Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Për të dashurat dele… ose për popullin!

Për të dashurat dele… ose për popullin!
November 09
17:29 2016

Të dashura dele,

Si jeni? Si po shkoni me punët? Po fitoni gjë para? Epo mirë, sa të merrni lekë në fund të muajit jeni në rregull, se të tjerat shkojnë e vijnë.

Po një pyetje doja t’ju bëja se e kam merak: KAQ DELE DO RRINI GJITHË JETËN?

Po a nuk u ngopët duke e ngrënë tërë kohës, sa nga e majta, sa nga e djathta, sa nga ata që (s)votoni, sa nga ata që paguani për t’ju mbrojtur, për t’ju strehuar, për t’ju zgjidhur halle e probleme, për t’ju arsimuar, për t’ju edukuar, për t’ju shëruar, për t’ju rregulluar, për t’ju rritur mirëqenien, për t’ju sistemuar…?

Në fakt, nuk keni faj, më e rëndësishme është të keni sa më shumë tokë, edhe pse nuk e punoni e shfrytëzoni kurrë, të keni një partnere që e mbani tërë ditën në shtëpi e që detyrohet t’ju dojë pavarësisht se po bie çatia; rëndësi ka të konsumoni kafen dhe teken tjetër me mikun, kolegun, mësuesin, pedagogun, mjekun, avokatin, policin, gjyqtarin, arkitektin, kryetarin, deputetin…

Rëndësi ka edhe që të kapni femrën më seksi që ju del para syve, paçka se përfundoni me ato “nga fshati”. Rëndësi ka edhe të merrni shkollën më të mirë e diplomën me notat më të larta pa shkuar një orë të vetme në leksion; rëndësi ka edhe të fitoni vendin më të mirë të punës, paçka se nuk dini të bëni gjënë më të vogël aty, fundja rëndësi ka emri. (…)

Po një gjë nuk ka rëndësi për delet e dashura, pra për ju o popull: të bëheni bashkë e t’u kërkoni llogari një për një atyre që e kanë për detyrë t’ju shërbejnë. Pse? Sepse kënaqeni me pak dhe shikoni vetëm veten!

Po ç’rëndësi ka, aman, se ai ministri ka makinën më të mirë në qytet?

Po ç’rëndësi ka, aman, që ministrja bën pazar çdo fundjavë në Londër, Tokio, Moskë, Johanesburg, LA e diku gjetkë?

Po ç’rëndësi ka, aman, që deputeti i ka të katër fëmijët me studime në Nju Jork?

Fundja, kujt i intereson që deputetët kanë vila, prona pafund, në bregdet, pallate e apartamente?

Rëndësi ka që ti je i kënaqur me qeverisjen!

Nuk përmbytesh kurrë; nuk grabitesh kurrë; udhëton gjithë qejf me urban, ke qejf të ecësh në rrugë se ke plot trotuare; fëmijët mund t’i lësh të ecin pa të kapur dorën sepse janë të sigurt; kush mbaron shkollën e lartë ka shanse më të mëdha të gjejë një punë se ai që është pa shkollë; nuk ke fare politizim në institucione, shkolla(…); ke qejf të futesh në një klasë mësimi se kënaqesh nga ajo që dëgjon; ëndërron të shkosh në spital se trajtohesh si mbret; e ke dëshirën e jetës të qash hallet te nëpunësi civil apo i institucionit sepse të përgjigjet në mënyrën më të kulturuar e të tjera e të tjera.

Pra, të gjitha këto i gjejmë në vendin tonë sepse ti, o popull, di të zgjedhësh, di të kërkosh, di të kundërshtosh, di të rrëzosh!

Prandaj je edhe në këtë gjendje!

Prandaj edhe ëndrra ime është të iki jashtë, kudo të jetë, sepse nuk duroj dot kaq rregull, kaq aftësi për të qeverisur vetveten.

Edhe, ç’rëndësi ka çfarë i ndodh tjetrit: a i shembin shtëpinë, a e “palosin” në qeli, a e “vjedhin” çdo ditë e më shumë! Po ç’na duhet ne aman, paçka se nesër do të na ndodhë të gjithëve se e kemi pranuar?!  S’ke ç’bën!

Të dashura dele, nuk ta kanë fajin politikanët, as ministrat e as deputetët. Aty ku gjen, bën! Se ti do t’i votosh prapë, jo për gjë. Nesër do të votosh o majtas o djathtas, herën tjetër prapë majtas ose djathtas do zgjedhësh. Sepse nuk di që ka edhe rrugë të tjera. Se ti harron çdo katër vjet. Bën “restart” çdo prag zgjedhjesh. Bëhesh palë me varfërinë dhe e pranon me thesin e miellit. Ul kokën si qeni kur e përkëdhelin sepse kënaqesh me një vend pune ku asnjë s’do të ta mbajë mend as emrin, sigurisht përveç pllakës së varrit. Kënaqesh me ca fjalime që të bëjnë të përjetosh Uashingtonin, Parisin, Sidnein, Zyrihun, Pekinin, Kaliforninë, Rion, Kajron e re, Dubain e Hauain në një vend të vetëm që e quajmë me plot dashuri: Shqipëri!

Fundja, kështu edukohesh, kështu rritesh dhe kështu të pëlqen.

Kështu që, mos u anko nëse s’ke drita, nëse të vjen “dëti” në verandë, nëse s’kalon dot rrugën prej baltës, nëse arrin vonë në punë e shkollë prej urbanit që është 156/30 vende, nëse të duhet të prenotosh helikopterin e Capital T-së apo trenin e Elvanës për të kapur mësimin se i ke rrugët me ujë deri në buzë e askush nuk do t’ia dijë, nëse të duhet të marrësh kredi për të shëruar një virozë stine, nëse të duhet të punosh 4 vjet për të bërë lekët e shkollës së vajzës, nëse të duhet të kalosh 12 mundimet e Herkulit për të marrë një notë sepse arsimtari i dashur është #throëback në kohën e xhaxhit që të gjithë e adhurojmë dhe e kujtojmë me nostalgji e të tjera e të tjera.

Ky është shekulli i shqiptarëve! Ky është viti i shqiptarëve, domethënë 2017-a se ky na iku kështu, pa dashje! Jam krenar që jam shqiptar (a.k.a dele!)

P.s. Nuk ka vend për pesimizëm, por quajeni thjesht një realitet ku të gjithë jemi pjesë dhe kënaqemi duke jetuar në të, pa përpjekjen më të vogël për ta ndryshuar sepse kështu duam!

 

Andi Vrapi

Komento
Shperndaje