulti. Dikur në këto shtigje ekzistonte edhe infrastruktura ndihmëse, hanet, tregjet e pjesë të tjera shërbimesh që u përgjigjeshin karvanëve me tregtarë. Sigurisht, ajo që mund të tregohet me siguri është se Ali Pashë Tepelena urdhëroi realizimin e investimeve jo në tym, por mbi rrënojat e shumë të tillave që kishin qenë aty që në kohët më të lashta. Pra, Zagoria nuk ishte thjesht një rrugë kalimi mesjetare, por ishte përdorur që në antikitet.

Këtu mund të bësh alpinizëm sepse malet nga të gjitha anët ta ofrojnë këtë mundësi apo të udhëtosh me kuaj, siç prej disa kohësh kanë zgjedhur të bëjnë turistët e huaj. Kjo është ndoshta një nga format më të mira për të vizituar krahinën edhe në pjesët e saj më të largëta. Pylli i gurtë që përbëhet nga gurë me forma të çuditshme është një ndër pikat më interesante. Të mbështetur pas njëri-tjetrit e të skalitur nga era dhe erozioni, ata i japin një pamje mjaft të veçantë pjesës më të sipërme të fshatit Ndëran. Duke qenë se kanë përbërje jo të njëjtë me pjesë më të buta, e diku më të forta, gurët sjellin forma të ndryshme.

Banorët e Zagorisë kanë zgjedhur që herët të emigrojnë. Stambolli, Greqia e deri Shtetet e Bashkuara kanë qenë stacionet e tyre. Thuhet se përgjatë shekullit të 18-të e atij të 19-të, masa dërrmuese e burrave të Zagorisë morën rrugët e kurbetit. Ndaj edhe sot e gjithë krahina të mahnit me shtëpitë e mëdha që tregojnë një gjendje mjaft të mirë ekonomike për kohën kur janë ndërtuar. Megjithatë, problemi më i madh është braktisja. Janë rreth 160 kilometra katrorë në të cilat për fat të keq nuk jetojnë më shumë se disa qindra banorë. Duket e pabesueshme, por pavarësisht pasurive të pafundme që ka Zagoria, nëse vazhdon me këtë ritëm, pa mbështetje dhe investime, ajo rrezikon të boshatiset plotësisht.

Infrastruktura rrugore është e shkatërruar dhe pavarësisht se krahina ndodhet jo larg Gjirokastrës, rrugëtimi është më shumë se i mundimshëm. Kur vite më parë në rrugën e Çajupit u nis të punohej, banorët e Zagorisë menduan se problemi i madh i tyre do të merrte zgjidhje Në atë kohë u përfol se në atë pjesë do të bëheshin edhe investime të mëdha nga njerëz të pushtetshëm, por nuk ndodhi kështu. Rruga përfundoi sipërmi kilometra larg fshatrave të Zagorisë, ndërsa investimet nuk erdhën kurrë e krahina mbeti e izoluar dhe pa mbështetje.

Në Konckë, Vithkuq e Doshnicë, fshatin ku ende ruhet toponimia e 12 kishave apo ku fle një katarakt, tabloja është e njëjtë, zemër e madhe, por mundësi të vogla për shkak të infrastrukturës. Kështu edhe në Zhej e Hoshtevë, një fshat i mahnitshëm, i gjithi i derdhur në gurë e ku ngrihet edhe një bujtinë me kushte të mira e çmime modeste nëse e krahason me kënaqësinë që të jep ky vend. Në zonë ka disa të tilla e të gjitha ofrojnë mikpritjen e rrallë të banorëve.

Gjithkush mund të gjykojë e kuptojë mrekullitë e kësaj krahine, mrekullitë e Zagorisë, fshatrave të saj, mundësitë, të cilat, për fat të keq, jo vetëm nuk janë shfrytëzuar, por njihen edhe në mënyrë të kufizuar. Ky është një nga mëkatet më të mëdha që ka Shqipëria, që mundësitë e saj nuk i shfrytëzon kurrë siç duhet.  /Blitz.al/

Shperndaje