Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pse ke frikë të jesh i lirë? (nga Aulona Musta)

Pse ke frikë të jesh i lirë? (nga Aulona Musta)
November 01
14:11 2018

Sa keq më vjen për njerëzit që jetojnë në këtë vend! Sa keq më vjen që shoqëria i mëson të rriten të ndrydhur, me komplekse, me frikën për t’u shprehur lirshëm, për të pasur një mendim ndryshe dhe për ta thënë atë me zë të lartë, me frikën për të bërë shaka, për të qeshur me sa fuqi kanë, me frikën për të jetuar…

Sa keq më vjen që kjo frymë me të cilën janë rritur brezat para nesh, ndikuar edhe nga rrethanat shoqërore e politike po vazhdon të përçohet edhe në brezat pasardhës. Sa keq që njerëzit nuk e kuptojnë vlerën e madhe që ka fjala liri dhe vazhdojnë jetojnë të ndrydhur në një shoqëri që është e gatshme të kryqëzojë këdo që tregon se jetën e jeton për vete dhe jo për atë që mendon komshija e katit të dytë, e cila pasi mori vaktin e darkës së “drurit” nga bashkëshorti, mendon të nxjerrë gjithë inatin dhe mllefin që ka me botën, duke shprehur hapur mospëlqimin për ty (cilado qofsh ti), që po e prish këtë shoqëri me gjithë mesazhet për liri e pavarësi që jep për gratë!

Jam kaq e trembur që ky vend po vazhdon të rrisë breza të tërë njerëzish të varfër shpirtërisht e mendërisht. Përpiqem shumë të mos gjykoj dhe ta justifikoj të gjithën këtë, me varfërinë materiale. E di shumë mirë që një bark i zbrazët e ka shumë të vështirë të prodhojë  një shpirt e mendje të pasur, por revolta ime është më së shumti ndaj atyre që me vetëdije heqin dorë dhe zgjedhin më mirë t’i nënshtrohen rregullave arkaike të një shoqërie të lodhur e të dorëzuar, se sa të luftojnë për të bërë qoftë edhe një ndryshim të vogël. Revolta ime është ndaj atyre që kanë mundësinë dhe fuqinë për të folur, për të shkruar, për të vepruar, për të dhënë shembullin tek turma dhe nuk e bëjnë këtë, sepse kanë frikë.

Sa frikë i kam frikacakët! Frikacakët që diç kanë në dorë të ndryshojnë në mentalitetin e vyshkur të kësaj shoqërie, por s’e bëjnë sepse kanë frikë se gjykohen, përçmohen, anatemohen nga turma e cila edhe pse e zhytur shumë thellë në baltë, kujdeset gjithmonë që gishtin tregues ta mbajë lart, drejtuar nga ti… në përpjekje për të të bërë pis. Sepse vetëm kështu mund të jetojnë “të lumtur” në baltën e tyre!

Por unë s’mund ta lejoj këtë! As ti nuk duhet ta lejosh! Unë dhe ti nuk duhet t’i heqim të drejtën vetes të mendojmë, të flasim, të qeshim, të veprojmë të lirë nga frika se një, dy, tre, dhjetë, njëqind, njëmijë injorantë që jetojnë çdo ditë me zhurmën e të bërtiturave të prindërve, të bashkëshortëve, të shefave, etj. shqetësohen e revoltohen nga zhurma e të qeshurës tënde…

Mos harroni: njerëzit e palumtur i tremb dhe i bezdis buzeqeshja jote, prandaj mos i lejo kurrë të ta zbehin atë!

Mos lejo kurrë të të ndrydhin mendimet, të të kompleksojnë sjelljen, të të tjetërsojnë qenien. Mos i lejo injorantët dhe frikacakët të të tërheqin në batakun e tyre. Mos lejo askënd të të cënojë lirinë në emër të disa parimeve false, të një shoqërie hipokrite që do të donte shumë të kishte kurajon tënde për të qenë e lirë, por duke qenë shumë frikacake për ta bërë këtë, përpiqet të të bëjë ty rob të injorancës së saj.

Mos u dorëzo kurrë në luftën për të qenë i lirë! Ndryshe nuk do të jesh kurrë i lumtur! /Blitz.al/

Komento
Shperndaje