Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Qyteti i argjendit ilir…

Qyteti i argjendit ilir…
February 22
16:40 2017

Nga Marin Mema

Për këtë qytet enigmatik dihet pak, por mjaftueshëm për të kuptuar vlerën e tij të madhe. Damastioni u ndërtua në gjysmën e dytë të shekullit IV para Krishtit, duke u kthyer në qytetin e parë ilir që preu monedha argjendi. Ka të dhëna se ai shtrihej thellë brenda territorit dardan e herë paraqitet si qendër administrative,  herë si qendër tregtare. Përmendja që i bën Herodoti i jep një pozicion të veçantë, që forcohet edhe nga fakti se ky qytet njihej për minierat e tij të argjendit.

Monedhat e prera me emrin e këtij qyteti janë gjetur në mjaft vende të Ballkanit, ç’ka tregon fuqinë ekonomike që ai kishte. Në pjesën e tyre të parme shpesh gjejmë figurën e Zeusit apo Apollonit, kurse në pjesën e pasme paraqiten figura të lidhura me mjetet e punës, metalin e elemente të tjera mjaft interesante. Pikërisht për të zbuluar këtë pasuri nuk kanë munguar as kërkimet e hamendësimet për vendndodhjen e tij, nga ato më logjiket deri te më të çuditshmet.

Në fillimshekullin XIX, 19 arkeologë e studiues të huaj e vendosën sa në Damës të Tepelenës, ashtu edhe në Gjirokastër. Historiani i njohur çek Kostandin Jireçek e vendos në afërsi të Dibrës. R. L. Beaumont e parasheh në Mirditë apo Dukagjin. Më i natyrshëm ka qenë identifikimi në territoret e Dardanisë nga akademiku Zef Mirdita. Një element ky që është përkrahur nga masa dërrmuese e arkeologëve e ekspertëve të fushës. Kohët e fundit ka pasur arkeologë serbë që i mëshojnë tezës së lokalizimit të tij në Luginën e Preshevës, por edhe studiues shqiptarë që e vendosin qartësisht në afërsi të Shkupit, qendër e dikurshme dardane.

Askush nuk di të saktësisht as arsyet se si u shua ky qytet i jashtëzakonshëm, por ndoshta teza më e afërt është ajo që lidhet me dyndjet barbare e sllave që, siç thonë autorët antikë, masakruan e shkretuan qendra të tëra në Iliri. Gjurmët janë të shumta, por faktet konkrete jo. Ku gjendet Damastioni i lashtë? Derisa e vërteta të dalë nga nëntoka, nëse ndonjëherë do të dalë, hamendësimet do të vazhdojnë, ashtu si ëndrrat për të zbuluar qytetin e minierave të mëdha të argjendit ilir./Blitz.al/

 

Shperndaje