Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shpella e 27 mijë viteve – nga Marin Mema

Shpella e 27 mijë viteve – nga Marin Mema
April 21
15:45 2018

Nga: Marin Mema

Historia e saj nis 27 mijë vite më parë duke qenë një përfaqësuese e denjë e periudhës së paleolitit të lartë siç e kategorizojnë shkencërisht arkeologët. Shpella e Konispolit në skajin më jugur të vendit ka dhënë një numër të konsiderueshëm veglash të punuar në gur , por ajo çka e bën interesant këtë vendbanim është se ai ka funksionuar si i tillë deri në epokën antike.

Shpella dukshëm ka krijuar një ambjent të përshtatshëm për banim, e nga krahu tjetër ofronte siguri në kohë të turbullta. Gjatësia mbi 50 metra , por edhe zgavrat që lejonin qarkullimin e mirë të ajrit mundësonin sipas arkeologëve gjatë ditës edhe rrahjen nga drita, pra levizjen deri diku pa probleme brënda saj. Sipas arkeologut Myzafer Korkuti shpella ndahet në disa shtresa kulturore të cilat janë identifikuar lehtësisht gjatë germimeve të kryera.

Numëri i objekteve që flasin për një karakter ’‘ekonomik’’ të kësaj shpelle që në periudhën prehistorike, është i pakët, por megjithatë i mjaftueshëm për të treguar jetën aktive që bëhej brënda saj. Peshat e tezgjahut prej balte, një numër gjilpërash dhe lëmuesash kocke tipike për neolitin dhe epokën e bronzit mbështesin këtë tezë të arkeologëve të shprehur në rezultatet e gërmimeve të kryera në vitet 1992 – 1994. Vend të veçante kanë veglat prej stralli në ngjyrë të kuqërremtë , të punuara në mënyrë të kujdesshme dhe cilësore për kohën.

Sigurisht përreth një vendi të tillë nuk mungojnë as legjendat , që nga ato që e lidhin me mitet e deri tek përdorimi i saj në kohë të hershme për kryerjen e riteve të ndryshme fetare. Pra këtu gurët e ftohtë nuk kanë heshtur kurrë, dikund nga frymarrjet njerëzore e dikund nga gojëdhënat e lëna pas prej tyre.

Shpella gjëndet jo larg stacionit paleolitik të Xarës e asaj të Shën Marinës duke përbërë në këtë mënyrë një trekëndësh të jashtëzakonshëm të një historie që duket e pafundme për shkak të thellësisë së saj. E nëse i shton faktin se Butrinti ndodhet shumë afër , atëherë e quan absurd faktin se përse tursitëve nuk u ofrohen në mënyrë të organizuar edhe këto destinacione kaq mistike. Në çdo rast kjoi jo vetëm nuk ndodh, por djeninë e mirëfilltë për këto shpella mijëra vjeçare e kane vetëm arkeologët, ekspertët e fushës e të gjithë ata që çuditërisht pa pyeten kur hartohen strategjitë për turizmin. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje