Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqipëria e 1931- nga Marin Mema

Shqipëria e 1931- nga Marin Mema
June 23
09:59 2018

Nga Marin Mema

Në vitin 1931 revista e njohur “National Geographic” i ka dedikuar nje suplement mjaft interesant Shqipërisë. Autori Melville Chater një gazetar, studiues e udhëtar i palodhur, ka bërë një përmbledhje mjaft interesante duke sjellë detaje sa tërheqëse aq edhe intriguese. Në gjuhën shqipe ato janë sjellë nga studiuesi Arben Llalla, i cili ka hapur në këtë mënyre një dritare që lidh Shqipërinë e sotme me atë të para 87 viteve. Padyshim një ndër hapësirat më tërheqëse është ajo të cilën autori e quan “Bijtë e Shqiponjës” e ku analizon sipas tij prejardhjen e shqiptarëve, rrënjet e tyre, lashtësinë, mitet e gjithçka tjetër që mesaduket e ka tërhequr kaq shumë Melville Chaterin. Më poshtë po sjellim disa pjesë të këtij rrëfimi të tij.

“Ndërsa lidhnim – dua të them, ndërsa shuanim motorin e makinës- një shqiponjë gjigande u duk në qiellin e kaltër që ishte mbretëria e saj Ky zog mbretëror na bëri që ta ndjejmë me të vërtetë se gjendeshim në Shqipërinë antike, në vendin e bijëve të shqiponjës”.

“Në qoftë se ndonjë udhëtar i antikitetit grek ose romak do të thërriste “Ah kjo qenka, pra Albania?!” shqiptarët nuk do ta kuptonin se për çfarë vendi e kishte fjalën. Përpara nëntë shekujsh ndonjë i huaj, i cili e konsideronte si të pakuptimtë emërtimin “Shqipëri”, do ta shtrinte “Alp” ose “Alb” në Albania – për të përshkruar me anë të këtij emri vendin me malet e larta e të mbuluara me dëborë. Prejardhja e emrit shqiptar humbet në legjendat e fiseve malore ballkanike. Pasi fjala “Shkrep” nënkupton shkëmb, dhe emërtimi shqiptar ndoshta mundet të nënkuptojë “banorë të shkëmbinjve”.

Por Plutarku jep një shpjegim tjetër më interesant. Biografi antik grek na rrëfen se kur mbreti i Epirit, Pirroja, u krahasua nga ushtarët e tij me një shqiponjë, në mënyrë të sjellshme u përgjigj se armët e tyre i jepnin krahë. Ashtu si epirotët që pranuan modestinë e mbretit Pirro, edhe albanët morën emrin shqiptar, bijtë e shqiponjës.

Shqiptarët e sotëm do t’ju thonë se janë fisi më i vjetër në Evropën Juglindore. Me të vërtetë, gjuha e tyre dhe zakonet dëshmojnë për një origjinë të lashtë. Janë ndoshta pasardhës të Ilirëve, të cilët e kishin prejardhjen prej Pellazgëve. Derisa arkeologjia të hedhë më shumë dritë në gjuhën shqipe, mendimet e filologëve do të jenë të ndryshme. Nga këta një pjesë e madhe beson se një e treta e gjuhës shqipe ka prejardhje pellazge. Të tjerë besojnë se gjuha shqipe e ka prejardhjen nga Ilirishtja dhe se nuk ka asnjë lidhje me gjuhën greke. Një pjesë tjetër e gjuhëtarëve beson se shqipja është gjuha më e vjetër në Evropë, nëna e greqishtes dhe e latinishtes.

Platoni dhe Herodoti, përmendin në veprat reciproke se grekët e lashtë i morën perënditë e tyre prej pellazgëve. Sipas disa shkencëtarëve kjo teori mbështetet prej faktit se shumë emra të perëndive antike, si p.sh Zeus, Nemesis dhe Rea mundet të shpjegohen ose të kenë prejardhjen prej fjalëve “ZË”, “NËMË” dhe “RE” e gjuhës së shqiptarëve./Blitz.al/

Komento
Shperndaje