Blitz

 Breaking News

Pse njerëzve të famshëm në Shqipëri “i ngel hatri” për një batutë?

Pse njerëzve të famshëm në Shqipëri “i ngel hatri” për një batutë?
January 08
18:47 2020

Nga Kejvin Kalo

Në fakt artikulli është për njerëzit e spektaklit, ndikuar nga ngjarjet e fundit të showbiz-it në Shqipëri, por mund të vlejë për të gjithë njerëzit në Shqipëri (ju i njihni sepse jeni ju vetë), të cilët nuk flasin me kushërinjtë e parë për një batutë, zihen me shokët e ngushtë apo urrejnë dhe ofendojë nëpër rrjetet sociale çdo përpjekje për humor ironik ose të zi.

Megjithatë le të meremi pak me njerëzit e spektaklit, sepse fjalët dhe veprimet e tyre ndiqen nga mijëra persona dhe merren shembull nga të rinjtë… deri diku. Me gjasë keni qenë të përfshirë në këtë vorbullën që ka përfshirë disa nga moderatoret më të njohura në vend, më specifikisht thumbimet e Revista Class (zotëruar nga Alketa Vejsiu), për Xhemi Shehun dhe motrat Vjollca. Nuk dua të merrem me atë që është thënë, për këtë mund të lexoni më shumë këtu & këtu, por dua të nënvizoj faktin që gjithçka ka nisur javë më parë, kur Alketa moderonte Fest 58’ dhe si Xhemi ashtu dhe Marina ironizuan në mënyra të ndryshme faktin se si ajo këndonte gjatë gjithë kohës në skenë, apo se ndryshoi shumë herë fustanet e saj. Edhe një herë po jua përsëris, dy moderatoret (ndonjëherë dhe aktore) të  spektakleve të humorit më të ndjekura në vend, bën ironi dhe humor me një gjë që ndodhi dhe Alketa zgjodhi vetë ta bëjë para gjithë publikut, në të treja netët e festivalit.

E lëmë për një moment rubrikën “Unë vonoj por nuk harroj”, këto ditë edhe një tjetër përplasje showbiz-i ndodhi, edhe pse më pak e komentuar por që duhet përmendur. Butrint Imeri, i cili duhet analizuar një ditë të plotë për ato që thotë nëpër emisione, i ftuar në “Shiko Kush Luan”, nën zë dhe si të ishte duke bërë ndonëj batutë me shokët e tij në kafe, tha për Soni Malajn në një moment “Jo more, ajo e keqe është”..Pra që nuk i pëlqen si pamje, gjë që shtyu Sonin të reagojë, në mënyrë ironike. Pra po jua përsëris dhe njëherë, Soni Malaj, artiste me dhjetëra hite përgjatë kaq viteve dhe një nga femrat më seksi të skenës shqiptare, u detyrua të reagojë për një batutë nga Butrint Imeri, të cilit i duket për të qeshur dhe ngacmimi seksual (faleminderit Anabel).

Një rast tjetër që dua të përmend është ai i zënkës dy-ditore mes komedianëve Bes Kallaku dhe Ermal Mamaqi, të cilët me anë të disa postimeve të gjata nëpër Instagram-ërat përkatës u përpoqen që t’i mbushin mendjen ndjekësve se kush bën më mirë humor në filmat që kanë prodhuar dhe kush është më i vërtetë në atë që përfaqëson, pra më shumë se një dekadë batuta dhe humor në ekran. E gjitha nisi pikërisht për një batutë të Besit që tha tekstualisht: “Unë bëj humor, Ermali bën biznes”. Dhe Mamaqi, ndjeu detyrimin t’i kthejë përgjigje, Besi po ashtu më vonë dhe në fund fare nuk “zgjidhën” gjë, vetëm ranë dakord me veten e tyre që janë më të mirët kur vjen puna për të shkaktuar të qeshura te shqiptarët. Kam lajme për ju çuna, por për këtë flasim një herë tjetër.

Pra siç e shihni në 3 rastet më lartë, “përplasjet” kanë nisur nga një batutë, nga një copëz ironie, ndonjëherë e mebtur dhe në tentativë, as nga sarkazma brutale apo nga ndonjë gjë e pavërtetë apo dashakeqe. Ndërkohë matanë oqeanit, në ceremoninë e ndarjes së statujave të “Golden Globes”, në një sallë të mbushur me yjet dhe ikonat e padiskutueshëm të filmave e televizionit, komediani gjenial Ricky Gervais, në një fjalim hapës prej 7 minutash, i quajti producentët e kinemasë perversë, ironizoi me figura si Martin Scorcese, Di Caprio apo Dame Judie Dench, bëri një deklaratë ku përfshiu në një fjali Papën dhe përdhunimet, i tha atyre që kishte përballë se nuk dinin asgjë për botën e vërtetë dhe i akuzoi se nëse ISIS do të hapte një rrjet televiziv me siguri do të punonin për ta. Po flasim për 7 minuta humor të të gjitha ngjyrave, ironi përetj ironisë dhe akuza të vërteta, të thëna të gjitha pa menduar as për pasoja dhe as pa pritur për hakmarrjen e ndonjë prej kolegëvë të tij. E dini pse?  Sepse të gjitha ato që tha i mendon, i shikon dhe dhe mbi të gjitha përdori superfuqinë që ka çdo artist, fjalën e lirë. Ashtu siç bën dhe Xhemi, Marina, Butrinti dhe Besi në këtë rastin tonë e shumë të tjerë artistë e figura të tjera kanë bërë. Por pse ndryshe nga yjet e Hollywood-it dhe jo vetëm, njerëzve të spektaklit në Shqipëri “i ngel hatri” për një batutë?

Jua them unë pse. Sepse personazhe si Alketa dhe Ermali, bëjnë humor në emisionet e tyre me atë që mendojnë ata se është për të qesgur, por kur preken vetë, në atë moment batuta e tjetrit nuk është më e tillë por trajtohet si sulm personal. Sepse kanë harruar atë që bëjnë, spektaklin..Dhe në spektakël nëse je i zgjuar batuta kthehet me batutë, komedia me komedi dhe në fund gjithcka bëhet që njerëzit të krijojnë një qëndrim. Sepse nuk e kanë parasysh faktin që gjërat që thuhen në televizion, sidomos në emisione argëtimi, janë thjeshtë shaka, jeta jonë nuk bëhet as më e mirë dhe as më e keqe nga ato. Prandaj duhen trajtuar si të tilla, pavarësisht nga koha, momenti dhe mënyra si thuhen. Dhe sepse kanë harruar të tregohen falenderues, që dhe kur kanë gjëra për t’i kritikuar, ja thonë në mënyrë të zgjuar, me humor dhe me të qeshura, jo si shumë komente që mund të marrin në Instagram për shembull.

Në fund dhe një gjë tjetër, kësaj rradhe për ju, publikun që shpesh kritikoni humorin apo batutat dhe prekeni. E keni parasysh se si thonë se e qeshura është humori më i mirë. Po. Humori bëhet pikërisht për këtë arsye, edhe kur është për gjëra të këqija si sëmundjet apo problemet e ndryshme shoqërore, në mënyrë që ti harrojmë këto gjëra dhe t’i hedhim pas shpine, në mënyrë që t’i hedhim pas shpine. Nëse nuk bëjmë humor me këto gjëra, nuk mund të bëjmë humor me gjërat e mira, nuk ka se ç’na duhet.

Ndërkohë, për kënaqsinë tuaj dhe të njerëzve të njohur që këto ditë kanë bërë vetëm drama, po e mbyll me fjalët e Ricky Gervais: “Njerëzit budallenj i trajtojnë batutat për gjërat e këqija me të njejtën frikë dhe urejtje, me të cilën njerëzit inteligjentë trajtojnë problemin e vërtetë.” /Blitz.al/

Share