Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Riccardo Cocciante fiton çmimin “Mister Pallati”: I lutemi mjeshtrit të paraqitet për të tërhequr trofeun!

Riccardo Cocciante fiton çmimin “Mister Pallati”: I lutemi mjeshtrit të paraqitet për të tërhequr trofeun!
December 22
14:47 2017

I kam pasur gjithnjë inat skeptikët që kërkojnë vëmendje, ata të cilët pas çdo kauze të mirë, gjejnë një bisht që mund ta kthejë situatën nga ana e kundërt. Një shembull i thjeshtë: Një personazh i njohur shkon dhe bën bamirësi, skeptiku shkruan një status të gjatë në Facebook se si ky personazh i njohur e bëri gjithçka për vëmendje, ndërkohë që vetë nuk tenton të ngrihet nga kolltuku i skeptikut dhe të japi diçka nga vetja, qoftë edhe për vëmendje. Thënë këtë, nuk dua të justifikoj aspak veten dhe këtë shkrim që po, do të jetë i mbushur me skepticizëm por thjesht për t’ju treguar qysh prej fillimit se jo, ky artikull nuk është aspak kundër vëmendjes së merituar të një personazhi të njohur dhe jo, nuk është skepticizëm së koti në ajër.

Për të mos e vazhduar më mistertin, po dal drejt e në temë. Bëhet fjalë për të madhin Riçardo Cocciante dhe kur them i madh, e ndjej vërtetë. Kam qenë shumë por shumë e vogël kur në televizionet italiane ndiqja atë “burrin me kaçurrela” që asokohe më tërhiqte më shumë vëmendjen me pamjen tip, por më vonë kuptova se ishte një ndër muzikantët më të mirë. Cocciante është një muzikant italian, por është e vërtetë që për ne shqiptarët nuk ka qenë vetëm një muzikant nga Italia shumë i arrirë dhe rrjedhimisht i preferuar. Ka qenë shkollë muzike për këngëtarë të rinj shqiptar, ka qenë idhull për të tjerë e sigurisht pasuri e vlerë ta quanim veten se vijmë nga vendi fqinj i atdheut të Cocciante-s. Jam e sigurtë, se ku vlerim nuk është vetëm personal. Vë bast, se me të lexuar këto rreshta, jeni përfshirë dhe jeni ndjerë njësoj dhe ju me mua. Pra për mos e zgjatur më tepër, Cocciante është i madh dhe ne shqiptarët vërtetë e duam!

Sigurisht që e deshëm edhe më shumë kur ai qëndroi si trajner i Elhaida Danit, 4 vite më parë, e cila nën mbikqyrjen e tij arriti të triumfonte në “The Voice of Italy”, arritje që jo vetëm i ndryshoi jetën Elhaidës por na dhuroi emocione dhe krenari kombëtare të gjithëve ne.

Në 2013, fill pas fitores së Elhaidës, ajo së bashku me mjeshtrin Cocciante, udhëtuan drejt Shqipërisë. Një pritje e jashtëzakonshme u bë nga zyrtarët e lartë të vendit por edhe ne njerzit e thjeshtë. Presidenti i askohe, Bujar Nishani i akordoi dekoratën “Naim Frashëri” kantautorit të njohur me motivacionin “Si një artist mbarëbotëror, mik i shquar i Shqipërisë, i cili ka kontribuar në promovimin dhe lartësimin e talenteve dhe vlerave të tyre shpirtërore”.

Fill pas këtij takimi, ishte edhe Kryeministri i atyre viteve, Sali Berisha, ai që i dhuroi një penë të argjendtë dhe një monedhë të 100 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë ndërkohë që sigurisht i bëri një pritje madhështore. Për të mos folur pastaj për gjithë organizimin që Bashkia Shkodër bëri në 8 qershor për ardhjen nga Italia të Riccardo Cocciante-s dhe Elhaida Danit, ku u pritën nga Kryetarja e atëhershme e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe ish kreu i Bashkisë, Lorenc Luka.

Mbeti çmim tjetër pa marrë? Nuk besojmë dhe duke iu referuar kënaqësisë që Cocciante dhe Elhaida Dani i dhuruan shqiptarëve me atë fitore të madhe, ndonëse për disa persona këto u dukën të ekzagjëruara, ishin të justifikuara dhe për t’ju rikthyer asaj që tregova në fillim, “le të mos bëhemi skeptikë dhe kritikë aty ku në fakt ka kauzë të mirë”.

Mirëpo, një fije e hollë e ndan një vepër (apo kauzë) të mirë, nga ajo çka ne shqiptarët e quajmë rëndom “bajatosje”. Në përgjithësi, vuajmë nga “bajatosja” pasi kemi tendencën të mos e njohim dhe as vlersojmë rëndësinë e masës. Gjithçka ka masë, përtej limitit të saj, gjithçka ka tendencën të marrë konotacion negativ.

Pas 4 vitesh prej momentit kur Cocciante erdhi për herë të parë në Tiranë, ditën e djeshme ai ka ardhur sërish për të qenë një nga të ftuarit specialë të Festivalit të Këngës që po mbahet momentalisht në Shqipëri dhe sot transmetohet nata e dytë. Lajmi i mirë, u shpërnda kudo dhe me shumë dëshirë të gjithë pritëm që Cocciante i madh të performonte në skenën e Pallatit të Kongreseve. Fundja, është kënaqësi gjithnjë kur një ikonë e kulturës bëhet “i prekshëm” nga të gjithë dhe ardhja e tij ka qenë një nga idetë më të mira të stafit realizues të Festivalit të këtij viti.

Por fill pas mbërritjes së Cocciante-s në Tiranë, vërshuan menjëherë lajmet se ky i fundit u dekorua nga Bashkia Tiranë, duke marrë edhe Çelësin e Qytetit të Tiranës.

Këtu duhet marrë një herë frymë thellë dhe pyetja që vjen menjëherë është: SËRISH?!

E dimë që Çelësi i Qytetit është një dekoratë simbolike që cilido personazh i kalibrit të lartë merr me vete nga Tirana, më tepër për ta pasur kujtim këtë eksperiencë, por sidomos në rastin e Cocciante-s, duket sikur në komedinën e tij të çmimeve në të gjithë karrierën, treçerekun i ka dekorata shqiptare mirënjohjeje.

Në rregull pra, e ka kuptuar që e duam. Edhe që e vlerësojmë. E ka kuptuar që nga dedikimi i Elhaidës në “The Voice of Italy” e deri tek pritja që ju bë kur shkeli për herë të parë në Shqipëri. E ka kuptuar edhe kur duartrokitet dhe kthehet disa herë në skenën shqiptare teksa këndon dhe me siguri, për njerëz si Cocciante, që janë vërtetë të mëdhenj, ato duartrokitje vlejnë më shumë se çdo dekoratë tjetër.

Siç tregova dhe më herët, për fijen e hollë që e ndan vlerësimin nga “bajatosja”, bëjmë mirë që ne shqiptarët, të shtypur e të ndrydhyr prej shekujsh, të mos i vazhdojmë më servilosjet e këtij lloji.

Dhe për ata që mund të thonë se “nuk na u harxhuan Çelësat e Qytetit në Bashki”, është e vërtetë, por nëse i referohemi një ligji bazik të ekonomisë: sasia e shumtë e një produkti, ia ul vlerën këtij produkti në treg. Sasia e shumtë e këtyre dekoratave të dhëna për këdo, madje dhe 2-3 herë për një person, nuk bën gjë tjetër veçse i ul vlerën këtij vlerësimi.

Nuk do çuditesha nëse do t’i jepnin Cocciante-s edhe “Mister Pallatin” ndonjë ditë në Shqipëri, fundja, siç e thash në fillim, ja adhuroj kaçurrelat dhe pamjen tip. Ndoshta ky çmim, i akorduar vetëm për të e për askënd tjetër, do të kishte edhe më shumë vlerë.

/Blitz.al/

 

 

Shperndaje