Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqipëria e vrasjeve…

Shqipëria e vrasjeve…
November 12
14:55 2016

Shpeshherë dëgjojmë qytetarë në rrugë, mjedise publike apo komente në rrjete sociale se duan të largohen nga vendi, pasi ndihen të pasigurt.

Këto biseda që na i has veshi nuk janë aq rastësore. Përpos gjendjes ekonomike mjerane që ka kapluar treçerekun e popullatës në vend e kur Tirana e Durrësi janë të vetmet qytete që jetojnë mbi pragun e mbijetesës ekonomike, arsyeja kryesore që sjell këtë pesimizëm te gjithsecili është niveli i lartë i krimit në vend.

Gjaknxehtësia, mungesa e tolerancës, vrasje për një fjalë goje, droga e shpërndarë gjithandej, vjedhja në nivel zyrtar apo ordiner është kthyer në kult.

Çdo i ri bën një shkollë thjesht se i duhet, jo se do. I duhet për punë. E paguan atë. E më pas paguan sërish për të gjetur një vend pune. E fillon në atë vend pune për të vjedhur, për të nxjerrë lekët që pagoi për shkollën. Jo për të punuar realisht me profesionizëm, por për të kapur lekë korrupsioni, ryshfeti.

Jo për të punuar për nesër, por për sot.

Por duke iu rikthyer titullit, pse e quaj Shqipëria e vrasjeve?

Sepse realisht është e tillë.

Jo më larg se dje ka pasur një seri vrasjesh e plagosjes në vend që kanë pushtuar mediat informative e jo vetëm në vend. Dy vrasje shqiptarësh në Milano, një e vrarë në Lezhë, një në Vlorë, një plagosje me thikë në Durrës, disa arrestime për dhunë në familje në Tiranë, një gangster policie kërcënon me pistoletë ca tregtarë duhani në Shkodër e dreqi e merr vesh sa e sa të tjera arrestime e dhunë në rrethe që nuk janë publikuar apo nuk janë raportuar nga vetë të dëmtuarit e dhunës.

Sa e sa konflikte të tjera në qarkullim.

A do të marrë fund ndonjë ditë një situatë e tillë?

Shpresat janë të pakta. Zgjidhja është në dëshirën e njerëzve për të jetuar në këtë vend, si dhe puna për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, pa vjedhur e grabitur pasuritë tona të përbashkëta. Mentaliteti i mykur prej vitesh, një mendësi plaçkitëse që duhet të marrë fund.

Por kur?

Mesa duket, 26 vite tranzicion kaluan. Premtime boshe politike, deklarata false, njerëz që largohen, vriten, në aksidente ose vrasje tipike, shoqëri force, shoqëri gangsterash rruge ose administrate, gjykatës e prokurorë hajdutë e plaçkitës që t’i burgosësh është më e pakta.

Energjia negative mbizotëron gjithandej.

Kur të vijë dita që ta duam njëri-tjetrin më zgjoni nga ky makth.  Elton Dono për /Blitz.al/

Komento
Shperndaje