Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Qendrat e panjohura të bregdetit

Qendrat e panjohura të bregdetit
February 03
16:31 2018

Nga Marin Mema

A e keni pyetur ndonjëherë veten sesa kala apo qyteza prehistorike e të lashta ka bregdeti jugor shqiptar? Sidoqoftë, për diçka të jeni të sigurt, fortifikimi në Porto Palermo nuk është i vetmi që rrihet nga era detare e Jonit, përkundrazi. Që prej fshatit Palasë e deri në Sarandë e më tej, lista është aq e gjatë sa do të duhej një libër i tërë për t’i renditur e analizuar të gjitha. Harta e mëposhtme jep vetëm një pjesë të tyre, ato më të hershmet, sepse ka shumë të tilla që nuk janë të pasqyruara. Dendësia të bën të kuptosh për një zhvillim të madh që ka patur e gjithë kjo hapësirë që në kohët më të hershme. Në lashtësi një pjesë e tyre braktisen dhe ndërtohen qytete të reja në pika më të larta që ofronin edhe më shumë siguri.

Nga Palasa deri në Lukovë dallohen mëse 20 qendra të tilla ku hapësira është vetëm 50 kilometra. Të gjitha komunikonin me njëra tjetrën, duke mundësuar një lidhje që për ato periudha të turbullta ishte thelbësore. Nëse shkon përtej planit thjesht historik e identitar, është impresionuese të mendosh sesa tërheqëse do të ishte e gjithë kjo hapësirë e vënë në funksion të turizmit. Deri më sot përveç pikave të njohura arkeologjike, mëse 90 përqind e kësaj harte jo vetëm nuk reklamohet, por është e vështirë të mendosh se edhe njihet nga strukturat përkatëse. E në mos qoftë kështu, atëherë kemi të bëjmë më një marrëzi që nuk mundet të prodhojë asnjë risi për turizmin shqiptar. Ky sektor nuk bëhet me llogari të ftohta që lidhen me hyrje – daljet e turistëve të huaj, por me ditët që ata kanë zgjedhur të qëndrojnë në këtë vend, e rrjedhimisht edhe me të ardhurat që ata kanë sjellë. Llogari e thjeshtë, apo jo?!

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje