Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pellazgët e Herodotit – nga Marin Mema

Pellazgët e Herodotit – nga Marin Mema
January 09
17:35 2018

Nga: Marin Mema

Historianë e studiues të shumtë janë përplasur vazhdimisht për prejardhjen e emrit “Pellazg”. Një variant ka qenë ai që i lidh me detin apo me ujin, një tezë kjo e mbështetur nga mjaft idhtarë e hulumtues të kësaj çeshtje. Por ajo nuk është e vetmja, përkundrazi. Siç thekson një ndër studiuesit më të përgatitur, arvanitasi i ndjerë Aristidh Kola i cili jetën ja kushtoi studimeve mbi shqiptarët dhe prejardhjes së tyre, një tjetër mendim ka qenë ai që kërkonte rrënjët e emrit “Pellazg’’ tek fjala (Pelas Gjis) që do të thotë vend i afërt. Ky është shpjegimi që i jepte Mitropoliti bizantin Eustathi teksa kërkonte fillesën e tyre në Azinë e vogël. Por siç pyet edhe Aristidh Kola në veprën e tij “Arvanitët dhe Prejardhja e grekëve” , përse duhen kërkuar rrënjët aq larg, kur vendi i afërt mund të jetë Italia apo edhe më pranë Iliria?!

Të tjera teza janë ato që e lidhin etimologjinë e fjalës pellazg me lejlekun siç ka argumentuar gjeografi i lashtësisë Straboni. Ka patur hamendësime të tjera se rrënja që sigurisht ka pësuar ndryshime, donte të thoshte ‘degë e çelur’, por askush nuk di të thotë më pas se ç’lidhje mund të ketë kjo fjalë me historinë e pallazgëve. Sipas Aristidh Kolës, Homeri e quan Thesalinë (Pelasgjiko Argos), që do të thotë fushë pellazge. Interesant është fakti se shqipja siç thekson Kola ruan rrënjën e fjalës Argo tek emri ‘arë’, pra fushë e mbjellë. Ky i fundit mbështet vetë një tezë të dyfishtë, qoftë atë të prejardhjes nga lejleku, por edhe atë të që e shikon si rrjedhojë të fjalës arë, fushë.

Sipas Aristidh Kolës lejleku ka edhe ngjashmëri të tjera me pellazgët siç është tërheqja për tokat fushore e ujore ashtu apo udhëtimet e gjata mërgimtare. Ndoshta jo më kot edhe Aristofani i madh i krahasonte pellazgët me lejlekët. Ka autorë që shkojnë më tej duke e lidhur etimologjinë e emrit Pellazg, me fjalën ‘pelarg’, pra i ardhur për së largëti.  Sigurisht këto janë vetëm disa ndër tezat, sepse për pellazgët qarkullojnë edhe shumë të tjera. Shumë janë të mbështetura në teza shkencore, por ka edhe mjaft folklorike. Cila është e sakta? Kjo është e vështirë të thuhet, por siç mund të dallohet mendimet e përplasjet nuk mungojnë.

Megjithatë radhët e Herodotit,  që njihet si babai i historisë botërore mbeten thelbi dhe e vërteta e pakundërshtueshme e të gjithë këtij debati. “Unë nuk jam në gjendje që të provoj me siguri, gjuhën që flisnin pellazgët. Sidoqoftë është e pranueshme të bësh një konkluzion prej gjuhës së folur nga pellazgët të cilët jetojnë akoma. Ka pellazgë të cilët kanë mundur të jetojnë në qytetin Kreston. Gjenden të tjerë pellazgë të sistemuar në Plakia dhe Skylake në Hellespont. Gjenden gjithashtu, një numër komunitetesh të vogla pellazge që e kanë quajtur veten me tjetër emër. Nëse do të më lejohej të nxirrja një konkluzion nga këto raste , atëhere na jepet e drejta të themi se pellazgët kanë qenë folës të një gjuhe të ndryshme nga ajo greke’’

Këto radhë të Herodotit flasin më shumë se gjithçka, më pas kushdo mund të komentojë si të dojë, por e vërteta e tij nuk mund të ndryshohet…

/Blitz.al/

Shperndaje