Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Sa më kishe munguar para se të të njihja!

Sa më kishe munguar para se të të njihja!
February 03
20:50 2017

Nga Desantila Vatnikaj

Betohem mbi 1000 vite se në një jetë tjetër jemi takuar. Ti je mishërim i zbrazëtirave të mia. Je i sigurt që nuk jemi njohur më përpara? Ti je kaq i afërt sa më ngjan se dje u ktheve nga një udhëtim dhe u ritakuam pas tri ditësh po aty ku e kishim lënë…

Ti më rikthen në një moment të gjitha të qeshurat e së shtunës, kur kujtimet e natës së parë që të kam takuar janë fshirë, sepse thellë ndieja se përherë ke qenë me mua. Sa e çuditshme! Zëri yt kur qesh është adrenalina ime! S’e di a të kam dashur më përpara, se kam bindjen që do të jem çmendur pas teje. Po pse u njohëm tani? Pse erdhe kaq vonë?

Kisha kohë pa u ndierë kështu, sikur kam kërkuar mjaftueshëm e tani ndiej se më e mira ndaloi në këmbët e mia pa gjurmuar unë; sikur kam bërë mjaftueshëm gabime e tani do të pres një shirit ëndrrash të dashura; sikur kam jetuar keq pa ty e tani më pret një rruge e re; sikur çdo gjë merr kuptim me ty. Prandaj gjithnjë besoja se kjo nuk ishte më e mira e mundshme për gjithçka që bëja. Më duket se i jam dorëzuar kohës në përqafimin tënd.

Domethënë ti di ekzaktësisht se si shkruaj unë, çfarë më pëlqen, numrin tim të fatit, gjërat që nuk pëlqej te ti, mënyrën se si ti flet, si hesht, si trishtohesh e si ngjaj unë kur përballë të kam ty. Sa e çuditshme! Sapo jemi njohur dreqin, pse ndiej sikur kam një jetë me ty? Edhe njëherë tjetër ti më thua se do të shihemi nesër dhe fytyra ime merr hije tjetër. Sa më kishe munguar para se të të njihja…!

Tani e kuptoj se në jetën tjetër të kam dashur e se në çdo të sotme e të nesërme do ta gjej rrugën për te ti. Por të lutem, mos ik, unë nuk dua të të kërkoj nëpër fytyra të tjera, dua tënden, nuk dua të trishtohem për dikë tjetër, nuk dua të dua dikë tjetër përveç teje dhe nuk dua të më dojë asnjë po të mos jesh ti ai! Ndoshta nuk ka momente të duhura, por ka njerëz të tillë. Nuk ka arsye, por ka një shpjegim.

Tani e kuptoj se mund të kemi jetuar qindra jetë para kësaj…

Që të gabonim të ndarë e të riktheheshim te njëri-tjetri. Që të njihnim zhgënjimin dhe mënyrën se si shërohet një zemër, të mësonim se si është të jetosh larg dhe kur të ritakoheshim në këtë jetë, në një shikim të pyesnim: Jemi njohur më përpara?

Sepse ti je gjithë gjërat që kam dashur në jetë…

/Blitz.al/
Komento
Shperndaje