Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqipëria me televizor pa televizion!

Shqipëria me televizor pa televizion!
September 11
14:46 2018

Nga Senad Ujkaj

Siç mund ta keni kuptuar tashmë, në vendin tonë është bërë konkret digjitalizimi i kanaleve duke i kaluar nga versioni dvbt në atë dvbt2. Pra, me pak fjalë ju nuk mund t’i ndiqni më kanalet televizive me anë të transmetimit analog me një antenë të thjeshtë, por ju duhet të pajiseni me një dekoder i cili ju mundëson transmetimin e kanaleve. Dekoderi blihet vetëm një herë dhe nuk ka nevojë për abonime mujore apo 1-vjeçare. KUJDES! Ju nuk ju nevojitet një aparat me parapagesë, por thjesht një aparat ku ta lidhni me televizorin që kanalet të dalin automatikisht.

Meqënse tani u sqaruam për këtë pjesë, dy fjalë janë pak në fakt për këtë “kasaphanë” që po i bëhet popullit shqiptar. Të nisim nga ajo që për mendimin tim është thelbësorja: informimi i qytetarëve. Para disa viteve u fol për digjitalizimin e transmetimeve dhe gjithçka mbeti aty, pa asnjë informacion shtesë. Por mesa duket pazaret janë bërë dhe është radha jonë të luajmë rolin e të paditurit ashtu siç bëjmë gjithmonë, të bindemi e të pajisemi me dekodera vetëm se na është komunikuar kështu.

Më e pakta që mund të bënin (dhe DUHET të bënin) do të ishte që në lajmërimet e shumta që kanalet e TV kanë dhënë, të kishin të programuar një informacion ku tregohej dekoderi i nevojshëm, çmimi dhe pikat zyrtare të shitjes. Kjo mënyrë e keqfunksionimit të gjërave në vendin tonë sjell gjithmonë edhe kaosin dhe paditurinë e njerëzve. Prandaj dje dhe sot dyqanet e një nga platformave televizive më të mëdha në Shqipëri u dynden nga njerëzit të cilët menduan se bëhej fjalë për diçka që do ta paguanin çdo muaj e në fakt shumë prej tyre kanë blerë paisje që nuk u nevojitet madje me një çmim më të lartë. Por lajmi se afati do të shtyhet deri në 19 janar për blerjen e dekoderave  tregon mjaft mirë MASHTRIMIN që u bë këto dy ditë dhe mënyrën se si organizohen gjërat në vendin tonë, ku tallja haptazi me qytetarët bëhet ditën për diell.

Një tjetër fakt i çuditshëm në këtë mesele është se as televizioni shtetëror RTSH ku ne paguajmë taksën vjetore për mirëmbajtjen e tij nuk dukej gjëkundi. Përse të paktën rrjetin e kanaleve shtetërore nuk mund ta ndjekim me një televizor të zakonshëm, apo siç e quajnë “të dalë mode”? Po flasim gjithmonë për ato TV që nuk e kanë sistemin dvbt të inkorporuar automatikisht. E ju besoj ashtu si unë pyesni veten se sa familje në rrethinat e Durrësit, Tiranës apo edhe brenda kryeqytetit mund të kenë TV të teknologjisë së fundit? Po ku do të informohen ata që nuk kanë forcën të kalojnë muajin në një situatë ekonomike që Shqipëria po kalon së fundmi, e jo më të blejnë një dekoder për të parë kanalet bazë?

Jetesa në vendin tonë është e vështirë e ndoshta një çast qetësie e kemi kaluar duke ndjekur një program argëtues apo duke dëgjuar një këngë dhe mesa duket tani nuk do ta kemi më as këtë kënaqësi modeste. Përpara se të prisnim me orë të gjata në radhë duhet ti vëmë gishtin kokës dhe të tregohemi më të zgjuar dhe të kërkojmë llogari pasi jemi të parët që duhet të marrim një përgjigje.

Ndoshta është mirë që të ecim përpara me teknologjinë dhe digjitalizimin, por procesi dhe kostoja janë faktorët bazë që po ndikojnë negativisht te ne dhe duhet të pyesim pse. Janë kanalet televizive ato që kanë nevojë për shikueshmëri dhe jemi ne ata që duhet të paguajmë? Dhe nëse nuk paguajmë mbetemi me një televizor pa televizion?! /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje