Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pasi fiken dritat e Fest ‘56

Pasi fiken dritat e Fest ‘56
December 24
15:46 2017

Nga Kozeta Kurti 

“…Mbrëmë nuk dola nga salla, duke kënduar “Botë”, njësoj si 25 vjet më parë, duke kënduar “Jon, ky emër i marrë nga deti…”, por në qofsha mirë, unë do të jem sërish sot një vit në sallë, edhe nëse do të mbetem e vetmja që do të zë një poltron portokalli…”

Kështu mbyllej një artikull imi vitin e kaluar për Festivalin, një artikull që bëri xhiron e rrjeteve, ndoshta edhe për vetë notat e larta kritike, protestuese, deri në dhimbje, me të cilat shoqërohej…

Unë isha në sallë këtë vit, por jo e vetmja spektatore që zuri një poltron portokalli; madje nuk munda të zë vend në një poltron të portokalltë të Pallatit të Kongreseve, për shkak të një salle të mbushur si rrallë herë këto vitet e fundit për Festivalin e Këngës.

Këtë vit Festivalin e pashë që në fazën e bluarjes së tij; ky nuk është festivali më i mirë i të gjitha kohërave, ruajna zot të themi që si ky festival nuk ka për të ardhur më, se i bie t’i vëmë drynin për aq kohë sa s’ka kulm mbi kulm, por unë nuk mundem të mos them që ky festival  ktheu besimin  e artistëve dhe emrave të njohur, pavarësisht se shqiptarët duan të gjithë një autobus me pesëdhjetë e dy vende të para. Unë nuk mundem të them që emri i Bushpepës kishte muaj që lakohej korridoreve të RTSH-së e mejhaneve të kryeqytetit, sepse të gjithë që ndoqën sadopak zhvillime të Festivalit, dëgjuan të lakoheshin Eugent Bushpepa, Ines Neziri, Redon Makashi, Manjola Nallbani, Orgesa Zaimi.  Unë nuk mundem të them që publiku e juria nuk ishin në të njëjtën mendje dhe këtu nuk kam parasysh klikimet në internet që si çdo qasje tjetër ndaj teknologjisë, është thjeshtësisht e manipulueshme, por unë udhëhiqem nga ndjesia, nga gjithë ato duartrokitje e brohorima që kthyen në skenë Gent Bushpepën, Ines Nezirin, Rezarta Smajën e Luiz Ejllin etj,

Çdo njeri nga ne, duke nisur nga unë e para, ka të drejtë të mendojë që tingëllon e trishtueshme, kur sheh në sallë një këngëtar që “shkel” mbi një orkestër të tërë, pa të cilin ai, këngëtari nuk bën dot, sikundër çdo kush ka të drejtë të mendojë se një herë në vit, le ta marrë vëmendjen këngëtari.  Këngët e bëjnë autorët, (përveç kantautorëve)  është e vërtet, por të gjithë e identifikojnë me këngëtarin, kështu që në asnjërin prej perceptimeve, askush nuk bën mëkate. Është e guximshme të ndryshosh fizionominë e një modeli të krijuar me kohë dhe sa është e guximshme, po aq është e vështirë edhe të pranohet. Nëse ka qenë funksionale, s’ka pse të mos rimendohet e nëse nuk ka qenë, 2018-ta vjen  shpejt dhe gjithçka shkon lehtësisht në gjendjen e mëparshme.

Ky Festival prodhoi debat, por  të panevojshëm për muzikën. Ky është Festivali i Këngës dhe nuk ishte e nevojshme të prodhohej situatë e më pas të fabrikohej lajm për një marrëdhënie midis Krastës e Luiz Ejllit që kushedi se kur daton e kushedi a ekziston një ngërç midis tyre a jo. Çmoj sportivititetin me të cilin u kalua kjo situatë duke mos i hedhur më benzinë zjarrit, e duke lënë të parën atë që e meriton të jetë e para: kënga! Për këtë lloj debati të munguar për muzikën dy janë mundësitë: ose ka qenë kaq mirë sa nuk ka patur nevojë për diskutim, (e dyshoj këtë)   ose ka një lloj paaftësie dhe mungese informacioni për  të ngritur një debat për përmirësimin e cilësisë së muzikës (dhe këtë nuk e dyshoj aspak).

Çdo njeri mban përgjegjësi absolute për çdo mendim të shprehur me zë të lartë e vendimarrje dhe ka parashikuar çdo lloj kostoje, me të cilën përballet i vetëm.

Artistët i kemi të mirë shumë, por nëse do ishin besnikë të mendimeve të tyre, të cilat çuditërisht ndryshojnë brenda njëzet e katër orësh, sipas hënës, do ishin padiskutim edhe më të besueshëm dhe do reflektonin më shumë qëndrueshmëri.

A kishte ritëm!Për dikë po dhe dikë jo!

A kishte spektakël Për dikë po dhe dikë jo!

A ishin të mira zgjidhjet autoriale, skenografike, grafike, regjisoriale? Për dikë po dhe dikë jo!

A kishte këngë? Për të gjithë PO!

Dhe lajmi ky është: Në festivalin e 56-të pati këngë.A pati këngë për Eurovizion apo jo, kjo është një çështje krejt tjetër që personalisht më intereson pak apo aspak. Ky festival pati atë që duhet të kishte: krijues dhe intrepretues këngësh që nuk heqin dorë nga identiteti i tyre artistik, për t’i shkuar  pas “rregullave” të Eurovizionit,  në emër të të cilave të gjithë flasin, por askush nuk di të thotë cilat janë. Për të marrë “PO”-në sa më pak polemike të të gjitha elementeve të tjera të shfaqjes televizive në tërësi, Festivali i 57-të sapo ka trokitur në derë.

Ndërkohë ta lëmë Gentin të shijojë fitoren dhe amanet: kur t’i vijë koha, të mos e ngarkojmë siç na e ka dash’ zakoni gjithë këto vjet: me fryrjen patriot-nacionalo-kombëtaro që ne i veshim çdo këngëtari që shkon në Festival Europian, sikur po e çojmë në luftë për të pushtu’ territore të reja. Është vetëm një këngë! Dhe kënga nuk ka nevojë për mjedis dhe histori patetike. Ajo pëlqehet dhe shijohet, ose jo. Le të rreshtohemi, aty ku ndjehemi më mirë.

Unë një gjë e kam të sigurtë. Vitin që vjen, nëse nuk do të jem në prapaskenë, është e sigurtë që do të jem sërish aty, në një prej karrigeve të portokallta të Pallatit të Kongreseve, duke ndjekur zakonin tim të ëmbël të çdo fund dhjetori, prej njëzet e gjashtë vjetësh tashmë, Festivalin.

 

 

Komento
Shperndaje