Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rruga fantazmë në Shqipëri

Rruga fantazmë në Shqipëri
November 28
13:09 2016

Investimet e zhdukura si me magji, fondet e sjella rrotull e kurrë të hedhura aty ku duhet, ura të zhdukura, rrugë të papërfunduara dhe gjithçka lidhet me korrupsionin, janë trajtuar gjithmonë si pjesë bashkëjetuese e 26 viteve të tranzicionit shqiptar. Aq shumë janë nginjur politikanët në këtë vend, sa situata të tilla janë bërë thuajse normale.

Një rast i tillë tipik i përket zonës së Malëshovës në rrethin e Përmetit. Një rrugë e premtuar, e realizuar në letër, por e zhdukur në realitet…

Sigurisht, fondet e këtushme duken hiçgjë para atyre të përthithura në investime të tjera të mëdha, por çfarë e bën më absurde situatën është fakti se këtu nuk u bë asgjë, pra rruga mbeti krejtësisht fantazmë.

Rruga që ka ekzistuar që në vitet 1960 ka marrë një dorë investimesh më shumë se të çuditshme në vite të ndryshme pas 2006-s. Të çuditshme sepse gjendja e saj s’ka ndryshuar aspak, ndryshe nga ç’është raportuar e trumbetuar edhe në media.

Punimet, sipas banorëve, u bënë me mjete ushtrie, por ajo që mbeti pas ishte e njëjta rrugë me atë që ishte hapur që në kohën e komunizmit, për të mos thënë që gjendja e saj degradoi edhe më shumë.

Nga Mbrezhdani, ku sipas letrave është hedhur një 7 milionësh i bollshëm vetëm për dhjetëra metra rrugë brenda fshatit, udhëtojmë drejt Leskajt, fshatit më të largët të zonës. Sikur të mos mjaftonin fondet e dhëna nga qeveria në këtë pjesë u kërkuan fonde edhe nga banorët. Gjithsecili ka dhënë një shumë të caktuar, përfshirë edhe emigrantët. Të gjithë kanë paguar, por megjithatë, pa një makinë të lartë udhëtimi do të ishte i pamundur.

Investimet rrugore në këtë zonë u ndanë në dy pjesë: njëra ishte ajo shtetërore në aksin kryesor që ekzistonte që më parë, me më shumë se 15 milionë lekë investim, ku u përdorën makineri të ushtrisë për pothuajse 10 kilometra dhe tjetra ajo private, në rrugët që hyjnë nëpër fshatra, me fondet e banorëve, të cilët nxorën nga buxhetet familjare shuma të konsiderueshme për të ardhurat e tyre. Mes tyre ka shumë familje që kanë hedhur nga 100 mijë lekë e më shumë, vetëm për ta ndrequr këtë rrugë që është kthyer në makthin e tyre…

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Malëshovë e Limar. Aksi kryesor që të çon në të dy fshatrat e kësaj zone është skandaloz, ashtu si ai që dredhon përmes tyre.

Askush nuk di të thotë se sa para u hodhën nga qeveria dhe sa u mblodhën nga banorët, fakt mbetet se gjithçka u zhduk.

Ndoshta nuk janë miliona euro, por megjithatë për banorët e këtushëm ato kanë vlerë pafund, vlerën e një jete plot sakrifica. Ky është realiteti i zonës së Malëshovës dhe investimeve fantazmë që as nuk shihen e as nuk preken gjëkundi…/Blitz.al/

marin2

Komento
Shperndaje