Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Për vajzën dhe gruan që në ditën e saj të festës…mungon!

Për vajzën dhe gruan që në ditën e saj të festës…mungon!
March 08
17:21 2019

Nga Ana Limani

Është 8 mars dhe ndër lulet, dhuratat e urimet për gratë që gëzojmë në jetën tonë, dua që sot të flas për ty: vajzën dhe gruan që mungon.

Për ty që nuk munde të shohësh asnjëherë dritën e diellit me sy, për ty që u quajte gabim qëkur u ngjize. Ti dëgjove përbuzje pa mësuar ende të marrësh frymë, dhe një mendësi e kalbur të dënoi nga vetë babai yt dhe nga një nënë që heshti, nga një shoqëri që heshti. Sot do ishe duke projektuar familjen tënde dhe duke krijuar karrierën e ëndrrave, por ah e dashur, më fal që njerëzit ende tani do përdorin “fatin e keq” si justifikim për atë që ndodhi, ose më saktë për atë që nuk ndodhi kurrë: Jetën. Ti ishe një thesar!

Dua të flas për ty, të cilës jeta i lindi, por kurrë nuk arriti të çelë. Dëgjova për ty diku në lajme, se si nga askundi vendose t’i merrje jetën vetes. Sa hipokrite kjo mënyrë e të thëni, kur jetën ta kishin marrë të tjerë më parë. Kur ata që sot thonë se sa e shkolluar, e mirë, e dashur e sjellshme ishe, nuk denjuan asnjëherë të t’i thonin kur të kishin pranë. Kur thirrjen tënde të heshtur, nuk e dëgjuan kurrë dhe dorën që të nevojitej nuk ta ofruan. Ti ishe një jetë e tërë!

Dua të flas për ty, që u vrave nga « dashuria e jetës », që sot mungon për shkak të asaj që njerëzit e quajnë “krim pasioni”. Apo për ty që ambicia e karrierës t’u quajt tradhëti bashkëshortore. Po ne humbëm, se sot vetë ti do ishe një pasion që ecën, që nuk ka frikë të thotë jo, që nuk ka frikë të ndjekë jetën që do. Por jo, më fal edhe ty që u fajësove se ishe e përdalë që e le atë që të “dashuronte”. Ti ishe vetë dashuria!

Më fal që ti zemër, mungon sepse babai yt vlerësoi më shumë nderin sesa jetën që krijoi vetë. Që re pre e paragjykimit ndaj racës, moshës, që t’u mohua dashuria. Që nuk t’u la kurrë mundësia të shijoje veten dhe trupin tënd, sepse minifundet i veshin ku*vat. T’u kërkua falja e pendesës, por ç’vlerë kishte kur sot je atje tej mes shoqes, viktimë të shoqërisë? Ti ishe shpirti i lirë!

Sot dua të flas dhe për gruan, që gjithë jetën ishte “e ngecur” në trupin e një burri. I the vetes gjithnjë se ishe një gabim, mohove të gjithë mrekullinë që ndodhte brenda teje, nuk i dhe vetes lumturinë e shikimeve apo flirtimeve me cilën gjini të doje. Më fal që shoqëria jonë vlerëson organet, po harron (ose nuk do) të kuptojë që dëshirën e të qenit e një gjinie tjetër e përcakton sërish vetë organizmi yt.  Ndoshta nuk u ndjeve kurrë burrë e nuk u shfaqe kurrë grua, por ishe një njeri i mrekullueshëm!

Dhe në fund, por me më shumë dashuri dua të flas jo për ty, por me ty: vajzë dhe grua që po më lexon , por mungon. Sepse ti ke heshtur çdo ditë kur bën punët e shtëpisë ndërsa dëgjon një copë mashkulli që ulëret. Ti ke humbur atë që je, sepse të janë vënë mure kudo. Sot ndoshta more një lule, dhe sërish një shpullë. Di ende të marrësh frymë, por nuk ekziston, mungon, s’jeton… Por ne të dëgjojmë, dhe të ndiejmë dhe jemi këtu për ty. Dhe nuk duam të të humbim ty, sepse për aq kohë sa merr frymë, ke shpresë. Gjeje pak forcë të shprehësh me shikim, e të kërkosh ndihmë. Me lot në sy të lutem vetëm për diçka: ngrije një gjysmë zëri, që vitin që vjen të mos të flas për ty siç bëra më sipër, por të flas krah teje.

/Blitz.al/

Share