Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shkofsh në djall… ose thjesht shkofsh

Shkofsh në djall… ose thjesht shkofsh
December 10
19:41 2018

Nga Ana Limani

E di që ta urresh s’mundesh…

Një rreze dielli të bie në fytyrë dhe për një arsye apo tjetrën nuk e mban mend pse kishe harruar të mbyllje perdet mbrëmjen e djeshme. Një rreze dielli në një ditë dhjetori… si diçka e rrallë duket si shenjë e një ditë të mirë. Më pas përpëlit sytë dhe kupton gjithçka. Zgjohesh për së dyti dhe zgjohesh realisht këtë herë. Një rreze dielli që s’është më e ngrohtë dhe një frymë që ngec diku aty, kur kupton se atë nuk e ke më. Dreqi e marrtë, në ato momente dëshiron shumë të kthehesh nga ana tjetër, të mbyllësh sytë dhe të shpresosh që kur të zgjohesh sërish diçka të ketë ndryshuar.

Por të duhet të vazhdosh çdo gjë tënden, pasi largimi i tij s’është motiv mjaftueshëm për t’i bërë bisht jetës. Ndërkohë frymëmarrja ende nuk është normalizuar dhe as do ta bëjë për asnjë moment të ditës. Kur merr telefonin në dorë dhe sheh që nuk ke asnjë “mirëmëngjes” aty. Dhe pse e di shumë qartë, si me mosbesim shkon tek biseda dhe sheh vetëm dy natën e mirë të dërguara ashtu vakët. Sepse nuk ke pasur guximin të fshish asnjë foto dhe asnjë mesazh.

Çohesh, shpëlan sytë, por sërish e kupton akoma më shumë që ai nuk është më. Të duket ende si dita e parë kur u ndatë, pavarësisht se kanë kaluar javë dhe ai nuk është rikthyer.

Ndonjëherë gjatë ditës, teksa je duke qeshur, surprizon edhe veten. Surprizohesh sepse vazhdimisht, e aq më shumë kohët e fundit të gjithë të kanë vënë në dukje se sa e arrirë je, sa positive, sa e përgjegjshme dhe të gjitha cilësi të tjera si këto. Sepse fundja ata nuk dinë asgjë se çndodh në brendësinë e jetës tënde, sepse fundja në shikim të parë atë përshtypje të jep. Gjithçka në rregull, ah sikur të ishte, por të paktën ashtu duket.

Normalisht që vazhdoni të ndiqni njëri-tjetrin në rrjetet sociale, të paktën vetëm aty sepse ti nuk shkon më në vendet ku shkonit bashkë. Kur sheh ato postimet kalimthi për të shtyrë kohën në autobus, apo thjesht për të mbushur mendjen me diçka për të mos menduar,pikërisht e kundërta ndodh kur të del ajo fotoja e buzëqeshur e tij. Që në fakt nuk të përshëndet më nga larg, dhe as të zbut shpirtin kur je me nerva. Tashmë kushedi kujt i përket, por s’ka asnjë rëndësi për aq kohë sa e jotja nuk është më.

Një tingull, një aromë parfumi, një shprehi e tij mjafton për të të bërë të ndalosh një apo dy herë rrugës për të marrë veten. Por vetëm për pak pasi nuk ke kohë, të duhet të vraposh nga njëri vend në tjetrin dhe të kujtohet sesi ai gjithnjë ankohej se “vetëm punoje”. Sikur ta dinte tani se kam marrë dyfish përgjegjësi vetëm që mos të kemi fragmenete sekondash të lira për të ndjerë mungesën tënde.

E dua. Edhe tani. Edhe në mes të gjithçkaje.

Pas një dite të lodhshme, në fakt jo dhe aq përballë lodhjes së ndjenjave që ende se kanë kuptuar se s’kanë me destinacion dhe përplasen aty Brenda teje, do dalësh të çlirosh gjithçka. Një gotë, një cigare, muzikë dhe shoqëri e mirë është ajo që të duhet kur ndihesh e tepërt apo e pamjaftueshme në këtë botë. Një buzëkuq i kuq i bërë ashtu shpejt, teksa del nga zyra.

Në fakt,një detaj i vogël është që të kanë rënë të fikët disa herë javët e fundit dhe ke humbur 5 kilograme. Kjo të kujtohet në momentin kur je duke shkuar tek lokali i preferuar i vajzave, që ai asnjëherë nuk e pëlqeu.

Dhe si për rastësi e për çudi, ashtu teksa hyn e buzëqeshur, të duhet për një moment të mbahesh diku por nuk e lëshon veten. Që nga momenti dhe përqafimi i fundit, tashmë e ndesh për herë të parë. Është aty me të njëjtën prezencë si gjithnjë. Por siç pritej, po luteshe që jo, jo vetëm. E gjatë, bjonde, me buzëqeshje të pakrahasueshme.

Teksa dëgjon mikeshat që të thonë që më mirë të largoheni, sepse ka plot vende të këndshme për të qenë, të sillen në mend çdo moment që ke javë që e shmang.

Duar të kapura, një e puthur që shijen e la përgjithnjë, një përqafim pranë në shtrat, një këngë e kënduar deri në ngjirje… Kështu ishim ne.

Por nuk largohesh, madje ulesh tek tavolina e vetme e lirë shumë afër tyre. Porosit pijen tënde të preferuar, ndez një cigare dhe ndjen çdo gjë të të pushtojë edhe njëherë. Një lot rrjedh sepse tashmë as ta ndjen nëse të sheh dikush në publik. As ta ndjen nëse të sheh ai, për aq kohë sa dëshiron që lotët të shterojnë lëndimin që ke.

Dhe me aq sa do ta urresh, mendon shkofsh në djall.

Por ta urresh e di që s’mundesh. Dhe teksa e përshëndet nga larg, pavarësisht se ai e di që gjëja që urreje gjithnjë ishte të të trajtonin thjesht si një të njohur të rastësishme, lutesh vetëm për diçka

Thjesht shkoftë.

Sa më herët, sa më larg.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje