Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Për Presidentin e Republikës dhe paraardhësit e tij

Për Presidentin e Republikës dhe paraardhësit e tij
June 17
19:10 2017

Nga Kozeta Kurti

I nderuar z. President i Republikës, Shkëlqesia Juaj, Bujar Nishani!

Mësova se ju do të nderoni disa emra të tjerë brenda datës 29 të këtij muaji.
Mësova z. President, nga burime brenda Presidencës (nëse gënjejnë do të thotë se ju nuk keni ditur të menaxhoni paaftësinë e tyre) se ju, prej të paktën dy vjetësh, nuk keni këshilltar për çështjet e kulturës, si edhe një bord që dikur ishte aty, me sa duket, ju nuk e keni begenisur më. Unë e di z. President që urdhrat, që nga ai i Flamurit Kombëtar e deri te medalja për “Shërbimet ushtarake” u jepet shtetasve shqiptarë e të huaj për kontribute të rralla, mbi propozimet që bën vetë presidenti, kryeministri, kryetari i parlamentit, institucione të pavarura etj., por ju na mirëkuptoni pse ne fokusohemi dhe jemi të ndjeshëm ndaj figurave të njohura të muzikës, teatrit, kinemasë, sportit… për shkak të ekspozimit të tyre në publik, është e dukshme.

U lashë studentëve të mi një detyrë z. President. U dhashë një listë emërore me personazhe të njohura të jetës publike në vend dhe u kërkova të bënin verifikime nëse ata ishin nderuar me ndonjë prej gjashtë urdhrave apo dy medaljeve, me anë të të cilave dekoron Presidenti i Republikës.

U kam thënë studentëve të mi, z. President, që nëse ata nuk u referohen VETËM burimeve zyrtare për informacion apo kërkim shkencor, unë nuk i marr në konsideratë fare përpjekjet e tyre. Ndoshta sepse me këtë formë më kanë edukuar edhe mua pedagogët e mi, ndaj edhe brezi im me sa duket dhe pa modesti, ka mbetur ndoshta i fundit që nuk gabon me pash’!

Lista përmbante emra si i Piro Manit, z. President. Ai nuk rezulton në arkivin e dekoratave të dhëna prej jush a prej paraardhësve tuaj. Kërkova për Zhuljana Jorganxhi. Hiç z. President! Hajrie Rondo, hiç z. President! Parashqevi Simaku, hiç z. President! Kam një listë aq të gjatë, sa nëse e dëshironi, jua vë në dispozicion, nëse asistentët tuaj do të vazhdojnë të jenë ende me nevoja të veçanta në dëgjim e shikim z. President.

Në listën emërore që u kisha dhënë studentëve, z. President, ata më kishin nënvizuar si “të pa urdhëruar”, “të padekoruar”, të “pa mjeshtëruar” edhe aktorët Timo Flloko, Bujar Lako e Roland Trebicka.

Këtu fillova të bëhem çorap unë z. President! Bojken Lako është mik dhe koleg i imi prej 15 vjetësh. Një telefonatë e kemi dhe ai konfirmoi që pak kohë përpara largimit të të atit nga kjo jetë, Presidenti (pra ju) e kishte dekoruar në të njëjtën kohë me aktorin Timo Flloko. Evis Trebicka, e bija e Rolandit, është kolegia ime e zyrës në Radio Tirana, z. President. Ajo më konfirmoi që i ati e kishte marrë titullin “Mjeshtër i Madh” në vitin 2011, pas dyzet vjetësh në teatër, në kohën e mandatit të ish-Presidentit Bamir Topi. Ndaj edhe kjo letër e hapur nuk ju përket veç juve, por edhe paraardhësve tuaj. Sigurisht kjo nuk do thotë: “Historia fillon me mua”, sepse këtu kemi parasysh institucionin dhe jo emrat e përveçëm, të cilët nuk janë jetëgjatë po aq sa institucioni në postet e tyre drejtuese apo menaxheriale.

Nuk po luajmë “e ka, kush e ka” që t’ia ngecim kujt të mundemi. Ju e dini, “bashkëfajtor në krim është edhe ai që ka dijeni dhe nuk bën asnjë përpjekje për ta ndaluar”.
Këtu filloj të gëlltitem unë z. President! E dini sa të gjatë e kam listën? Por po kompleksohem ta ndaj me ju e lexuesit e mi, se ja e kanë dekoratën këta të listës sime, por për fat të keq mund të kenë fatin e Lakos, Trebickës e Fllokos?

Sa rrini e dekoroni dy herë të njëjtin person, z. President, siç ndodhi me sportistin Nijazi Lleshi, që e dekoruat në prill të këtij viti me një njëjtin urdhër që e pat dekoruar edhe ish-Presidenti Topi në shkurt të 2012-s, punësoni një skuadër profesionistësh që t’ju ndihmojnë të mos bëni të tilla gafa… Nëse i keni ndërkohë të punësuar, merrni masa që të mos lyejnë thonjtë me manikyr, por të lexojnë ndonjë rresht aty-këtu. Askush nuk vdiq nga dija, z. President!

Nëse nuk e keni këtë mundësi, jua gjej unë një numër vullnetarësh që do ta kryenin me përgjegjshmëri të madhe këtë detyrë z. President.
Pas këtyre ndodhive të fundit, midis të dekoruarve tuaj, ju betohem që ka nga ata që përsërisin me vete: “10 herë faleminderit që na e dhe, 100 herë faleminderit nëse do na e marrësh!”. E mbani mend z. President? Është një batutë nga dhjetëra skeçet e dyshes Fadil Hasa e Muharrem Hoxha, artistëve durrsakë të humorit. Klikova në arkivin tuaj. Rrema është dekoruar prej jush më 4 nëntor 2015, me numër dekreti 9308. Fadili s’e paska. Ose mund ta ketë, por ndoshta sektori i Marrëdhënieve Publike ka marrë leje të gjatë.

Z. President, reflektimi, korrigjimi nuk është turp, përkundrazi. Le t’u shërbejë si mësim edhe pasardhësve tuaj. /Blitz.al/

Shperndaje