Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

PriFest/Festivali jëtëgjatë sa shteti – nga Kozeta Kurti

PriFest/Festivali jëtëgjatë sa shteti – nga Kozeta Kurti
August 03
14:43 2018

Nga Kozeta Kurti

Vjeshtën e vitit të kaluar, udhëtova drejt Prishtinës për të takuar regjisorin Fatos Berisha për t’i besuar atij një projekt teatral që do të bëjmë sëbashku këtë vjeshtë, në Tiranë në një stinë jo fort të mirë për Teatrin.

Nisi ashtu si një bisedë e zakonshme pune dhe vetëm disa javë më vonë në Tiranë, takova edhe zonjën e tij, producenten Vjosa Berisha, e cila diti të vendoste një raport jo vetëm profesional midis nesh, duke më propozuar të menaxhoja xhirimet në Tiranë të projektit të tyre filmik “Cirku fluturues”, por edhe një tryezë të bukur miqësore.

E bëra këtë hyrje për të “justifikuar” edhe profesionalisht, edhe miqësisht ftesën që Vjosa e Fatosi, si drejtues të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, PriFest, më bënë për të qenë pjesë e jurisë së medias.

Profesionalisht e kuptoj, sepse jam e përkushtuar dhe e përgjegjshme, kurse miqësisht hiç nuk i kuptova! E dini pse? Sepse prita të vinin e të më kërkonin të kisha kujdes atë apo këtë film, se “nuk mund ta lëmë të dalë nga Festivali pa trofé”, siç ka ndodhur në disa juri të tjera, prej të cilave kam ikur me vrap, sepse në çastin e fundit, organizatorët më kanë kërkuar pikërisht këtë. Dhe nuk ndodhi!

Ndoshta shumëkush e konsideron një Festival filmi dhe jo vetëm, atë ngjarjen e çeljes dhe parakalimit në tapetin e kuq (apo në tepihun e kuq, siç i thonë në Prishtinë) si edhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve natën e fundit dhe PriFest-it nuk i munguan këto, por më e rëndësishme është iniciativa për të krijuar forume diskutimi dhe panele që e ndihmojnë filmin të përmirësohet në realizimin e të gjitha hallkave të procesit të tij, në formë, përmbajtje e menaxhim. Ndoshta ndaj Prishtina kishte njëmbëdhjetë filma pjesëmarrës në disa kategori, ndër pesëdhjetë e tetë, prodhime nga Ukraina, Spanja, Italia e deri Palestina.

Dhjetëra të huaj, producentë, regjisorë, kritikë filmi etj që e bënë Prishtinën kryeqytet europian për gjashtë net, më bënë të kuptoj atë që e ftuara e nderit, aktorja e madhe Vanessa Redgrave tha midis të tjerash: “Një festival filmi është fytyra e një vendi, ndaj tregohuni të kujdesshëm me këtë festival”,- me PriFest-in, i cili ka po aq jetë sa edhe Kosova e pavarur.

Fytyra të qeshura që gëzojnë suksesin, njerëz të bukur që çmojnë atë që ka më shumë rëndësi: krijimin e atmosferës dhe marrëdhëniet njerëzore.

Si nuk ndodhi të shanin, të fyenin, të ulërisnin me sa kishin në kokë se “nuk ja dolën”, siç shpesh në prapaskenat e Tiranës ndodh, duke krijuar armiqësi e banalitet deri në dhimbje. S’bie njeriu në batak për një kupë e për një çmim.

Ndoshta për këtë arsye PriFest e ka aq të merituar sloganin: Friendship Forever (Miqësi përgjithmonë).

Dhe u ktheva në Tiranë “xheloze”, jo se Tirana nuk ka festivale, por sepse fryma që gjeta atje mungon; mbështjetja që gjeta atje mungon. Jo gjithmonë është çështje parash. Më shumë se sa kaq, është çështje vizioni, largpamësie dhe për këto na merr malli t’i ndeshim, ndaj na bën përshtypje kur përballemi me to, ndonëse janë normat kryesore, ABC-ja e mirëfunksionimit të një sipërmarrjeje të tillë.

Dhjetë vjet PriFest e më shumë vjet investim kohor, financiar, burime njerëzore nga Vjosa e Fatos Berisha për të marrë pjesë në festivalet më të njohura të filmit nëpër botë e për të sjellë një copëz të tyre në Prishtinën e vogël, por që di të bëjë gjëra të mëdha.

PriFest-i nuk është Kana, por çdo spurdhjak/e që ky festival i rri i vogël, të provojë ta bëjë një herë vetë, të heqë dorë nga lojërat e kalamajve me foto instagrami demek Kane, se të gjithë e dimë që mezi sigurojnë një biletë për tendat e promovimit të bizneseve përreth dhe pastaj mundet të thotë: Festival i vogël për Prishtinën e vogël.

Dua të kthehem në Festival dhe më përzihen dy ndjenja në një: dëshira për ta jetuar sërish këtë përvojë të paharrueshme dhe frika nëse do të jetë po kaq e bukur…

Nuk ka rëndësi nëse do jem në juri, në staf, bashkëpunëtore apo jo… e rëndësishme është që unë do të jem aty, sikur edhe për të ndjekur projeksionet dhe për të mos humbur ato mbrëmjet nën kupën e qiellit plot yje të Prishtinës, ulur në shkallët e Teatrit Kombëtar, mbushur me krenari për një Festival standardesh që flet shqip! /Blitz.al/

Komento
Shperndaje