Blitz

 Breaking News

Për ata që i  përdorin gjenitalet veç për në banjë

Për ata që i  përdorin gjenitalet veç për në banjë
April 18
11:58 2020

Nga Kozeta Kurti

Si jeni? Mirë? Si po ju shkon karantina? Ju është bërë ëndrra realitet ë? Keni më shumë kohë se kurrë për t’u marrë me tjetrin! Shumë mirë, se mezi shtyhen këto kohë pa kafe e lloqe vërdallë. Pa hë, më thoni pak, si u habitët, çuditët, llomotitët, mrekulluat, shfrenuat fantazinë, shatë, mallkuat, kur ju mbërriti në celular ajo videoja intime e asaj vajzës që e bëtë sikur kishte kryer seks te stacioni i trenit a autobusit dhe kishte meruar mijëra njerëz… Krim është! Juve veglat tuaja i përdorni veç për të zbrazur atë që ju mban fshikëza dhe zorrët. Ju që shtratin, divanin, kolltukun, sediljet e makinave, banjot e klubeve të natës i përdorni kryesisht për të hekurosur rrobat, do keni vënë duart në kokë, do keni shkulur flokët nga marazi e do keni klithur të lebetitur: O Zot, ku po shkon kjo botë? Apo i shkulët flokët nga marazi, se thellë brenda vetes keni ëndërruar miliona herë të jeni në vendin  e atyre të dyve?

Nuk është kjo arsyeja? A prit! Juve ju dogji ankthi dhe kurioziteti për nderin dhe moralin?  A ishin të martuar,  a ja kishte dredhur kush kujt? Këtu keni shumë të drejtë, se ju keni gjithë atë siguri për gratë dhe burrat, partnerët a partneret  që keni nëpër shtëpia. Juve s’ka se si t’ju shkojë nëpër mend që ai a ajo ju gënjen për vendndodhjen, nuk ka fare dëshirë të kthehet në shtëpi tek ju, sepse u dukeni të mërzitshëm… Që të kuptohemi drejt, s’po e mbështes a promovoj këtë situatën, por po pranoj atë që e di se ndodh e nuk fshihem pas gishtit ta mohoj. Shkëmbimi i lëngjeve të trupit është i fundit shqetësim. Nëse dikush tjetër ka pushtuar mendjen, vëmendjen dhe kohën që mëtojmë se na përket neve, pesë, dhjetë a pesëmbëdhjetë minutat e aktit janë thjesht vetëm disa minuta më shumë.

Prit! Mbase ja futa kot! Ndoshta juve keni ndjerë keqardhje dhe keni sharë e mallkuar atë burrin…plehrën që ja nxorri dhe shpërndau videon. Po, mund të ketë qenë kështu, por plehra mund të ketë qenë edhe secili prej jush, nesh, që në një rrethanë të caktuar, i ka rënë në dorë celulari i atij fatkeqit. Sidoqoftë, kushdo që e shpërndau e për më tepër edhe publikisht, është edhe më mbeturinë se ai që e bëri për herë të parë.

Tani bëni një gjë me mend, se aty nëpër shtëpi, nuk ju sheh e dëgjon askush. Dilni para pasqyrës dhe pyeti veten: ore  ku janë këto burrat e gratë tona, nënat, baballarët, motrat, vëllezërit sa herë thonë se kanë punë e do vonohen? Pastaj pyeteni prapë: ore e hanë këta të shkretë e këto të shkreta sa herë u themi: kam punë e do vonohem?

Dhe mos harroni të qëndroni me ankth e me gishtërinjtë e ngritur drejt qiellit që ajo që keni bërë brenda, të mos ju dalë jashtë një  ditë! Iku kjo tani! Gjeni ndonjë gjah tjetër se karantina do zgjasë edhe ca. Nuk shtyhet pa ngrënë bukën tonë e pa bërë davanë e tjetrit!

Share