Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Protesta dhe kapistalli

Protesta dhe kapistalli
February 18
09:32 2017

Nga Kozeta Kurti

Më vjen turp të mbaj leksione të hapura virtuale mbi protestën;  kujdes: protestën, jo protestat, sepse pavarësisht fokusit që kanë ato, të gjitha bashkohen në arritjen e qëllimeve të përbashkëta për një çështje me interes të gjerë e të lart, mbështetur tek e drejta për të ushtruar të drejtat tona themelore.

Më vjen turp se do më duket vetja si ata që shoh këmbë përmbi këmbë çdo natë në televizion, që më shpjegojnë mua se çfarë është protesta dhe që më vjen t’i zhduk me një të fshirë të ekranit. Ndaj kam frikë të mbaj leksione të hapura, se kam frikë mos dikush më fshin mua. Sepse unë nuk jam vetëm, kam sa të duash të ngjashëm me veten, ndoshta në minorancë, por jemi.

Ne jemi ata që nuk bëhemi skllevërit tuaj; ne jemi ata që nuk ju lejojmë juve të vendosni për votën tonë, por as nuk ia lejojmë vetes të zgjedhim të keqen më të vogël në këtë vend! Hiç, ne bëjmë vjersha dhe piktura në fletët tona të votimeve dhe ju sugjerojmë; për shembull pse nuk hyni në test ju? Pse nuk e bëni pjesëmarrjen në zgjedhje të detyrueshme, por krahas alternativave të propozuara shtoni edhe një alternativë tjetër: “asnjë nga këto” që ta shihni veten, e di ku? Nuk po e them se kam edukatë… dhe nuk do na llokoçisni stomakun duke dalë me flamuj e lavdi e të na thoni: Fituam me aq e kaq për qind… Me përqindjen e syve që t’ju pëlcasin; me përqindjen e përqindjes minimale që ia bletë shpirtin lirë me thërrime.

Por ju nuk keni asnjë faj; me ata që keni blerë, i keni mbyllur hesapet ju. Dhe keni të drejtë! Njerëzit hyjnë në lojëra për të fituar dhe do përdorin çdo lloj mekanizmi për të arritur qëllimet e tyre, sado të ndyra dhe të padrejta qofshin ato, kurse ata që shiten, ata që shiten, janë krimbi në këtë milet. Egoistët që nuk shohin përtej hundës së tyre, madje as deri tek e ardhmja e fëmijës nuk mendojnë: “Kam fëmijë për të rritur unë. Kam gojë për të ushqyer. Do ta ul kokën”. Po pse, atyre  në Indi në 2011-n ua kishte falur kush kalamajtë? Po ata në Stamboll, në 2013-n, ku i kishin gjetur kalamajtë, në plehra? Po këtyre në Rumani, nuk u dhimbsen fëmijët e tyre? Po mua, mua, edhe ty, çfarë të gjeti kur prindërit tuaj dhe të mitë, nuk i thirri asnjë burrë me kollare, por shokët e tyre njëzet e shtatë vjet më parë? Pati të lënduar? Po, pati! Në emër të kujt pati të lënduar? Në emër të varëses së floririt që mban në qafë dhe shkon për dhjamë qeni për dyqind euro? Në emër të zaptimit të territoreve të mbjelljes e shpërndarjes së hashashit? Në emër të “ç’a ke që më shef”? Në emër të “kush e këput më shumë llastikun” dhe derdh kartëmonedha ngjyrë lejla? Në emër të kulteve mafioze “sapeva di piu”? Në emër të kujt pra? E sigurt që në emër të asnjë prej motiveve të lartpërmendura, por në emër të ajrit që ne kemi nevojë të thithim, atë të lirisë.

Epo unë nuk ndihesha e  lirë të merrja pjesë në protestën e  Ramës më 21 janar 2011, në “protestën pa lider” ku maxhordomët e zonave erdhën derë më derë dhe njoftuan për vendin dhe datën, dhe orën dhe arsyen! Arsyen më të re madje, atë të ryshfetit shtatëqind mijë euro të Ilir Metës. (Projektligji që kërkonte shfajësim për politikanët për shkeljet me fondet që mbërrinin deri në shumën 47.800 dollarë u bë mollë sherri në Rumani, por nejse, ne jemi “brand”. Nuk flasim për kështu qindarkash.) Unë nuk mund ta mbështesja Ramën të vinte në pushtet pse ai ishte mërzitur duke qenë në opozitë.

Unë nuk mund ta mbështes Bashën nesër, ngaqë ai është mërzitur duke qëndruar në opozitë dhe do të vijë në pushtet (le që të presë pak një herë, se nuk ka ardhur ende koha ta kërkojë pushtetin).  Qeverisja e një populli nuk është lojë që herën e parë të mësoj si luhet dhe herën e dytë të luaj tamam. Basha aty ishte, nëpër ministri, edhe një mandat në Bashkinë e Tiranës. Kjo punë nuk është mea-kulpa, na falni se do e rregullojmë herës tjetër, sepse po qe kaq e thjeshtë, hajde, zbrisni nga kali, se ka plot që dinë të kërkojnë falje më bukur se ju të gjithë.

Unë do të doja të mbështesja sindikatën, po ku ta gjej? Dy  sindikatat, që njëra i bie patkoit e tjetra gozhdës? Njëri mbështet nga këta e tjetri nga ata? Njëri gllabëron prona sindikatash këtej e tjetri e bën syrin qorr andej?

Ku janë liderët e sindikatave profesionale? (Ka edhe nga ato profesione që s’kanë fare sindikatë.) Ata mbështes në protestë unë. Intelektualët, profesionistët, zanatçinjtë, të papunët që duan t’i gjendet punës njeriu dhe jo njeriu punës. Për këta jam gati unë të shkoj në protestë, për ata që kanë këllqe ta paralizojnë veprimtarinë e përditshme të këtij vendi dhe t’u thonë këtyre njerëzve të veshur me Armani e me çanta Hermes: Jam unë pa je ti.

Jam gati të shkoj në protestë për mjekët, që për më shumë se gjysmë shekulli i kemi telendisur si të pashpirt, ndërkohë që i kemi mësuar vetë me lekë në xhep, por nga ana tjetër po flasim për një profesion, të cilit ata burra dhe gra nuk i kushtojnë disa vite të jetës, por gjithë jetën e tyre  dhe paguhen me rrogë sa kapaku i smartphone-t të një kukulle silikoni. Jam gati të shkoj në protestë për mësuesit, për ata që e ushtrojnë profesionin ndërkohë edhe për ata që nuk e zgjedhin më, për shkak të përçmimit dhe talljes financiare që i bëhet këtij profesioni. As sa një bibë specialiste në ndonjë drejtori, që kushedi si dreqin ka hyrë aty dhe lyen tërë ditën thonjtë me manikyr, nuk paguhet një mësues. Jam gati të shkoj në protestë për policët që s’kanë faj pse nuk e fusin dot kokën në rrezik për ato rrogat e tyre qesharake përballë vështirësisë së profesionit që ushtrojnë, për gazetarët që ua tredhin gjuhën pa mbërritur ende në redaksi, që i përdorin, i sfidojnë dhe i hedhin në rrugë si lecka. Për dhjetëra të tjera jam gati të shkoj në protestë, për bizneset e njerkës se të nënës e kanë zgjidhur problemin…për çdo protestë të vërtetë pa lider, do isha aty unë, por jo për portretet e paskrupullt të atyre që deri dje ishin të vendosur në krye të institucioneve të rëndësishme dhe nuk lëvizën gishtin të mbështesnin ata që e meritonin dhe tani, të zbythur nga sistemi, kakarisin në emër të shoqërisë civile, me demek. Si t’ju besoj unë juve? Juve jua zënë rrylin me një shuk buk’ dhe harroni çfarë keni thënë dje.

Protesta është në shpirtin dhe zemrën e gjithsecilit; po nuk u zgjua aty së pari, individualisht, nuk ka se si të zgjerohet më shumë; nëse ti s’ke respekt për veten tënde, unë jo vetëm që nuk do të kem për ty, por do të të zhys poshtë në llum sa të më hajë këmba.

Do merrni ca lekë për të shkuar në protestë? Ose ca të tjera për të mos shkuar?

I morët? I hëngrët? I hodhët atje ku shkojnë çdo ditë?

Tani ta harrojmë shijen e atyre që hëngrëm dhe të hamë atë që jemi mësuar të hamë gjithmonë, deri herën e ardhshme, kur zoti i ri të fshikullojë kapistallin e radhës. Deri atëherë, SUS!

Shperndaje