Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Reagimi i të pasurve për zjarrin e Notre Dame na tregon shumë për botën ku jetojmë

Reagimi i të pasurve për zjarrin e Notre Dame na tregon shumë për botën ku jetojmë
April 17
20:34 2019

Ditën e hënë, sytë e botës u kthyen tek Parisi teksa katedralja e Notre Dame po digjej. Ishte e qartë brenda disa minutave se ndërlikimet për shkak të moshës së ndërtesës dhe densitetit të trarëve të rëndë do të pengonin përpjekjet për të shuar zjarrin. Gjithsesi, ishte shokuese të shihje ndërtesën ikonike të shkrumbohej, duke iu nënshtruar zjarrit po aq lehtë sa një shtëpi druri.

Të shihje këtë tempull antik të mbytur nga nxehtësia dhe tymi ishte një rikujtim i frikshëm se ka shumë forca aty jashtë që na bëjnë të jemi të pafuqishëm për të shpëtuar diçka të shtrenjtë për ne.

Njerëzit kudo në botë kanë lidhje kuptimplota me Parisin. Është qyteti më i vizituar në botë. Dhe kështu, njerëzit kanë kujtime në Notre Dame, kujtime që u mbuluan me hi në skenën e tmerrshme të së hënës.

Siç është shpesh rasti, ata kundërshtarët e frikshëm ishin kudo, duke u tallur me ata që vajtonin- duke i kujtuar të gjithë që kisha ishte thjesht tulla dhe llaç. Mesa duket, këta njerëz gjithashtu argumentojnë se arti është thjesht “pikturë në kornizë” dhe që fëmijët e tyre janë thjesht “njerëz të vegjël që i ngjajnë dhe jetojnë në shtëpinë e tyre”.

Gjithsesi, asgjë nga ky cinizëm nuk mundi të ndalonte dallgën e vajtimeve.

Brenda pak orëve nga djegia e katedrales, dy nga familjet më të pasura të Francës- të drejtuara nga François-Henri Pinault dhe Bernard Arnault — dhuruan jo pak, por 300 milionë euro për të financuar restaurimin e saj. Qyteti i Parisit gjithashtu ishte i aftë të mblidhte 10 milionë euro.

Arnault është drejtuesi i LVMH, kompania më e madhë në botë e produkteve të luksit. Ai është personi më i pasur në Europë dhe i katërti në botë sipas revistës Forbes, dhe ka pasuri prej 91.3 miliardë dollarë. Ndoshta marka më e njohur e grupit të Arnault është Louis Vuitton. Çanta, valixhe, i ke parasysh.

Ndërkohë, Pinault ka një pasuri prej 30 miliardë dollarë. Ai është një pronari i Gucci dhe gjithashtu i Stade Rennais FC.

Mes tyre, ata kanë më shumë para se shumë shtete europiane- si Kroacia, Serbia, Sllovakia dhe Sllovenia. Nëse do të kishit 3000 euro në një llogari bankare në këtë moment dhe e dhuronit për restaurimin e katedrales, do të jepnit në mënyrë të përpjesshme të njëjtën sasi sa këta të dy.

Diçka që duhet menduar.

Ndoshta një pjesë e neglizhuar e diskutimit është roli financiar që Kisha Katolike mund të luajë për restaurimin. Askush jashtë Vatikanit nuk e di vërtetë sa para Kisha ka, por në 2012 “The Economist” llogariti se buxheti i Vatikanit vetëm për SHBA arrinte në 170 miliardë dollarë. Dhe sipas logjikës, pasuria botërore tashmë duhet të jetë shumë më e madhe.

Papa Francesku ka konfirmuar që po lutet për ata që janë ndikuar nga zjarri i Notre Dame. Pra kjo do të thotë që ai po vendos duart së bashku, dhe jo në xhepa.

Kjo nuk është surprizë për askënd që është përpjekur të mbledhë disa qindra ose mijëra euro për të rinovuar një kishë në Irlandën periferike ose rurale, pa ndihmën e pasurisë së Vatikanit.

Do të ishte tmerrësisht e varfër të sugjeroje që është e gabuar të japësh para për restaurim. Tek restaurimi i trashëgimive për qytetërimin ka një vlerë që tejkalon ekonominë e thjeshtë. Më mirë Notre Dame të mbesë një simbol i historisë europiane sesa 300 milionë dollarë të qëndrojnë në llogarinë bankare të një miliarderi.

Por shpejtësia dhe vlera e përgjigjes së tyre na tregon diçka shumë të rëndësishme për shoqërinë në të cilën jetojmë.

Nëse dy njerëz në një botë me më shumë se 7 miliardë njerëz mund të mundësojnë 300 milionë euro për restaurimin e Notre Dame, brenda 6 orëve, atëherë ka mjaftueshëm para në botë për të ushqyer çdo njeri, për të strehuar çdo familje dhe për të edukuar çdo fëmijë. Arsyeja pse dështojmë ta bëjmë është çështje dëshire dhe sistemi.

Arsyeja pse ne dështojmë ta bëjmë këtë vjen nga dështimi për të kuptuar çështjet emergjente të përditshmërisë që kalojnë të gjithë njerëzit çdo ditë. Veprat e artit dhe historia, bukuria e arkitekturës varet nga mjeshtëria e njerëzve, dhe ata që duhet të mbrojmë mbi të gjitha janë njerëzit.

Tullat dhe llaçi dhe dritaret me ngjyrë mund të digjen, por nuk gjakosen, dhe nuk kanë uri, dhe nuk vuajnë. Njerëzit vuajnë. Kudo në botë, nga Parisi në Persepolis, njerëzit vuajnë. Por vuajtja e tyre është çdo ditë. Nuk zë vend në faqet e para dhe nuk frymëzon bamirësi të menjëhershme nga njerëzit më të pasur në botë.

Franca momentalisht numëron 140 mijë njerëz të pastrehë- 30 mijë prej të cilëve janë fëmijë. Një raport i 2018 nga institucionet katolike zbuloi që në tërësi ka rreth 8.8 milionë njerëz që jetojnë në nivelin e varfërisë. Kjo do të thotë që jetojnë me të ardhura më pak se 1026 euro në muaj, dhe shumë prej tyre edhe më pak se kaq. Një në 8 francezë jetojnë në varfëri. Pavarësisht kësaj, Franca mbetet vendi i gjashtë më i pasur në botë, sipas “International Monetary Fund”.

Herën tjetër që dikush pretendon se duhet të zgjedhësh mes imigrimit dhe të qenit i pastrehë, pagesa e mjekëve dhe pakësimit të taksave, spitalit të fëmijëve apo një autostrade, mbani mend këtë moment. Paraja është një kërcitje gishtash larg. Thjesht nuk është në duart tuaja. /Blitz.al/

Nga Carl Kinsella për www.joe.ie

 

Komento
Shperndaje