Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pra, e ndamë mendjen Xhaka dhe Shaqiri janë tradhëtarë apo heronj?

Pra, e ndamë mendjen Xhaka dhe Shaqiri janë tradhëtarë apo heronj?
June 23
12:44 2018

Jehona e ndeshjes së djeshme mes Serbisë dhe Zvicrës në Kampionatin Botëror vazhdon ende edhe sot. Zvicra siguroi fitoren nëpërmjet golave të dy futbollistëve  me origjinë nga Kosova Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Para ndeshjes u kuptua qartë që shqiptarët bënin tifo për Zvicrën dhe jo më kot: Të gjithë e dimë se pjesë e kësaj kombëtareje janë disa prej futbollistëve me origjinë nga Kosova nëpërmjet të cilëve ne shqiptarët kërkonim të nxirrnim të gjithë mllefin që kemi kundër Serbisë. Me kontributin e Xhakës dhe Shaqirit  ja dolëm!

Por veç golave, një tjetër gjest që gëzoi popullin dhe bëri mjaft bujë ishte pikërisht shqiponja me duar që bënë ata pas golit në fushë..

Kaq mjaftoi që në rrjetet sociale të thuren lavde për Shaqirin dhe Xhakën. Ata na bënë krenarë, na lumturuan, fotot e tyre u shpërndanë me një shpejtësi marramendëse. Në titujt e sotëm dhe postimet në rrjet lexojmë: “Shqiponja fluturoi në Rusi”, “Shqiptrët gjunjëzojnë serbët”, Shqiponja fluturon sërish përballë serbëve”.

Por prisni pak a nuk ishin pikërisht këta dy shqiponja që volli vrer një popull i tërë pak kohë më parë?

“Ata ishin tradhëtarë!”- të paktën kështu u cilësuan.

Rikujtojmë një ndeshje të disa viteve më parë mes Shqipërisë dhe Zvicrës.  Shqipëria humbi me rezultatin 0:2. Ju kujtohet kush e bëri golin e parë të Zvicrës? XHERDAN SHAQIRI…

E pasi bëri golin ai ishte tradhëtar, anti shqiptar, në stadium nuk munguan brohorimat kundër tij, le të mos flasim për shkrimet në gazeta e në rrjetet sociale. Ai na nguli thikën në zemër dhe ne nuk ngurruam ta hidhnim poshtë menjëherë.

Pak kohë pas këtij goli të shumë përfolur, ishte pikërisht krenaria tjetër e jona GRANIT XHAKA që pas deklaratës së tij, populli shqiptar jo vetëm që e shau por e urreu!

Granit Xhaka u shpreh kundër bashkimit të kombëtares Shqipëri-Kosovë e cila u propozua nga ish kapiteni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana. Madje tregoi se do të mendonte për një ofertë për në Kombëtaren e Kosovës por jo në një Kombëtare të përbashkët Kosovë- Shqipëri. Gjithashtu ai nuk hodhi poshtë Zvicrën, vendi të cilit i dha dorën për të arritur këtu ku është sot.

“Unë i jam mirënjohës Zvicrës për të gjitha. Jam i lindur në këtë vend, këtu e kam kryer shkollimin, kam mësuar lojën e futbollit dhe jam bërë ky që jam. Ndërkohë vendin tim, Kosovën, nuk e harroj kurrë dhe jam shumë i lidhur me të. Por, siç e thashë, angazhimi për Kosovën në këtë fazë, nuk është temë. Nëse Kosova pranohet me të drejta të plota si anëtare e FIFA-s, atëherë mund ta rishikoj pozicionin tim”- kjo ishte një pjesë e deklaratës së parë të Xhakës që i vuri pullën e një anti shqiptari.

Pas kësaj Graniti u quajt tradhëtar për herë të dytë kur nuk u transferua në kombëtaren e Kosovës pak kohë më parë por zgjodhi Zvicrën. Në fakt kjo nuk ishte një zgjidhje e tij dhe ne të gjithë e dimë këtë por përsëri e shamë edhe pse ky ishte një vendim i FIFA-s.

“Pse të mos pranojë ai të luaj me Shqipërinë?, Si i bëri gol Shqipërisë?, Le të rrinë në Zvicër, Nuk e duan vendin e  tyre nuk janë patriot”- ishin këto disa nga shigjetat që ne populli shqiptar hidhnim furishëm drejt Xhakës e Shaqirit.

Le ti lemë mënjanë patriotizmat: Jo shumë kohë më parë i shkelëm me këmbë në rastin e parë që na u dha, kurse tani  i kthyem ata na heronj. Njëlloj siç u veprua edhe dje. Nuk po flas për një dy tre veta, por për të gjithë!

Të lajmë të shpëlajmë, të hedhim të ngrejmë sërish. Me një lojë ping-pongu (hidh e prit) i vlerësojmë gjithmonë figurat shqiptare jashtë vendit.

Por tani kam një tjetër dilemë: Në ndonjë rast tjetër si ato të disa viteve më parë, sërish do i quajmë tradhëtarë dhe do nxjerrim helm për ta, apo do të ulim kokën do të kujtojmë shqiponjën në stadiumin e Kalingradit e do të qëndrojmë krenarë?

Erdhi koha të vendosim: “boll me urrejtje dhe mllefe, por le ti duartrokasim të gjithë së bashku këta figura shqiptare, le të ndihemi krenarë për arritjet e tyre jashtë vendit  sepse edhe në qoftë se nuk kthehen këtu, edhe në qoftë shënojnë sërish gol kundër Shqipërisë ata përsëri mbeten shqipëtarë njëlloj si të gjithë ne!/Blitz.al/

Nga Kilda Hysenbegasi

Komento
Shperndaje