Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Receta 96-vjeçare e Bajram Currit

Receta 96-vjeçare e Bajram Currit
September 30
13:00 2017

Nga Marin Mema

I dekretuar ministër pa portofol në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes në 1920, por në të njëjtën kohë edhe Komandant i Përgjithëm i Trupave Kombëtare , Bajram Curri ka bërë një jetë në lëvizje e të vendosur në zona të ndryshme të vendit.  Kjo sigurisht ka nisur që me përfshirjen e tij të plotë në organizimet me karakter kombëtar, siç tregojnë pjesëmarrjet në Kuvendin e Pejës, atë të Ferizajt, e betejat e shumta sidomos pas vitit 1908.

Dihet se pas vitit 1922 kur ai u shpall jashtëligjit nga autoritetet e kohës , jeta e tij u zhvendos krejtësisht maleve, përveç periudhës 6 mujore në 1924 kur në krye të vendit ishte Fan Noli.  Kjo ka qënë padyshim pjesa më e vështirë e jetës së tij, por të cilën ai e zgjodhi me vetëdije. Kur masa dërrmuese e përkrahësve të Fan Nolit me rikthimin e Ahmet Zogut u largua jashtëvendit, Bajram Curri vendosi të qëndrojë e të përballet në Shqipëri me rivalin e tij. Nga janari 1925 deri ne fund të muajit mars kur u rrethua në shpellën e Dragobisë, sipas dokumentave ai u ndoq në mënyrë thuajse të pabesuese deri në vdekje nga trupat qeveritare. Ka mjaft të dhëna se për shkak të të ftohtit , kushteve të këqija të jetesës nëpër male, por edhe vështirësive të tjera Bajram Curri ka patur probleme shëndetësore qofshin këto edhe të vogla. Megjithatë duket se një pjesë e mirë e tyre ka qënë e mbartur nga më herët, shkruan Blitz.al.

Një recetë barnash të cilën mjekët ja kanë dhënë në vitin 1921, tregon disa prej shqetësimeve që ai mund të ketë patur që në atë kohë.  Mjeku që e ka vizituar quhet Zejnel Abidin dhe ka shërbyer në Tiranë. Lista e barnave edhe pse vështirë e lexueshme duket e gjatë dhe mjaft e detajuar. Sigurisht identifikimi i ilaceve do ta bënte më të lehtë të kuptonim se cilat ishin shqetësimet e tij shëndetësore. A kishte Bajram Curri diçka serioze apo receta ka pjesë përbërëse të saj barna që merren normalisht edhe nga njerëz që nuk kanë probleme të mëdha.  Në recetë dallohet mirë vetëm magnezi i cili kryesisht merret për forcimin e kockave, por edhe për aktivitetin normal të aparatit kardiovaskular dhe së bashku me kalciumin mund të shërbejë si qetësues natyral.

Pjesa tjetër e recetës është dëmtuar nga koha e ndoshta vetëm ekspertët e fushës do të mund ta plotësonin në mënyrë të detajuar përmbajtjen e saj  Në çdo rast është interesante të shikosh një recetë të tillë të plotësuar mëse 96 vite më parë e që përngjan thuajse tërësisht me të sotmet. Sigurisht kjo recetë mer një vlerë të veçantë sa kohë i përkiste Bajram Currit  një ndër figurave më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare./Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje