Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shpella e misterit

Shpella e misterit
December 06
13:33 2016

Nga Marin Mema

Puka është një ndër zonat që ofron mundësi të jashtëzakonshme për adhuruesit e turizmit speleologjik.  Përgjatë të gjithë krahinës shtrihen me dhjetëra shpella që fshehin jo thjesht bukuri natyrore,  por edhe legjenda të shumta. Disa risjellin histori me Lekë Dukagjinin, zoti i dikurshëm i këtyre krahinave e që, sipas banorëve, në periudha të vështira është strehuar jo rrallë këtu tejmi.

Legjenda, mite, histori ka edhe për shpellën e ujkut, atë të shqiponjës e shumë të tjera që vijnë si një zinxhir i traditës ndërthurur me mitologjinë vendase.

Një ndër më interesantet qoftë për nga ajo që mbart, edhe nga pozicioni gjeografik mes liqenit të Komanit, është shpella e Kaurit, siç e quajnë disa, apo e murgjve disa të tjerë. Në të dyja rastet, fakt është se ajo përdorej nga asketët. Ata ishin murgj të cilët jetonin këtu në kushte privimi të plotë, të çdo lloj kënaqësie, duke iu nënshtruar pastrimit të shpirtit, çka sipas tyre i ndihmonte në arritjen e paqes së brendshme dhe lidhjes me hyjnoren.

Ka të dhëna se ndërtimet e bëra në këtë shpellë, të cilat dallohen qartë edhe sot, i përkasin periudhës bizantine, në mes shekujve IX – XI.  Muret kanë një gjerësi që ndryshon nga 1,8 deri në 2 metra.  Edhe pse mirëmbajtja ka munguar, fakti që kjo shpellë është e izoluar dhe e arritshme vetëm përmes një varke e ka ruajtur disi nga abuzuesit. Në brendësi të shpellës dallohen edhe vaskat e ujit, që përdoreshin nga murgjit për të pirë e për t’u larë…

Sigurisht, këtu gërmime arkeologjike të mirëfillta nuk janë bërë e në këto kushte të japësh detaje plotësuese është e pamundur.

Shpella ka një gjatësi rreth 110 metra, por çfarë e bën edhe më interesante është fakti se ka dy hyrje.  Edhe pse me vështirësi, sot dalja më e lartë është ende e arritshme. Ajo dhuron një pamje të jashtëzakonshme mbi liqen, aq sa duket si një ballkon, pavarësisht se është bërë nga natyra.

Çfarë historie fsheh kjo shpellë? Cilët ishin këta murgj që qëndronin këtu apo  pse e zgjodhën këtë vend? Sigurisht për këto do të duheshin kërkime e studime të mirëfillta, vetëm përmes tyre do të mund të rikrijonim jetën e këtushme. E megjithatë misteri është i bukur e kjo shpellë ka shumë të tillë….

Ta vizitosh është e lehtë, mjafton të duash natyrën, të shkosh në Pukë e të zgjedhësh një udhëtim me varkat apo anijet e vogla me motor që ofrojnë ture në liqenin e Komanit. Ky i fundit, i krijuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, përbën një tjetër resurs të jashtëzakonshëm turistik./Blitz.al/

maaaa maaa maa ma

Komento
Shperndaje