Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

S’DUA!

S’DUA!
April 27
12:30 2016

Zgjohem në mëngjes përpara se të bjerë zilja e alarmit në celular. Ka ardhur një mesazh, dikush që as nuk e njoh e as nuk më njeh paska vendosur të zgjohet sot me dëshirën për t’u njohur me mua në Facebook. Më ka shkruar edhe një poezi (që kushedi sa shumë vajzave të tjera ia ka dërguar!). Në fund të rrëfimit ndjesor më thotë: “Mund të njihemi?” I përgjigjem thjesht: “S’dua!”.

Bëhem gati dhe shkoj të marr dozën e parë të kafesë te një kafe-bar në lagjen time. Shkoj aty shpesh dhe kam një komunikim të mirë me personelin. Kamerieri është djalë i mirë, kam konsumuar dy-tri batuta me të, për t’ia bërë punën pak më të bukur, por mesa duket ma paska marrë konfidencën për ters. Sjell faturën e më thotë me krenari, shoqëruar me një shkelje syri: “Paguan lokali sot…”. Marr faturën me buzëqeshje e shkruaj në të: “S’dua”. Dhe padyshim vendos sipër monedhat.

Nisem për në shkollë, për dreq bie shi. Eci ngadalë për të mos m’u lagur e baltosur këpucët ndërkohë që më shoqëron hapin e avashtë një makinë gjigante. Shoferi është një i padukshëm (më vonë ia pashë pak kokën sipër timonit). Më në fund hap xhamin dhe drejtohet nga unë: “Zogu, të të shoqëroj? Nuk ia vlen të lagesh”. I përgjigjem me butësi: “S’dua!”.

Hyj në mësim, këmbej disa biseda të shkurtra me shokun e bankës. As dy minuta njohje më drejton celularin e tij për të shënuar numrin tim. “Të kemi kontakt për ndonjë detyrë”, – më thotë. E marr celularin me buzëqeshje, hap kontaktet e shkruaj: “S’dua!”.

Marrim rezultatet e provimeve. S’e di pse këtë herë e kisha djallosur, megjithatë do ta rikuperoj në të ardhmen, të më kthehet kjo në shtysë për të mësuar më shumë. Profesori ma pëlqen buzëqeshjen, ndoshta edhe pak sytë që m’i lavdëron si me stil. Më vendos disa pikë shtesë në provim, “shpërblim për sjellje të mirë”. Marr fletën, shkarravis pikët  shtesë e mbi to shkruaj: “S’dua!”

Shkoj në palestër për të hequr negativitetin e ditës e për të mbajtur trupin në formë. Pas një stërvitjeje të gjatë aerobie, rend drejt veglave të forcës. Pa prekur mirë pllakat e peshave, një djalë fluturon nga cepi i palestrës (me zor e kishte pritur këtë moment) dhe duke treguar muskujt e tij prej burri të palestruar më drejtohet: “Të të ndihmoj me disa lëvizje…”. I buzëqesh dhe i them: “S’dua!”.

Kam qejf të kaloj sot një natë me muzikë. Me grupin e shoqeve shkojmë në një “club” të ri që është hapur në qytet. Pranë tavolinës tonë disa meshkuj “jashtëtokësorë” kanë vendosur të pastrojnë orët e tyre të dorës me shampanjë. Veprim i çuditshëm dhe tepër idiot, s’e di pse e përsërisin sa herë i hedh shikimin. Kur u lodha nga pamja e pastrimit të orëve, më vjen një gotë dhuratë prej tyre, mesa duket duan të laj edhe unë orën time. U përgjigjem pa ndonjë shprehi në fytyrë, ashtu qetë: “S’dua!”.

Një shok kërkon të më paguajë taksinë që do të më shoqërojë në shtëpi. Nuk di pse mendon ai se kam nevojë për kujdestari ekonomike, sidoqoftë i përgjigjem: “S’dua!”.

Shkoj të shtrihem sërish, pasi kam kaluar një ditë me plot tetë “s’dua”. Ndihem femër. Ndihem e fortë. Ndihem sikur kam botën nën këmbë. Askush nuk mund të depërtojë aq sa për të më bërë keq apo të lëndojë ndjenjat dhe idealet e mia. Nuk kam përdorur as forcë, as ofendime dhe as ndonjë palë të tretë për ta bërë këtë. Kam përdorur vetëm një fjalë, tejet të shenjtë, që falë Zotit ekziston dhe fatkeqësisht shumë femra nuk dinë ta shprehin ose edhe më keq, kanë frikë ta përdorin: “S’dua!”.

Sa keqardhje për ata që nuk arrijnë të kuptojnë mesazhin që jep një zë femre që përsërit vazhdimisht “s’dua!”, aq më keq akoma  për ato që nuk kanë provuar kurrë  ndjesinë e autoritetit eksitues të kësaj fjale dhe përjetimin e një ekstaze platonike në çastin që buzët lëvizin drejt artikulimit e nga ku çdo germë e fjalës që del ndez një zjarr, çmitizon një legjendë që femrat nuk duhet të reagojnë, shkatërron një “moral” shoqëror ku femra ka turp të mohojë por vetëm pranon, thyen tabu në sedrën mashkullore, bën revolucion.

Dëshiron të të tregoj arsyen pse bëhet e gjithë kjo ty që nuk arrin të kuptosh se një femër thjesht NUK DO ndihmë? Buzëqeshje, pak pushim ndërkohë që të shoh në sy…s’dua!

 

Shperndaje