Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Protesta për Xhisielën që sërish u kthye në një protestë politike… Isha dhe unë aty!

Protesta për Xhisielën që sërish u kthye në një protestë politike… Isha dhe unë aty!
October 01
18:30 2018

Sot isha dhe unë në protestën e organizuar për Xhisiela Malokun, vajzën e përdhunuar që goditi shoqërinë me deklaratat e saj. Isha sepse çdokush duhet të ishte aty sot,pasi kjo çështje nuk i përket vetëm Xhisielës, por na përket të gjithëve që jetojmë në këtë shoqëri. Nuk ka të bëjë me Xhisielën, ka të bëjë me të gjithë ato vajza që vuajnë në heshtje, ka të bëjë me fenomenin e përdhunimit. Isha sepse media ku unë punoj është e lirë dhe është e gjitha për njerëzit.

Për diçka isha e lumtur kur pashë një grumbull të madh njerëzish, sepse mund të ishte ndër të paktat herë që mblidheshim dhe ngrinim zërin për një çështje humane. Por mund ta them me plot bindje, që i kërkojmë ndjesë çdo vajze që edhe këtë, si çdo herë tjetër, e kthyem në politike.

Dhe pse organizatorët e sqaruan që në fillim që ishte protestë e shoqërisë civile, shumë pak kishin ardhur si qytetarë. Sepse nga turma u dëgjua vetëm thirrja kundër Ramës, kundër partive politike. Sepse thuhej se nuk ishte politike, po folësit e nisnin fjalinë duke përmendur “parti” dhe “rrëzim qeverie”.Partitë dhe qeveria kanë pafund probleme, por sot nuk ishim aty për këtë.  Nëse luftojmë për të hedhur poshtë e për të ringritur qeveri, nuk zgjidhim fenomenin.  Duhet të ngremë zërin që të ndryshojmë mendësinë më të cilën rrethohemi dhe qasjen e institucioneve kur dikush i drejtohet për një krim të tillë.  Sepse nëse këtë herë përdhunuesi ishte djali i deputetit të PS, plot herë të tjera është thjesht një mashkull i çfarëdo besimi politik.

Organizimi ishte i mirëmenduar dhe për këtë duhen falenderuar, idetë ishin të përcjellura mirë, por ajo që nuk shkonte në këtë protestë është që njerëzit e thjeshtë që ishin aty nuk ishin për një çështje njerëzore, ishin për një çështje politike. Dhe kjo lë shumë për të dëshiruar, pasi janë ata njerëz me të cilët rrethohemi çdo ditë. Dhe një protestë bëhet nga njerëzit, nga fuqia e tyre dhe nëse pyet ato gra të dhunuara që e ndoqën nga ekranet e televizionit nëse ndihen më të fuqishme e më të sigurta pas saj, dyshoj që përgjigja të jetë pozitive.

Ajo që më bëri përshtypje ishte që personi që foli për gratë, dhunën ndaj tyre dhe çfarë duhet bërë konkretisht për t’i mbrojtur ato dhe për të parandaluar këto raste, ishte një e huaj që ka vendosur të jetojë në Shqipëri dhe punon si blogger. Ndoshta dhe ne si shqiptarë së shpejti do mësojmë të protesojmë për kauzën që po flitet, dhe jo për partinë që na mban në punë. Ndoshta janë ende fillimet tona.

Kishte diçka që protesta e sotme donte të përcillte, por me vështirësi nuk e di a ja doli sepse thirrjet politike të turmës e mbysnin. Donte të përcillte që njerëzit të kuptojnë se trupi i një gruaje i përket vetëm asaj. Është krim të dhunosh trupin, dinjitetin dhe mendjen e saj. Të kuptojnë që viktimat nuk janë fajtore në asnjë lloj rrethane dhe nuk ishin ato që vetë e kërkuan. Dhe kur një rast i tillë të ndodhi, të mos i kthejnë shpinën duke i treguar se thirrja e saj për ndihmë dhe për të drejtat që i takon, nuk vlen. Ta dëgjojmë dhe ta ndihmojnë. Ta mbrojmë që në momentin e parë që ajo i drejtohet komisiariatit për të denoncuar ngjarjen. Të vendosim përpara përgjegjësisë morale dhe ligjore çdokënd që kryen këto akte të shëmtuara. Të mos e lëmë të pandëshkuar fajtorin dhe të patrajtuar viktimën.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje