Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Po ju flas për fatin e fqinjëve të mi, ndaj mos më çani dërrasat se po bëj politikë!

Po ju flas për fatin e fqinjëve të mi, ndaj mos më çani dërrasat se po bëj politikë!
June 04
10:16 2017

Shkrimtarja Flutura Açka dallohet për qëndrimet e saj realiste mbi të cilat ravijëzon aktualitetin shqiptar përmes postimeve në profilin personal në Facebook.

Së fundmi, Açka ka shkruar për falimentimin e disa prej bizneseve në lagjen e saj për shkak të krizës.

 

SHKRIMI I AÇKËS

 

Kohë depresive burojnë nga qeveri depresive…

Këto nuk janë fjalët e mia, por m’u kujtuan tek u ktheva në atdhe shumë muaj më pas. Në rrugicën time, në qendër të Tiranës, nuk i gjeta më fqinjët e mi, që ma bënin familjar vendin:

Bukëpjesësi nuk ishte më, kishte falimentuar.
Floktorja nuk ishte më, kishte falimentuar.
Shitoja e fruta-perimeve nuk ishte më, kishte falimentuar.
Minimarketi im nuk ishte më, kishte falimentuar.
Këmbimorja nuk ishte më, kishte falimentuar.
Shitoja e lëndëve të ndërtimit nuk ishte më, kishte falimentuar.

Ishte shtuar një avokat për çështje administrative (natyrisht, më shumë gjyqe ka për shkelje të drejtash sesa për kriminelë), një tjetër avokat penal, një tjetër avokat që bënte njëherësh zyrë turistike dhe përkthime.
Përballë, megjithëse rrugica është shumë e ngushtë, ishte ngritur thuajse i gjithi me hov të madh një pallat i ri (i është dhënë leja këtë vit) që ia kishte zënë sytë të gjitha shtëpive të ulëta rrotull. Në krah të ngrehinës sime, pa kurrfarë largësie me fasadën tonë, ishte ngritur (i është dhënë leja para tre vitesh) një tjetër që ka tre vite me themele të hapura e me napat e varura nëpër skela. Pas shpinës sonë, shumë shpejt do të na e zërë frymën një tjetër pallat, por përkohësisht hekurat e dala të themeleve të tij janë kthyer në landfill i hapur ku kush nuk gjuan plehra, madje edhe drejt nga katet lart. Fqinjët e mi të afërm po mblidhnin fonde që të suvatojnë faqen e murit që na u zu, sepse për shkak të atij ndërtimi të ngritur pa kurrfarë respekti largësie, kërcënohemi nga lagështia dhe fëmijëve na u rrezikohet jeta.
Kuturisa të bëj një xhiro nga Pazari i Ri, ku veç pastërtisë së lëvdueshme (faleminderit edhe për kaq!), zona m’u duk sikur e kishin zënë menstruacionet prej ngjyrave, siç e gjithë Tirana jonë në përgjithësi, që dizenjohet pa i pyetur njeri banorët e saj. Aty ndesha vetëm kafe-kafiqe-kafene-kafehane dhe njerëz që dergjeshin në tryezat e tyre. Ngrënës e pirës. Asnjë librari, apo shitore bojërash për piktura, apo ndonjë kënd të vogël lojërash për fëmijë, apo shitore veglash muzikore, arturinash e sendurinash që nuk të kujtojnë vetëm gojën. Pyes, a ka kush ndonjë lloj tjetër hobi njeri këtu, veç të këqyrë ekranet e mëdhenj nga derdheshin gënjeshtrat që shoqërojnë fushatat zgjedhore?

Dielli jodepresiv më shtyu të vesh fustan e t’i gëzohesha asaj që i ka dhuruar natyra këtij vendi. Por tek mirosesha, m’u kujtua rrugica dhe u përpoqa të përfytyroj fatin e atyre që atë çast ishin pa bukë, sepse kishin ulur qepenat e tregtoreve nga i jepnin kuptim përditës së tyre. Dhe si njeri me një ndjeshmëri minimale, ndërrova mendje. Mos më çani dërrasat e më thoni se po bëj politikë. Po ju flas për fatin e fqinjëve të mi, që nuk i shoh më këtejpari dhe nuk e di se si e mbyllin ditën e tyre të varfër, pasi vetëm ndriçimi i diellit nuk u mjafton të jenë të gëzuar. Ndonjëri prej tyre mbase do të jetë i ulur në ndonjë minimiting, që kësaj fushate duken si imitime pleqësish, nën diell e në pisk të vapës duke dëgjuar broçkullat të fushatës elektorale.
Ashtu, e trazuar për fatin e fqinjëve të mi, ndërrova pamje, vesha tuta dhe atlete, vura kasketë dhe dola jashtë për fushatë… paramentale.

Shperndaje