Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Pse “po na plas” kaq shumë këtë vit për Festivalin e RTSH-së?

Pse “po na plas” kaq shumë këtë vit për Festivalin e RTSH-së?
November 06
20:04 2019

 

Si rrallë herë këtë vjeshtë-verën e vitit 2019, në qendër të opinionit publik ka ardhur dhe një çeshtje e kulturës, artit dhe specifikisht këngës. Kompozitorë, këngetarë, gazetarë,portale dhe publiku i thjeshtë (që fatkeqësisht në Shqipëri luan dhe rolin e kritikut të muzikës) kanë qenë këto ditë duke folur dhe faktikisht debatuar më shumë se kurrë për konkurimin në Festivalin e RTSH-së. Për ju që pyesni “për kë?”, pikërisht! Dhe nisur nga fakti që të gjithë mesa duket paskan një mendim në lidhje me konkurimin në këtë festival, që pavarësisht të gjithave mbetet një organizim i rëndësishëm i muzikës, ndërkohë që vitet e kaluara mund të ketë ardhur në vëmendje vetëm nga ky dialog:
“-Kush na përfaqëson këtë vit në Eurovizion?
-Jonida Maliqi..
-Ëëëë, po çne?
-Po fitoi festivalin në dhjetor prandaj..
-Aaaa mirë…”
Natyrshëm më lind pyetja: Pse po na plas kaq shumë këtë vit?
Mos prisni ndonjë përgjigje se unë po pyes domethenënë, megjithatë le ta analizojmë pak situatën.

Pas vuajtjes dhe frustrimit të më shumë se një dekade, me aktorë apo personzhe aspak të prirur për të moderuar moderatorësh në netët e festivalit, këtë vit spektakli do drejtohet nga dyshja Alketa Vejsiu-Vera Grabocka. Kështu që, të paktën do ketë një regji dhe prezantim profesional. Por pavarësisht se për shikuesit e thjeshtë afrimi i dyshes drejtuese është lajm i mirë, besoj…Për artistë si Diana Ziu dhe jo vetëm nuk është, sepse sipas një shkrimi të saj të fundit që ka bërë xhiron e botës, Vera(nëse më lejon), ka ndikuar që disa kompozitorëve mos ti pranohen materialet, madje pa arsye. Gjithmonë sipas artistes, materiali që ajo vetë ka dorëzuar ka qenë shumë i mirë dhe regjizorja e juria, po citoj, “e paaftë” e kanë penalizuar. Më pas ajo ka sulmuar dhe Zhani Cikon, pjestar të jurisë të festivalit, për ju millenial-ë që nuk bëni lidhjen e zërit me figurën, burri i thinjur që nuk flet kurrë tek videot në Youtube të “Etheve”, i cili sipas Ziut nuk ka qenë kurrë artist i talentuar dhe po vendos me të padrejtë për njerëzit që punojnë me talent. Meqë ra fjala, nga shkrimi që po flasim mora vesh që Soni Malaj qenka pjestare e jurisë së Festivalit. Tani, vërtetë Soni është këngëtare e njohur dhe e talentuar, por me thënë të drejtën nuk krijon. Performon dhe jep shfaqje, megjithatë përfshirja si anëtare jurie do bënte sens nëse do gjykonte si fituese e mëparshme… Gjithsesiiii, nuk po e zgjasim më me jurinë, janë ata që janë dhe për sa kohë që akuzat e Ziut mbeten të tilla, pra akuza, ne nuk mund të themi asgjë me siguri. Për mendimim tim personal, ata që nuk krijojnë dhe nuk janë të sukseshëm nuk duhet ti gjykojnë ata që krijojnë e që janë vërtetë të tillë.
Ajo që është ndryshe nga vitet e tjera, është dhe pjesmarrja e emrave që janë të rëndësishëm në tregun momental, ose siç rëndom e quajnë, e këngëtarëve komerçialë( gjë që është absurde, se të gjitha këngët dhe këngëtarët janë komerçiale se shiten dhe fitojnë), përkrah emrave të muzikës që janë besnikë të festivalit. Emri më i lakuar është i Elvana Gjatës,e cila po trajtohet mesa kam parë sikur ka bërë ndonjë krim që po merr pjesë këtë vit, ndërkohë që mund ta fajësojmë vetëm për mungesat në kompeticionet muzikore këto vite. Ka nga ata që arrijnë deri aty sa e lakojnë si fituese të paracaktuar, ngrenë akuza për manipulim paraprak rezultati e gjëra si këto, që në fakt nuk do shkaktojê gjë tjetër veçse përdorjen e frazës së famshme “dihej kush do e merrte” në rast se Elvana vërtetë fiton dhe minimin e çdo lloj materiali që ajo do paraqesë. Gjë që nuk ndodh për herë të parë se çdo vit dikush thuhet se është përzgjedhur pa votuar ende artistët e profesionistët.
Mos harroni që ështe dhe Arilena pjesmarrëse, benjamine e Alketës dhe Verës, si të thuash zbulim i tyre..Më shumë e suksesshme ndërkombëtarisht se Elvana e të tjerët dhe që s’do ishte çudi ta fitonte. E sërish askush nuk flet për të. Pra unë mendoj se këtë vit do ketë më shumë konkurencë se vitet e mëparshme, pavarësisht aludimeve dhe mbi të gjitha, më shumë kengë që do ecin në treg dhe nuk do mbesin vetëm në arkiva. Për ata fanatikët, doni apo nuk doni muzika ka ndryshuar, publiku gjithashtu, tregu po e po dhe krijuesit po ashtu. Nëse qëllimi i tyre është jo vetëm të paraqesin këngë festivali, por dhe këngë që dëgjohen dhe që i afrohen stilit të Eurovizionit ashtu qoftë. Festivali i Kengës nuk do jetë më kurrë ai që jeni mësuar dhe pas kaq shumë vitesh tranzicion duket se këtë vit nuk do jetë më një ndërthurje e sikletshme e të vjetrës dhe modernes, por një pasqyrim i kësaj të fundit.
Prandaj dhe publikut, e sidomos atij të riiut po i plas më shumë se vitet e tjera. Dhe ja ku unë e gjeta dhe përgjigjen. Mbi të gjitha ka debat për të më shumë se një muaj para se të nisë, pavarësisht se jo dhe aq pozitiv. Por nëse e njohim sado pak Grabockën dhe Vejsiun, ato funksionojnë dhe me moton “Nuk ka publicitet të keq” në show-t që bëjnë, kështu qe “so far so good”…Edhe për këtë na plas se po flitet, plus ka emra në të që gjenerojnë interesin e publikut, pra interes=i plas.
Ju duket e njohur e gjitha kjo? Mua po, është ajo që pak a shumë strategjia e një tjetër festivali të njohur “Këngës Magjike”, që me trinomin “Ndryshim, zhurmë dhe interes” ka bërë që të jetë goxha i ndjekur. Por Festivalin ka luksin të cojë këngën fituese në Eurovizion. Kështu që nê mos këtë vit, tjetrin do na plasë më shumë për të…

Nga Kejvin Kalo

/Blitz.al/

Share