Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Pse tekstet shqiptare kanë ngecur te lekët dhe gocat e bukura?

Pse tekstet shqiptare kanë ngecur te lekët dhe gocat e bukura?
November 07
14:56 2019

Nga Ana Limani

Një këngë e re… Klikon ta dëgjosh dhe të tingëllon e njohur. Dhe jo më kot. Tekstet e reperëve shqiptarë kanë ngecur te kerret e mira, paret, krudot dhe femrat e bukura, sikur të mos kishin asgjë tjetër për të folur (ndoshta vërtetë s’kanë).
Mjafton të hapësh një playlist të këngëve shqip 2 muajt e fundit, dhe del në përfundimin se reperët shqiptarë kanë makina të shtrenjta, ndërrimin e të dashurave e kanë krenari, si dhe bëjnë sikur s’njohin njëri-tjetrin se janë shumë nalt. (Për një gjë jam e lumtur: kanë hequr “king” nga çdo tekst i mundshëm).
Vërtetë kultura e hip hopit flet për jetën e rrugës dhe këto janë temat më të prekura dhe ndërkombëtarisht, po nuk do ishte keq sikur të krijonim pak variacion, sikur t’i këndonim gjërave të ndryshme në jetë, sikur të mos jetonim në të njëjtën “rrugë”. Sikur të ndryshonim të paktën markat e makinave, krudot me ndonjë ushqim tjetër, femrave të bukura t’i thërrasim me ndonjë emër tjetër përveçse “dhipa”, të vëmë në qarkullim dhe fjalë të tjera në fjalorin e gjuhës shqipe, që duhet thënë është goxha i pasur.
Dhe mbi të gjitha, të kthehemi me këmbë në tokë! Boll kënduam që në këngën e dytë se si na njeh gjithë bota, se në fakt tregojmë vetëm sa të vogël e kemi botën.
Përpara se të ankohemi për frymën e të rinjve në shoqëri, të hedhim njëherë sytë te “arti” që i servojmë çdo ditë. Milionat e klikimeve janë miliona mendime të ushqyera tek ta. Le ta ndryshojmë pak perspektivën (dhe jo nuk e kam fjalën për djalin me pamje nga deti apo nga mali) sepse nuk do jetë e largët dita kur shqiptarët do lodhen nga tekstet e përsëritura çdo 2 javë.
/Blitz.al/

Share