Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përse nuk dola në protestën “Për Universitetin” dhe përse nuk duhet të dilnin as studentët që morën pjesë

Përse nuk dola në protestën “Për Universitetin” dhe përse nuk duhet të dilnin as studentët që morën pjesë
January 24
18:17 2018

Nga: Sara Mila 

Të qenurit studente në degën e Shkencave Politike, ka një avantazh të madh krahasuar me gjithë të tjerët: mundesh ta kuptosh gjithë politikën që ndodh rreth e rrotull teje, ndaj dhe sheh me sy kritik gjithçka që të shfaqet si një shkop magjik që mund të rregullojë gjërat sa hap e mbyll sytë, shkop që shumica vendosin ta besojnë.

Dhe meqënëse jam jo vetëm studente e Shkencave Politike por edhe me dëshirën e çiltër për të qenë gjithmonë kontribuese në këtë shkencë (e theksoj këtë sepse shumica e kolegëve të mi në Shqipëri, as nuk ja kanë idenë se përse janë tek kjo degë, thjesht ju pëlqen si emër e mendojnë se mund të bëhen deputetë me të mbaruar shkollën), një nga parimet thelbësore që mësojmë në auditor është rëndësia e të qenurit qytetarë të denjtë të komunitetit tonë. E një ndër detyrat kryesore të të qenurit qytetar aktiv, është marrja pjesë në protesta për të mbojtur pikë së pari veten por edhe komunitetin.

Disa studentë të Universiteteve Publike, kryen sot një ndër virtytet më të mira të demokracisë, ata protestuan. Të paktën kështu u shfaq në media, u tha se ata protestuan. Nëse do të ishtë kështu, me siguri do isha dhe unë me pankarta në dorë, si studente që jam dhe si racionale për sa e mbaj veten. Por e sotmja, me gjithë pompozitetin dhe zhurmën që krijoi në rrjete sociale, nuk ishte protestë e studentëve, ishte protestë e atyre, që e dinë mirë se të përdorësh protestën e studentëve për të përmbushur objektivat afatgjata për t’ju futur politikës, është rrugë më e shkurtër dhe të garanton sukses.

Nuk i trembem as emrave të përveçëm dhe as atye të përgjithshëm. Flas konkretisht për organizatën që mori përsipër protestën dhe bëri thirrjet, organizata “Për Universitetin” ku disa të rinj e të reja me bindje ekstreme të majta, nën kryesimin e pedagogut dhe njëkohësisht aktivistit Arlind Qori, mendojnë se komunizmi nuk bëri mjaftueshëm dëme në Shqipërinë tonë, ndaj dhe duhet të rikthehet sërish për tu implementuar saktë këtë herë.

 

E ata, idetë e tyre, i kanë nisur me arsimin, për ta çuar më pas përpara këtë projekt në plan kombëtar ku me shumë mundësi, më shpejtë nga sa mendojmë, do e shohim lëvizjen “Për Universitetin” të renditur si një parti politike. Do të ketë një ndryshim nga partitë e tjera inekzistente të listës, kjo parti ekstreme e majtë, do të ketë një ‘CV’ të pasur me aktivitete e protesta e sigurisht do të ketë një bazë të fortë të rinjsh nga mbrapa që po rekrutohen nëpër Universitete, e fatkeqsisht nuk po e kuptojnë mirë se çfarë po duan t’i bëjnë Shqipërisë e politikës tonë, që është lëmsh e duan ta trazojnë edhe më tepër.

Të rinjtë e “Për Universitetin” dhe Arlind Qori, kërkojnë Universitet Publik falas. Nuk di nëse ata vërtetë besojnë në këtë utopi apo thjesht e dinë se shqiptarët eksitohen nga fjala ‘falas’ pa menduar gjatë, se në këtë botë, asgjë nuk serviret pa një kosto. Nëse Universiteti është falas, automatikisht, shteti do të kërkojë të furnizojë buxhetin për të përmbushur kostot e Universiteteve dhe mijërave studentëve në to. Ka një vend ku shteti do të marrë më tepër para në mënyrë që të bëjë Universitetet falas: xhepat e shqiptarëve. Që do të thotë, më tepër taksa për secilin nga ne, në mënyrë që disa të rinjë dembelë të relaksohen duke mësuarr (ose jo) në Universitete, pa e vrarë shumë mendjen për pagesën, pasi kjo do të garantohet nga shteti, ose ndryshe, nga tasat e tyre që punojnë.

Pra, me pak fjalë, ju që protestuat sot, po kërkoni që për shkollimin tuaj luksoz (e quaj të tillë sepse arsimi i lartë nuk është i detyrueshëm), më duhet të heq unë pjesë nga paga ime, në mënyrë që juve t’ju plotësohet dëshira?

Po sikur, ne studentët që punojmë, të dalim në protestë e të kërkojmë që të gjithë ju të tjerët që nuk punoni, të na bëni fresk? Ngjan utopike apo jo? Njësoj si dëshira juaj absurde për të marrë një shërbim, për të cilin nuk doni të paguani.

Dhe në gjithë këtë zhurmë, nuk mund të fyej aspak studentët ekselantë të cilët nuk kanë mundësi ekonomike dhe e meritojnë arsimin dhe as ata të cilët janë të pamundur të punojnë, sepse për të gjithë këta që përmenda, ekziston një mundësi ligjërisht për të paguar Universitetin me anë të bursave apo kredive të lehta që garantohen nga qeveria.

Nëse jeni të paqartë në këtë pjesë, organizata “Unioni i Studentëve të Universiteteve të Pavaruara” ka përpiluar një status të plotë ku sqaron duke ju përmbajtur ligjit, se cila është zgjidhja që ekselantët dhe të pamundurit, mund të vazhdojnë Universitetin pa paguar asnjë qindarkë, si më poshtë:

Pra, të dashur studentë që po tërhiqeni zvarrë nga lëvizja “Për Universitetin” që planet dukeshëm i ka të qarta por ju sërish po doni të mos i shihni, herën tjetër që protestoni, saktësoni se ju nuk kërkoni arsim të lartë falas, por kërkoni që ata të cilët punojnë, të paguajnë shkollën për ju, sepse ju, në naivitetin tuaj, po kërkoni të silleni si të mitur e të pamundur për të përballuar shkollën e punën njëkohësisht.

Jetojmë në një botë kapitaliste e demokratike. Mund të fitosh vetëm atë për të cilën ke punuar. Nëse vërtetë do të vazhdosh studimet e larta dhe nuk ke mundësi ekonomike, shko dhe puno, siç po bëjnë të tjerët. Nëse nuk ke mundësi ekonomike dhe nuk mund ta “shtrish kurrizin” në punë, vazhdo një gjimnaz profesional dhe dil në zanatin tënd që të sigurosh një jetesë të mirë. Universiteti, nuk është për të gjithë, është për ata të cilët duan të investojnë tek truri i tyre dhe tek e ardhmja. Nuk mund të investosh falas dhe aq më pak, taksat e atyre që punojnë, të investojnë për shkollimin tënd.

Protestojmë për kushtet, kurrikulën, nivelin e pedagogëve? Patjetër që po. Caktojmë një datë dhe unë do ju bashkohem, bashkë me miq të mi të tjerë që po punojmë dhe vazhdojmë studimet e larta në të njëjtën kohë.

Por unë, sidomos si studente e Shkencave Politike, nuk mund t’ja lejoj kurrësesi vetes që të protestoj sepse dua të parazitoj, të marr para nga taksat e atyre që punojnë dhe t’i mbaj ison mendimeve të Arlind Qorit, një djalë i spikatur, që po garanton në këtë mënyrë  të zgjuar karrigen e tij në parlament nesër, ndërsa ju të tjerët thjesht po zhurmoni me megafon, e do t’i duheni patjetër mitingjeve politike nesër, ku do të mbani po këto role.

 

Komento
Shperndaje