Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Për moralistët e rrjeteve sociale apo të kafenesë buzë rrugës

Për moralistët e rrjeteve sociale apo të kafenesë buzë rrugës
April 04
18:37 2019

Nga Ana Limani

Ka shumë gjëra që Shqipërinë tonë e kanë marrë në qafë siç thotë populli, por në krye qëndron morali. Të moralshmit e turpshëm, të pamoralshmit e përdalë, morali i rrënjosur apo dhe kuptimi që nuk dimë i moralit.

Dhe nëse moralistët e kafeneve buzë rrugës që qëndrojnë gjithnjë në të njëjtën hije, mund t’i shmangim me një kalim në trotuarin tjetër, këtyre të rinjve të rrjeteve sociale nuk ua gjejmë dot zgjidhjen. Janë kudo, në profilin e personazheve të njohura, në profilin e Kim Kardashian, madje dhe në profilin e një njeriu të thjeshtë. Edhe këtu qëndrojnë gjithnjë në hije, por në atë të profileve pa një identitet. Në fakt kur e thua kështu bën goxha sens.

Mund të jeni të këqinj, të shëmtuar (për shpirtin e kam) etj etj, ama vetëm rolin e të moralshmit mos luani. Sepse bëheni të neveritshëm. Morali është çështje kohe dhe perspektive, çfarë është e moralshme sot, dikur ishte turpi i botës dhe disa njerëz thjesht kanë ngelur në atë dikur-in. Por kjo nuk do të thotë të ndërpresin ritmin e vizionarit, me ëndrra të guximshme e zë për të folur.

Sepse ndërkohë që shijojnë kafenë e tyre të pestë në hijen e përhershme, që dhe ndërtesa që e bën do donte te zhdukej, të flasin ty se si gabon, se si nuk bën bamirësi, se si nuk bëhesh si goca e Anilës së katit të pestë, apo si çuni i Benit që nuk i ndihet zëri, i urti i mamasë. Flasin për lekët që fiton, fundet që vesh, boss-in me makinë që takon. Tani po vjen dhe sezoni im i preferuar, kur të përdalat veshin rroba banjo në plazh, imagjino…turp si vjen njëherë që i sheh bota? Sepse mund të bësh një milion të zeza, mjafton t’i mbulosh me vellon e moralit.

Dhe gjëja më e bukur në të gjithë këtë mes, është që morali vjen gjithnjë nga njerëz të palumtur, që nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të dalë nga ajo sfera e zezë e injorancës. Apo mos ndoshta e vetmja gjë e moralshme për t’u bërë e për të qenë është asgjëja e askushi? Ndoshta.

Gjithnjë jam munduar t’i kuptoj e t’i justifikoj disi për shkak se dështimet e jetës dhe pafuqia për t’u ngritur i kanë bërë të kenë mllef dhe “moral”. Gjithnjë them se pikërisht ata kanë nevojë për më shumë dashuri. Por a e di çfarë? Nuk është detyra e askujt të iluminojë ata që nuk duan të dëgjojnë e të kuptojnë. Kur ti nuk i ndërpret asnjë aktivitet të moralshëm të tyrin, nuk i ndërpet asnjë dështim, nuk i merr asnjë hije, pse dreqin i hyn në xhep morali jot? Kur nuk i ke marrë asgjë që atyre i përket, pse duhet të komentojnë çdo frymëmarrje tënden?

Ju të moralshmit e rrjeteve sociale apo të kafeneve buzë rrugës, thjesht qëndroni larg këndit të vështrimit. Të pamoralshmit e përdalë do vazhdojnë të flasin për çdo gjë që bëhet dhe ju e ndrydhni. Por ndërkohë që të pamoralshmit gjithnjë mund t’ju kthejnë mbrapsht vetëm një dozë dashuri, kujdes se do të jetë vetë hija juaj që do ju japë dy doza errësirë. /Blitz.al/

P.s meqë jeta imiton artin apo arti imition jetën…

 

Komento
Shperndaje