Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shpella e mrekullive në Shqipëri

Shpella e mrekullive në Shqipëri
December 02
09:40 2016

Shumica e njohin me emrin shpella e Fericës apo Kabashit duke qenë se ndodhet jo larg fshatit me të njëjtin emër në Gramsh, por a mjafton vetëm kaq për të paraqitur një vend të tillë?

Për ta arritur duhet të bësh një zbritje disi të vështirë, pak të lodhshme, por që ia vlen nëse e krahason me atë që gjen. Si shumë pika të tjera në Shqipëri, që thuajse nuk njihen, edhe kjo shpellë vizitohet vetëm nga të apasionuar apo njohës të saj, nga grupe të vogla të drejtuara prej tyre, që në fakt duhej të ishin të pafundmë për vlerat që ajo paraqet.

Por çfarë ka të veçantë kjo shpellë?

Shpella e Kabashit është një muze natyror, ku ngjyrat që piktorët i hedhin me kujdes në telajo ajo ‎i ka shpërndarë krejt natyrshëm, pa pasur nevojë për dorën e njeriut. Nëse e prek në brendësi këtë vend është e vështirë të mos mahnitesh…

E krijuar nga shkëmbinj gëlqerorë me dukuri të mrekullueshme karstike, stalaktitet dhe stalakmitet e kësaj shpelle janë të rralla për shkak edhe të ngjyrave që ofrojnë. E kuqja, e verdha, portokallia e thellë e shumëçka tjetër shkrihet në çdo krah të saj. Natyra ka dhuruar një mrekulli…

Në vende të caktuara, lartësia mund të arrijë deri 50 apo 60 metra. Ka pasur grupe alpinizmi që kanë ecur deri në dy orë në këtë shpellë pa mundur t’i gjejnë fundin. Mund të duket e çuditshme se si mund të kesh dëshirë të qëndrosh në një shpellë, por kjo në fakt më shumë përngjan me një përrallë.

Por si shumë monumente kulture e natyrore në Shqipëri, kjo shpellë nuk ruhet nga askush, çfarë ka bërë që mjaft stalakmite e stalaktite të dëmtohen, të thyhen e të merren nga persona të ndryshëm.‎ Gjurmë të tilla shekullore përfundojnë si zbukurime në cepa dhomash, lokalesh apo tjetërkund.

Në letër është destinacion turistik, por në realitet‎ s’ka asnjë lidhje me këtë, sa kohë investimet mungojnë tërësisht. Të vetmit që po i japin frymëmarrje janë grupe të ndryshme që sfidojnë harresën që institucionet përkatëse i kanë bërë një vendi të tillë.

Një sugjerim: Pavarësisht gjithçkaje, vizitojeni një herë në jetë këtë mrekulli sepse të tilla pak keni parë. E nëse doni më shumë, zbrisni poshtë edhe në kanionet e Holtës, një tjetër perlë e fshehur./Blitz.al/

marin2 marin3 marin4

Komento
Shperndaje