Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shoqëri e brekëve të grisura!

Shoqëri e brekëve të grisura!
May 19
11:52 2016

Jemi një shoqëri tallagjare, që na pëlqen ende të shikojmë nga vrima e çelësit se çfarë bën Kristi Pinderi në krevat; kemi dëshirë të dimë çdo hollësi që të justifikojmë gjithçka do të vjellim, demek, të pështirosur.

Një shoqëri thashethemexhinjsh, që nuk la gur e kusur pa i varur në qafë vajzës që denoncoi Shukriun dhe sjelljen e tij të fëlliqur e abuzuese. Duam të djegim atë pederastin dhe këtë kurvën që po na fëlliqin moralin dhe familjet tona të shëndosha.

Ngrihemi e ulërijmë kundër vrimës së brekëve të Shukriut dhe nuk ngeli i madh e i vogël pa e marrë vesh historinë e kësaj vrime. Nuk u përfol edhe aq fakti që Shukriu po abuzonte me këtë vajzë dhe i kërkonte favore seksuale për një vend pune se dihet historia, në fund të fundit; kush abuzohet, mirë t’i bëhet se nuk t’i heq njeri brekët me zor. Shumë mirë t’u bëhet, madje u bëmë 1 milion shqiptarë të degjeneronim vajzën e botës në Facebook, sepse turpin e bëri ajo. Po  të ishte e ndershme nuk e bënte hiç këtë regjistrim. Pastaj u morëm edhe me Teftën e Shukriut, që e fali burrin, i bëmë edhe asaj një shpëlarje kolektive. Çuditërisht vetëm me Shukriun nuk u morëm edhe aq, sepse është normale, mesa duket, në këtë shoqërinë tonë mediokre e tallagjare që të ndodhin të tilla veprime; që dikush të të ofrojë seks për një vend pune, me justifikimin se “nuk ishte i vetmi”. “Kështu bëjnë të gjithë”,- dëgjoja vërdallë rëndom. Bukur fort pra, qenka më se normale meqë e bëjnë të gjithë.

Burrat e kësaj shoqërie që ulërijnë kundër Kristi Pinderit me shokë kanë hallin të ruajnë nderin e prapanicës së Kristit, po nderin e grave, motrave e vajzave të tyre mesa duket nuk e kanë primare. Sepse, nëse ky rasti i Shukriut qenka i përsëritur, atëherë i bie që të gjitha jemi në rrezik, përfshirë edhe gratë, motrat e gocat e atyre që merren me organin gjenital të Lepurushes. Mjafton që Lepurushja të mos na fëlliqë racën tonë maskiliste, duke e shkulur atë që i ka dhënë Zoti, madje do ishte më e nderuar nëse me atë penis që do të shkulë do të ishte një nga përdhunuesit e vajzave të jetimores në Shkodër.

Shoqëri  e llafeve boshe, e gjyqeve të pavlera, që nuk di të hapë gojën e të mbrojë ata që nuk kanë zë dhe më të dobëtit. Nuk shikoj asnjë të ulërijë me histeri kundër atyre palo qenieve jo njerëzore, që kanë abuzuar me këto vajza të vogla të shkelura nga fati.

Nuk lexoj “Enver ngrihu”; “digjini për së gjalli”; “na fëlliqët familjen”; “këta nuk janë shqiptarë”…. e broçkulla si këto që i kemi në majë të gjuhës për çfarëdolloj gjëje që nuk na shqetëson e as na prek në asnjë mënyrë.

Por ama kur duhet ta ngremë zërin e të bëhemi vërtet 1 milion shqiptarë për të dënuar ca maskarenj që abuzojnë me qenie të pambrojtura nga fati, ligji e institucioni të cilit i përkasin, e qepim. E mbyllim dhe mallkojmë pak nën zë, aq sa për të bërë adetin.

Hë pra, ju që shqetësoheni se si t’i shpjegoni fëmijëve tuaj se pse Lepurushja nuk e do penisin e saj; ju që nuk u thoni dot fëmijëve se pse Kristi fle me burra; ju që nuk u shpjegoni dot fëmijëve tuaj se pse kjo kurva duhej ta denonconte Shukriun; ju që shqetësoheni për brekët dhe prapanicën e dynjasë, si dreqin do t’u shpjegoni fëmijëve tuaj se tre prej bashkëmoshatarëve të tyre janë përdhunuar nga ca të rritur që supozohet t’i mbrojnë? Si do ua shpjegoni që në vend që të rriten në një vend të sigurt, rriten në një ferr, sepse gjithkush mund të ngrejë dorën kundër tyre. Si do t’ua shpjegoni fëmijëve tuaj se pse nuk keni forcë t’i mbroni ata fëmijë? Si dreqin do t’ua shpjegoni se pse një fëmije i ndodh një fatkeqësi kaq e madhe? Hë pra, si?

Fëmijë që rriten të abuzuar, sepse nuk kanë zë, meqë ne jemi shumë të zënë duke u marrë me brekët e Shukriut dhe bibilushin e Lepurushes për t’u marrë me ta. Ne nuk kemi zë për ata e për asnjë tjetër që ka nevojë për zërin tonë. Sepse, në fund të ditës, thjesht nuk na e ndjen shumë për çfarë ndodh rreth nesh, kemi nevojë vetëm për meme-t e radhës në rrjetet sociale, t’i fusim një të qeshur ose të japim leksione morali.

Pse?  Sepse këta jemi në fund të fundit, ca tallagjarë të padobishëm  që me moral mundohemi të arnojmë brekët e grisura…

Fatma Haxhialiu

Komento
Shperndaje