Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rruga fantazëm në Shqipëri

Rruga fantazëm në Shqipëri
November 28
18:38 2016

Nga Marin Mema

 

Investimet e zhdukura si me magji, fondet e sjella rrotull e kurrë të hedhura aty ku duhet, ura të zhdukura, rrugë të papërfunduara dhe gjithëçka lidhet me korrupsionin, janë trajtuar gjithmonë si pjesë bashkëjetuese e 26 viteve të tranzicionit shqiptar. Aq shumë janë nginjur politikanët në këtë vend aq sa situata të tilla janë bërë thuajse normale.

Një rast i tillë tipik i përket zonës së Malshovës në rrethin e Përmetit. Një rrugë e premtuar, e realizuar ne letër, por e zhdukur në realitet…

Sigurisht fondet e këtushme duken hiçgjë para atyre të përthithura në investime të tjera të mëdha, por ajo që e bën më absurd situatën është fakti se këtu nuk u bë asgjë, pra rruga mbeti krejtësisht fantazëm.

Rruga që ka ekzistuar që në vitet 1960 ka marrë një dorë investimesh më shumë se të çuditshme në vite të ndryshme pas 2006-s. Të çuditshme sepse gjendja e saj s’ka ndryshuar aspak, ndryshe nga ç’është raportuar e trumbetuar edhe në media.

Punimet sipas banorëve u bënë me mjete ushtrie, por ajo që mbeti pas ishte e njëjta rrugë me atë që ishte hapur që në kohën e komunizmit, për të mos thënë gjendja e saj degradoi edhe më shumë.

Nga Mbrezhdani, ku sipas letrave është hedhur një 7 milionësh i bollshëm vetëm për dhjetëra metra rrugë brenda fshatit, udhëtojme drejt Leskajt, fshatit më të largët të zonës. Sikur të mos mjaftonin fondet e dhëna nga qeveria në këtë pjesë u kërkuan fonde edhe nga banorët. Gjithësecili ka dhënë një shumë të caktuar, përfshirë edhe emigrantët. Të gjithë kanë paguar por megjithatë, pa një makinë të lartë udhëtimi do të ishte i pamundur.

Investimet rrugore në kete zonë u ndanë në dy pjesë. Njëra ishte ajo shtetërore në aksin kryesor që ekzistonte që më parë, me më shumë se 15 milionë lekë investim, ku u përdorën makineri të ushtrisë për pothuajse 10 kilometra dhe tjetra ajo private në rrugët që hyjnë nëpër fshatra me fondet e banorëve, të cilët nxorrën nga buxhetet familjare shuma të konsiderueshme për të ardhurat e tyre. Mes tyre ka shumë familje që kanë hedhur nga 100 mijë lekë e më shumë, vetëm për ta ndequr këtë rrugë që është kthyer në makthin e tyre…

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Maleshovë e Limar. Aksi kryesor që të çon në të dy fshatrat e kësaj zone është skandaloz, ashtu si ai që dredhon përmes tyre.

Askush nuk di të thotë sesa para u hodhën nga qeveria dhe sa u mblodhën nga banorët, fakt mbetet se gjithçka u zhduk.

Ndoshta nuk janë miliona euro, por megjithatë për banorët e këtushëm ato kanë vlerë pafund, vlerën e një jete plot sakrifica. Ky është realiteti i zonës së Maleshovës dhe investimeve fantazëm që as nuk shihen e as nuk preken gjëkundi… /Blitz.al/

 

fgfg

 

Komento
Shperndaje